English

SHBA propozim për bashkimin e Qipros, Clinton: Turqit dhe grekët në një federatë

Stamboll, 16 korrik 2011, NOA - Status Quo-ja e Qipros nuk është në interes të askujt. Kështu deklaroi në Stamboll, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. “Dëshirojmë një federatë të përbërë nga dy entitete, dhe duam që kjo të ndodhë sa më shpejt”, u shpreh Clinton gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm turk Ahmet Davutoglu.

Propozimi për bashkimin e Qipros greke dhe asaj turke pritet të ngjallë reagime si në Athinë ashtu edhe në Ankara, megjithatë ky propozim nuk është ende në tavolinën e bisedimeve.

Sekretarja amerikane e shtetit tha se Turqia është një shembull për vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, të cilat duhet të mësojnë nga Ankaraja.

Gjatë vizitës së saj në Turqi, kryediplomatja amerikane Clinton shprehu shqetësimin e saj për lirinë e medias dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në vend.

Zonja Clinton tha se arrestimet e dhjetëra gazetarëve kohët e fundit si dhe problemet me tolerancën fetare, nuk ishin në të njëjtën linjë me progresin ekonomik dhe politik të Turqisë.

Clinton do të vizitojë të dielën Athinën, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë kriza greke dhe përpjekjet e qeverisë Papandreu për të dalë prej saj.

mit/NOA

KOMENTE