English

Fshihnin armë dhe drogë në restorant, kapet shqiptari dhe pronari italian

Foxhia, 4 korrik, NOA - Në rrethinat e Foxhias, në Itali, karabinierët italianë kanë mundur të zbulojnë një rafineri të vërtetë heroine, brenda një restoranti.

Lajmi konfirmohet nga mediat e shtetit fqinj, sipas të cilave, nga ky aksion policor, është mundësuar vënia në pranga e një shqiptari që e menaxhonte atë, me emrin Geman Haxhi, 41 vjeç.

Bashkë me të, mësohet gjithashtu se është arrestuar edhe një italian, 61 vjeç, me emrin Luigi Lioce; që të dy të përfshirë tashmë nën akuzën e përpunimit të lëndëve narkotike.

Ndërkaq, karabinierët italianë kanë mundur që të sekuestrojnë edhe një sasi heroine prej 6 kilogramësh, e barasvlefshme me shumën prej 500.000 €.

Italiani Lioce menaxhonte restorantin në fjalë, por kishte qenë prej kohësh i survejuar nga policia pas frekuentimit që atij i bënin disa klientë shqiptarë me sjellje të çuditshme dhe disa fytyra të njohura për organet e ligjit në Foggia, e që jetonin në Campania dhe Lazio.

Ndërkohë, shqiptari Haxhi, konsiderohej si i shënuar nga policia për shitjen e drogës në rajonet e Cerignolas dhe ato fqinje.

Sasia e drogës u gjet brenda një qeseje, e cila ishte fshehur në një zgavër të krijuar në një ndarje cilindrike të restorantit.

Përveç kësaj, gjatë kontrollit, hetuesit gjetën në një arkë në zonën midis kuzhinë dhe dhomës së ngrënies, edhe një armë të Luftës së Parë Botërore, por plotësisht funksionale. Si edhe 22 fishekë të kalibrit 8 dhe 28 9x21.

Policia gjeti dhe konfiskoi gjithashtu një shtypëse e cila përdoret për përzierje të heroinës dhe përmirësimin e cilësisë.

Për hetuesit, restoranti ishte një vend tranzit i drogave të destinuara për tregun e Lazios dhe Campanias.

n.e/NOA

KOMENTE