English

Kavajë, Berisha garanton vendorët: Mbështetje për çdo projekt

Kavajë, 24 korrik 2011, NOA - Kryeministri Berisha inauguroi dje pasdite, përfundimin e rrugës Gosë-bregdeti Vil Bashtovë, në Kavajë. