English

Merre ose lëre

Ja te Osllobodill, ja te J…ll ose, unë të çlirova, unë të rehatova!

Nga Behxhet Sh. Shala

Ule gishtin dhe paloje bishtin: Sot do të shkruaj diçka që nuk ka të bëjë fare me Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj e as për miqtë ndërkombëtarë, as për patriotët dhe tradhëtarët, as për analistët dhe banalistët, anarkistët dhe konstitucionalistët, për kalemxhinjt dhe shkarravitaxhinjt, as për hoxhallarët, politikanët dhe pashallarët, as për pakicat etnike e as për shoqërinë civile ( prostitutat parapolitike ). As për Kuperin dhe behxhetshalë beterin. Sepse, të gjithë ata për të cilët po shkruaj po përparojnë dhe dekorohen ndërsa unë dhe disa që janë si unë “ që po pëshurrim kundër erës “, në fakt po e mbjellim një therrë në vend të derës. Duket se kam filluar të mbledh mend se ndryshe mbeta pa dhi dhe pa dhenë. Më thirri një mik katolik duke më thënë, por pa më përmendur babë dhe nënë: “Pse more nuk po e lexon Dekameronin dhe Filozofinë në Odën e Pasqyrave ku mund të studiosh moralin dhe ku mund të kuptosh se çka është delikti por po kacavirresh në luhajen nën kanapen te Papa Benedikti XVI”. Ose tjetri me mjekër si çufrra e Selman Selmanit thotë se i ndalohet qasja në Varrezat e Qytetit, edhe për së vdekuri, Behxhet dushmanit. Faji imi i vetëm është se dua të mbesë mysliman e jo të bëhem taleban. Prandaj e kam aktivizuar një mekanizëm: si ta uli gishtin në mënyrë automatike e paloj bishtin. Në një mëngjes kur isha duke shkuar në punë, në rrugë më ndali një kavall i cili as tymin e Obiliqit nuk e ka hallall. Ende pa i thënë mirëmëngjes, lëpirësi i të gjitha pjatave ( para dhe pas lufte ) u ndez :” kush je more ti që shanë Rrahman Morinën, Sinan Hasanin, Azem Vllasin, Fadilin, Kolë Shirokën dhe Ali Shukrinë kur ata të mësuan shkrim lexim, patriotizmën, t’i hapen shkollat, fakultetet dhe Akademinë. ” Duke vazhduar :” po ti babën e ke pasur spiun të Serbisë, ndërsa nënën kurvë të Hajvalisë”. Gjyshin e ke pasur qen të Dimitrovit ndërsa gjyshen “motër nderi” si Margarita e Bullgakovit. Nuk je ti farë shqiptari por farë bugari. Mos ma shurdho veshin duke shkruar për Adem l…. E kështu me radhë, nuk la njeri pa e sharë. Me Hasan Prishtinë, Isë Boletin, Azem Bejtë, Shaban Polluzhë, Adem Demaç, Adem Jashar, Jakup Krasniq, Hashim dhe Brahim deri te Mixha Rrahim. Kërkoja një milimetër në kokën e tij që mund të quhej fytyrë, për ta pështyrë por isha i pafatë sepse fytyrën e kishte si harta gjeografike e Serbisë ndërsa gjuhën si të Trajan Baseskut të Rumanisë. Prandaj, nuk dua të merrem më, as me shqiptarë e as me kosovarë. Sepse, shqiptarët pollën kosovarët ndërsa kosovarët po i mohojnë shqiptarët. Prandaj, dua të shkruaj nga një distancë e largët kilometrike për disa zhvillime historike. Po e filloj dhe nuk e di kur do ta përfundoj.

