English

Heshtje para stuhisë, apo heshtje harrimi

Nga Preç Zogaj

Komisionerja e Punëve të Jashtme të Bashkimi Europian, Baronesha Ashton, pati deklaruar të hënën e javës së shkuar se BE do të presë zbardhjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për tu shprehur për zgjedhjet në Tiranë. Vendimi i zbardhur doli dy ditë më vonë, të mërkurën. Mund ta imagjinojmë shpejtësinë me të cilën është përkthyer dhe u është dhënë juristëve e këshilltarëve që ndihmojnë në formimin e opinioneve politike në Bruksel. Vendimi i zonjës Sashenka Jonuzi mund të ketë thyer rekordet e interesit euro-amerikan për një vendim të dhënë nga gjykatat shqiptare.

Ndërkombëtarët ngecën si rrallëkund në historinë e zgjedhjeve në Tiranë. Intriga e vjetër shqiptare e numërimit të votave i mblodhi si dëshmitarë dhe luftëtarë në skenën finale të numërimit online të kutive të fundit. Ata dëshironin të celebronin me praninë e tyre fundin e një historie manipulimesh dhe fillimin e një historie rregullash. Ata u bënë mamia e një produkti, që duhej të shënonte edhe paqen e shumëpritur politike në Shqipëri: një paqe të themeluar mbi zbatimin e standarteve dhe rregullave nga qeveria dhe opozita. Vonë e kuptuan se misioni i tyre fisnik, bujar dhe kalorësiak ishte antistrofuar e siluruar në distancë me një nënqeshje tipike nga kryeministri Sali Berisha dhe rrethi i njerëzve të tij më të afërt. Këta po gjenin dhe po numëronin vota jashtë sistemit për Lulëzim Bashën, atje ku ndërkombëtarët nuk ishin. Dhe po thoshnin me njëri-tjetrin me gjuhën e vendit: “Ha, ha, ha, sa pak e njohin Shqipërinë!”.

Besoj se interesi i pazakontë i europianëve dhe amerikanëve për vendimin e Kolegjit shpjegohet piksëpari me përfshirjen dhe ngecjen e tyre në një histori të hidhur ku e kanë veten të sfiduar dhe të tallur. Sistemi politik dhe juridik i Shqipërisë u ka bërë atyre një sfidë të jashtëzakonshme.

U ka thënë: “Ju mund ta keni problem, por ne nuk e kemi problem t’i shkelim rregullat e lojës gjatë lojës. Ju kemi pritur që ne të shpallnim rrezultatin e Tiranës me 14 maj, ditën kur përfundoi numërimi online i kutisë së fundit ; ju keni menduar se Kodi e kërkonte këtë, por nuk keni kuptuar se Kodi edhe nuk e kërkonte këtë gjë, prandaj ne nuk mund të shpallnim fitoren e Edi Ramës me dhjetë vota, kur kishim mundësi të mos e shpallnim atë!” U ka thënë: “Ju mund ta keni problem dhe mund të skandalizoheni, por ne nuk e kemi problem dhe nuk skandalizohemi që t’i ndryshojmë rregullat e lojës pas mbarimit të lojës!”.

U ka thënë: “Ju e keni zakon që precedentin ta quani ligj aty ku ka boshllëk ligjor, por ne themi se interesi ynë është ligji i ligjeve. Pra jo vetëm boshllëku, por edhe vetë ligji duhet të marrë formën e interesit tonë në KQZ, në Kolegj Zgjedhor, kudo”.

U ka thënë: “Ju amerikanë dhe europianë të dashur mendoni se KQZ-ja duhej ta shpallte rrezultatin për Tiranën me 14 maj, ditën kur përfundoi numërimi i kutive të fundit në praninë tuaj, por ju duhet ta dini se ne kemi sistemin më të mirë të numërimit në botë, sepse ne numërojmë edhe pasi ka mbaruar numërimi, se ne e dëgjojmë me mirë se ju zërin e çdo qytetari”.

Lista e “leksioneve” që pushtetet tona i kanë dhënë Perëndimit me rastin e zgjedhjeve në Tiranë mund të zgjatet edhe më. Ja, ky pushteti ekzekutiv dhe ky pushteti gjyqësor, që së bashku, në lidhje të ngushtë, kanë autorësinë e damkës që i është venë Shqipërisë si vendi ku sundon kultura e pandëshkueshmërisë së krimit. Njëri pushtet e prodhon, tjetri pushtet e mbron krimin. Kjo është bashkautorësia. Është fare e kuptueshme që perëndimorët të duan të kuptojnë tani ç’është ky sistem që arrin të driblojë me flamurin e Europës në njërën dorë dhe me flamurin amerikan në tjetrën standardet, zakonet, objeksionet dhe këshillat e tyre? Si është e mundur që në këtë vend logjika perëndimore thyen hundët jo vetëm në aulat e vendmarrjes politike, por edhe në gjykatë?

