English

Athinë-Shkup, çështja e emrit nuk është në axhendën e Klinton

Athinë, 18 korrik, NOA - Çështja e emrit nuk ka qenë pjesë e agjendës së sekretares amerikane të shtetit gjatë vizitës së saj dyditore në Greqi. Mediat greke kanë theksuar se kontesti i emrit midis Athinës dhe Shkupit është biseduar në kuadër të procesit të zhvillimeve rajonale dhe çështjeve të hapura që ka Greqia në planin e jashtëm dhe fqinjësor, ndërsa aspak nuk është prekur si çështje parësore. Në fokusin e kësaj vizite, Klinton do të bisedoj lidhur me krizën e rëndë ekonomike që po trondit Greqinë.

Shefi i ri i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis theksoi se Greqia ndan vizionin e SHBA-ve për Ballkanin si një rajon ku do të mbizotëroj paqja, stabiliteti dhe siguria, dhe jo nacionalizmi siç ka mbretëruar në të kaluarën.

Lambrinidis prezantoi planin grek “Agjenda 2014” për vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes të cilit Greqia dëshiron që të gjitha vendet e rajonit të ndërtojnë bashkëpunim të fuqishëm nën ombrellën evropiane.

Sekretarja amerikane, Klinton, e cila po viziton për herë të parë Athinën në cilësinë e detyrës së re, deklaroi se vlerëson përpjekjet e kryeministrit grek Papandreu për zgjidhjen e çështjeve të hapura që janë të rëndësishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO. Klinton theksoi se SHBA po japin ndihmën e duhur që ky vend të zbatojë masat për kursim për të tejkaluar krizën e rëndë ekonomike.

Pas Athinës, sekretarja amerikane do të vijojë turin e saj në 12 vende të tjera, duke përjashtuar vendet e Ballkanit Perëndimor.

NOA/INA

KOMENTE