Të çlirova, të falimentova: Hristofor Shevqenko ishte komisar politik në brigadën “Krasnaja Zvjezda 121” gjatë rrethimit të Stalingradit nga forcat naziste në luftën e dytë botërore. Ushtarët e tij mërdhinin, vdisnin nga uria, luanin mendsh mirëpo nuk dorëzoheshin. E mbronin frontin dhe më në fund shpërthyen rrethimin duke u shkaktuar humbje të madhe nazistëve. Gjyshi i Hristoforit ishte ataman i kozakëve në luftën e të kuqve të Leninit me bellogardistët. Ishte kundër Leninit dhe u pushkatua pikërisht nga komunistët e Vladimir Iliq Leninit. Babai i Hristoforit, Dimitri pati shërbyer si këshilltar i carit të Rusisë, Nikollajit. Falë fatit ai shpëtoi nga pushkatimi dhe ndërroi ngjyrën politike; nga i bardhë u bë i kuq. Pasi e çliruan Rusinë, ushtarët e Armatës së Kuqe, në ndjekje të nazistëve shkelën edhe toka të shteteve tjera që më parë ishin nën okupimin e gjermanëve, italianëve dhe aleatëve të fashizmit. Ku shkonin, si komisar politik që ishte, Hristofori angazhohej për instalimin e pushtetit të cilin e ngjyroste me ngjyrë të kuqe. Çdo flamuri i vendoste simbolin e çlirimtarit, draprin dhe çekanin si dhe yllin me pesë cepa. Nëse kisht ndonjë i marrë që e kundërshtonte këtë çlirim, me procedurë të përshpejtuar e mbështeste për muri duke e qëndisur me kallash. Vetë ishte prokurori, vetë gjyqtari dhe vet zbatuesi i vendimit të tij. Në vendimin e tij shkruante: “Vendimi është marrë për realizimin e qëllimeve të larta dhe kundër këtij vendimi nuk ka të drejtë ankese. Sepse, unë të kam liruar dhe unë, çdo herë që kam nevojë kam për të dënuar dhe pushkatuar”. Privatisht dhe publikisht. Të arrestojë, të eliminojë, të dënojë, të dhunojë, të ekzekutojë, të hypë, të zhdrypë etj. Nuk ke mundësi të kundërshtosh por vetëm të pranosh. Nëse dëshiron të mbijetosh. Duke kaluar nëpër Serbi, Hristofori zuri të bukurat Svetllana, Daliborka, Natalija, Miladinka, Shumadinka, Stojadinka dhe shumë inka të tjera. Ndaj tyre u tregua më humanë; nuk i pushkatonte por i pallonte. Atyre nuk u lëshonte vendim me shkrim para se t’i ekzekutonte për tradhëti por u ofronte mundësi për të shijuar dashuri. Por edhe këtu, kush pallohej, nga ekzekutimi shpëtohej. Nëse ndonjëra prej tyre kundërshtonte duke kërkuar sqarime për veprimet e Hristoferit, përgjigja ishte e thjeshtë: “ja te osllobodill, ja te jeball ose unë të kam çliruar prandaj kam për të palluar “. Fatmirësisht që kjo ka ndoshur në Rusi, Serbi, Bullgari, Rumani dhe Hungari dhe kurrë nuk mund të ndodhë as në Kosovë e as në Shqipëri. Sepse, ne për moral, fe dhe atdhe jetën nuk e bëjmë hesap as pesë pare, ashiqare. Por edhe ne prej mishi dhe gjaku jemi ndërtuar prandaj edhe historinë e rusëve e kemi harruar. Prandaj, për të mbijetuar diçka duhet sakrifikuar. Në fund të fundit; aspak nuk të cenohet nderi dhe fytra nëse të fortit t’i kryejnë do detyra, në disa mënyra. Sepse, të jemi të sinqertë; ata na kanë çliruar prandaj kanë 100% të drejtë për të na palluar. Kush e e pranon “ ekzekutimin”, e gjenë “shpëtimin”. Kush e refuzon “ ekzekutimin “, e gjenë amshimin. Prandaj, e them se nuk kanë asgjë të përbashkët “ shpëtimi “ dhe amshimi. Mirëpo, nuk kemi shumë mundësi përveç: “take it or leave it”, “merre ose lëre”. Për veten time nuk kam dilema fare…:” jeta është e ëmbël…. por duket se më ka rënë Dielli në kokë. Prandaj, mos më gjykoni për këtë dobësi të rastit dhe çastit. Tash po e pranojmë ekzekutimin, kur të vjen flladi do ta kërkojmë amshimin.

KOMENTE