Arsyeja e dytë e interesit të shtuar të perendimorëve për vendimin e Kolegjit ka të bëjë me peshën që ka e do të ketë ky vendim në kursin e Shqipërisë. Madje kjo është arsyeja e tregueshme, ndërkohë që e para mbetet e nënkuptuar. Shqipëria është në krizë prej dy vitesh për shkak të zgjedhjeve të vitit 2009. Zgjedhjet vendore ishin një mundësi për ta nxjerrë plumbin me plumb, siç thotë populli. Por, për fat të keq, në vend të zgjidhjes, këto zgjedhje e lidhën edhe më keq lëmshin e krizës politike. Ligjet, që me demek nuk e lejuan zotin Berisha të hapte kutitë e vitit 2009 për trasaprencë, e lejuan atë t’i hapte në vitin 2011 për të ndryshuar rrezultatin në favorin e vet. Europianët dhe amerikanët sigurisht kanë mbetur me gojë hapur me këtë piruetë cinike dhe provokuese të kryeministrit të Shqipërisë. Por ata kanë parë edhe “produktin” e operacionit për gjetjen e fitores së Lulëzim Bashës: mbi treqind e pesëdhjetë vota më shumë se votues në një pjesë të kutive dhe mbi katërqind vota më pak se votues në kutitë e tjera. Një mospërputhje tetë herë më e madhe se sa diferenca e votave mes dy kandidatëve, sipas vendimit të KQZ-së.

Sistemi politik dhe juridik i Shqipërisë e dribloi pa nder edhe këtë fakt kokëfortë të prishjes së zgjedhjeve. Tani europianët dhe amerikanët, siç kanë bërë vetë me dije, kanë në dorë vendimin e zbardhur të Kolegjit. Me siguri po shohin pse, ku dhe kur janë shkelur afatet e ankimimit nga Partia Socilaliste. Nuk jam e nuk mund të jem në mendjen e tyre, por të gjithë ata që e kanë ndjekur me kronometër në dorë procesin, e kanë shumë të qartë se vendimi i Kolegjit të dytë, që anulloi fitoren me 81 vota të Luëlzim Bashës, zeroi edhe afatet e ankimimit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Për opozitën dhe për një pjesë të madhe të opinionit publik, vendimi i Kolegjit të tretë, apo vendimi “Sashenka”, nuk ka kurrfarë mbeshtetje ligjore. Është arbitrar dhe pikë! Si do të gjykojë dhe reagojë Europa? Po SHBA-ja? Kaluan disa ditë pa një fjalë nga ana e tyre për vendimin e Kolegjit. Disa mendojnë se kjo është si qetësia para stuhisë. Disa të tjerë mendojnë se qetësia po merr kohë për t’i hedhur ujë rakisë. Disa të tjerë akoma e kanë humbur fare shpresën se Europa dhe SHBA-ja do të bëjnë dicka shumë konkrete për zgjidhjen e krizës shqiptare dhe prandaj nuk i numërojnë fare ditët. Unë besoj se fjala e Europës dhe SHBA-ja do ta drejtojnë përnjëmend kursin e ngjarjeve në Shqipëri pas kësaj që ndodhi me Tiranën. Ja pse i kam numëruar ditët e Baroneshës Ashton. Mendoj se ka qenë fundjava në mes dhe heshtja e saj është ende e justifikuar. Po kjo që fillon sot është java e së ëvrtetës së Europës dhe SHBA-së për ngërçin e ri të Tiranës. Kriza e stërzgjatur e Shqipërisë ka treguar se ekuidistanca, si qëndrim parimor, nuk është qëndrimi që ndihmon daljen e vendit nga kriza. Ngjarjet dhe faktet që ushqejnë këtë krizë nuk lënë hapësirë për një ndarje të barabartë përgjegjësish. Ekuidistanca e Perëndimit e ka bërë gjithnjë e më arbitrare qeverinë dhe kjo u pa qartë në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës. E folura me gjysma të vërtetash gjithashtu nuk ndihmon më. Shqiptarët, në përgjithësi, nuk presin dhe madje nuk dëshirojnë që Perendimi të marrë anën e njërës palë apo palës tjetër. Por presin dhe pretendojnë që Bruskeli dhe Uashingtoni të flasin hapur për ngjarjet konkrete, për faktet konkrete që ushqejnë këtë krizë. Të flasim me gjuhën e vlerave perendimore, që nuk janë të panjohura në tokën e Shqipërisë, por që kanë një tingëllim shumë më të fuqishëm dhe një jehonë shumë me të madhe kur shqiptohen nga zyrtarët e Perendimit. Sinjali dhe oguri i kësaj të folure ishte intervista e djeshme e ambasadorit të Danimarkës, Karsten Jensen në revistën “Mapo”. Zoti ambasador vinte në dukje me shumë fisnikëri se fuqitë e Europës për të ndihmuar “janë kryesisht negative dhe çdokush heziton të gërmojë në atë arsenal, sepse mund të preken të pafajshëm”. Ma merr mendja se ambasadori ka parasysh përdorimin e mjeteve të forcës apo të përjashtimit nga familja europiane. Në rastin e Shqipërisë ekziston patjetër fuqia pozitive e Europës. Që është fuqia e të folurës hapur, me dorëzemër.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE