Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Përballja me vetveten
English

Përballja me vetveten

Nga Mero Baze

Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor i janë drejtuar Presidentit të Republikës dhe trupës diplomatike në Shqipëri për të shprehur shqetësimin e tyre rreth akuzave që u ka bërë opozita pas vendimit të tyre për të legalizuar grabitjen e mandatit të Tiranës. E mirëkuptoj anën njerëzore të shqetësimit të tyre, dhe sidomos melodramën e fëmijëve të tyre që i tallin shokët në shkollë.

Mirëkuptoj dhe ndonjë kërcënim në adresë të tyre, pasi shoqëria është aq shumë e ndarë sa vështirë se ata do të dalin nga memoria politike e vendit për dekada të tëra, për të mos thënë që kanë për tu studiuar si precedent gjyqësor në historinë e drejtësisë shqiptare. Por mbi të gjitha nëse lajmi është i vërtetë, pra nëse ata vërtet kanë nisur të shqetësohen nga opinioni për shkak të akuzave të opozitës, kemi një lajm të mirë. Ky është lajm i mirë, pasi na tregon së pari se shoqëria po reagon dhe Sali Berisha nuk e ka futur dot në koma, dhe mbi të gjitha opozita po besohet, edhe pse po flet në mënyrë sipërfaqësore për abuzimet e tyre.

Duke ju rikthyer shqetësimit të gjyqtarëve të Kolegjit, duhet tu kujtoj atyre lotët e Anës, vajzës 11 vjeçare të Ziver Veizit, që po rritet pa babanjë fshat të Lushnjes. Të nesërmen e vrasjes së babait, disa fëmijë në shkollë i kanë thënë se ‘do të vrasim dhe mamin se ju jeni armiq’. As e kanë tallur dhe as e kanë përqeshur. Thjesht kanë përçuar atë që kanë dëgjuar në familjet e tyre pro pushtetit, për një të vrarë nga pushteti. Rasti i fëmijëve ndryshon shumë nga rasti i Anës, pasi nuk po ua kërcënojnë fëmijët, por thjesht po ua përbuzin. Kjo është dhe diferenca që shoqëria bën për ata që vriten për demokracinë dhe për ata që shkelin për interesa të tyre mbi ëndrrën tonë për demokracinë. Për këtë shkak zonjat dhe zotërinjtë e Kolegjit të jenë të qetë se deri tek përbuzja shkon zemërimi popullor për ta. Nuk meritojnë më shumë.

Një aspekt i dytë i letrës së gjyqtarëve drejtuar presidentit të Republikës, dhe çuditërisht dhe ambasadorëve, është përpjekja e tyre për të bërë rolin e viktimës nga opozita. Opozita në këtë vend, dhe sidomos kjo opozitë e Edi Ramës, nuk shquhet as për kërcënime dhe as për denigrim personaliteti të kundërshtarëve. Mirë apo keq, e kanë stilin e tyre. Fakti që gjyqtarët po ankohen për diçka që s’u ka ndodhur akoma, do të thotë se letrën e tyre nuk e kanë shkruar ata vetë, por AI, që e ka shkollë të vetën kërcënimin dhe denigrimin e personalitetit të kundërshtarëve. Duke i detyruar gjyqtarët e Kolegjit të firmosin një letër si viktima të opozitës, ai ka firmosur përfundimisht rreshtimin e tyre si heronj të PD, duke u dhënë publikisht licencën që të bëjnë kërdinë mbi gjyqet që kanë përpara, pasi janë të paprekshmit e rinj të regjimit. I gjithë stili i ankimit të tyre, është vazhdim i deklaratës për shtyp të zëdhënëses së PD, e cila dje u ankua për Argitën, kurse sot për shoqet e Argitës.

Një letër e ngjashme si kjo është shkruar nga një grup prokurorësh në shtator të vitit 1998, kundër liderit të opozitës Sali Berisha, pasi sipas tyre ky i kishte kërcënuar me jetë. Mbaj mend që listën e prokurorëve e kryesonte Nasip Naço, sot Ministër i Berishës dhe vazhdonin prokurorë të tjerë, nga ata që sot falin Argitën, Shkëlzenin, Fatmirin, Bashën, Metën dhe çdo kënd tjetër që vjedh dhe vret në emër të Familjes. Edhe pse ishin arsye të ndjeheshin formalisht të shqetësuar pasi Berisha i kishte kërcënuar vërtet, ata nuk kishin fuqinë morale për tu ndjerë të kërcënuar nga një njeri që ishte në opozitë, ndërkohë që vetë kishin në dorë gjithçka. Zonjat dhe zotërinjtë gjyqtarë janë të sigurt, pasi janë në pushtet dhe me atë letër që kanë shkruar janë dhe në parti. Sa për atë që dikush do t’i tallë në rrugë, këtë s’e ka në dorë as Bamir Topi, as ambasadorët dhe askush tjetër në botë. E kishin në dorë vet ata si gjyqtarë që të mos përbuzeshin, por tani është vonë. Ata tani janë pjesë integrale e pushtetit, bile pjesa më radikale e tij dhe natyrisht do të ballafaqohen me qytetarët në rrugë pasi kanë luajtur me votën e tyre. Dhe unë si gazetar ndaj opinion në shoqëri, dhe ka njerëz që aprovojnë ose kundërshtojnë mendimet e mija, por nuk ndjehem i rrezikuar si qytetar. Ndjehem i rrezikuar vetëm kur banditët e pushtetit vijnë dhe më qëllojnë në klub, por gjyqtarë si ju i nxirrni të pafajshëm duke “provuar” që nuk ka qenë ai, dhe del që unë kam parë ëndërr. Ndryshimi është se pas kësaj unë iki prapë i vetëm pa shoqërues në rrugë, kurse agresori paguan një ushtri të tërë për t’u ruajtur s’di nga kush. Dhe ju zotërinj të Kolegjit nëse jeni të qetë me ndërgjegjen tuaj, ecni të qetë në rrugë, shkoni të qetë në punë, kthehuni të qetë në shtëpi se askush nuk i bie më qafë. Përbuzjen dhe admirimin nuk e ndalni dot me letra të hapura drejtuar presidentit dhe ambasadorëve.

Shqipëria ka pasur plot figura politike që kanë ngjallë herë- herë urrejtje, herë- herë simpati, por pasi kanë ikur nga pushteti për ta ekziston një masë vlerësimi se sa të lirë janë si qytetarë. Nëse doni të bëni një krahasim, dhe meqë jemi tek fëmijët tuaj, po ju tregoj se djali i Fatos Nanos, një kryeministri i cili ka ngritur shkulma protestash të përgjakshme në vend, është një njeri normal, i respektuar, mëse modest dhe ka një biznes të suksesshëm në qendër të Tiranës pa i shkuar mendja askujt se i ka paret e babait apo ka mëkate e merita të babait. Kam frikë se për të birin e Sali Berishës shoqëria nuk do të rezervojë të njëjtin fat kur i ati të ikë nga pushteti. Përballja me vetveten dhe të shkuarën tënde, është një provë e rëndë, të cilën jo të gjithë e kalojnë lehtë. Mund ta kishit dhe ju të lehtë, sikur të ishit të drejtë.

*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit.

KOMENTE