English

Reagon Vetëvendosje: Marrëveshjet të Thaçit, jo të Kosovës

Prishtinë, 4 korrik 2011 NOA- Lëvizja “Vetëvendosje” ka reaguar ndaj formës së arritjes së marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Përmes një deklarate për shtyp, drejtuesit e “Vetëvendosjes” thonë se kryeministri Hashim Thaçi nuk ka respektuar fjalën e tij, ndërsa ka thënë se Kuvendi i Kosovës do të debatojë para miratimit të çdo marrëveshje me Serbinë.

“Marrëveshjet e reja të kompromisit me Serbinë tashmë filluan të arrihen mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Në procesin e negociatave që filloi në mars, i cili nga Qeveria e Kosovës është quajtur vazhdimisht dialog teknik, është deklaruar nga ndërmjetësuesi i këtyre negociatave, por edhe nga Qeveria e Kosovës, se janë arritur marrëveshje për 3 çështje të ndryshme: regjistrin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe pranimin e diplomave universitare”, theksohet në deklaratë.

Lëvizja Vetëvendosje deklaron se i kundërshton këto negociata për shkak se ato, sipas saj janë në kundërshtim me të drejtën për të qenë shet sovran.

“Ne e kemi paraqitur një tekst të rezolutës për të cilën u kemi bërë thirrje deputetëve për ta votuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajtur më 7 mars 2011, ku i kemi paraqitur kushtet kryesore të cilat duhen plotësuar nga Serbia para se të mendohet për çfarëdo procesi bisedash me të. Meqenëse janë negociata të padrejta, rezultatet e tyre nuk mund të jenë as të drejta e as të dobishme, prandaj qeveria e Kosovës ngurron për t’i informuar qytetarët për negociatat dhe tekstin e marrëveshjes. Ne insistojmë që teksti i marrëveshjes t’i sillet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të debatohet aty. Në republikën parlamentare nuk ka organ më të lartë politik sesa Kuvendi. Anashkalimi dhe përqeshja që po ia bën Kuvendit Hashim Thaçi dhe Qeveria e Kosovës e pamundësojnë republikën e qytetarëve, duke e kthyer vendin në shtet të pushtetarëve”, përfundon deklarata e lëvizjes Vetëvendosje.

a.q/ NOA

KOMENTE