English

Sekuestrohen 50 kg drogë në aksin Tepelenë-Përmet, në pranga 3 trafikuesit

Këlcyrë-Përmet, 6 korrik 2011, NOA – Në aksin rrugor Tepelenë-Përmet janë sekuestruar afro 50 kilogramë marijuanë, dhe kanë rënë në prangat e policisë tre personat që po trafikonin drogën me dy automjete përdrejt Greqisë.

Aksioni i policisë u zbatua rreth orës 01.00 në hyrje të qytetit të Këlcyrës.

Policia e qarkut të Gjirokastrës ra në gjurmët e dy automjeteve, që lëviznin me shpejtësi në drejtim të Përmetit, duke i ndaluar befasisht.

Gjatë kontrollit në automjetin tip BMW, me targa TR 05 30 N, që drejtohej nga shtetasi Renato Kadilli, u konstatuan dy çanta të mëdha shpine të mbushura me pako të mëdha me lëndë narkotike në sediljen e pasme.

Gjithashtu u bllokua edhe automjeti që shoqëronte makinën që transportonte lëndën narkotike dhe konkretisht automjeti tip BMW me targa fallco UENDIK, që drejtohej nga shtetasi Enea Kadilli.

Ky i fundit pasi ka kundërshtuar me dhunë forcat e policisë në momentin e kontrollit është arrestuar bashkë me shtetasin tjetër Jorgo Oshafi, që ishte në këtë automjet.

Nga kqyrja e çantave të gjetura në automjet rezultoi se në njërën çantë kishte 6 pako të mëdha dhe në çantën tjetër kishte 9 pako të mëdha të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, që varionin nga 2 deri në 4 kilogramë secila, gjithsej 15 pako të mëdha apo rreth 50 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë.

Policia ka arrestuar të tre shtetasit, që transportonin drogën.

Tre të arrestuarit, që akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim janë dy vëllezërit 27-vjeçari Renato Kadilli dhe 26-vjeçari Enea Kadilli, lindur dhe banues në Pogradec, si dhe 33-vjeçari Jorgo Oshafi lindur dhe banues në Pogradec.

Policia sekuestroi përveç lëndës narkotike edhe dy automjetet tip BMW.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas e kishin marrë lëndën narkotike në Shqipërinë e mesme dhe do ta transportonin në drejtim të shtetit grek nëpërmjet kufirit jeshil nga Leskoviku.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

mit/NOA

KOMENTE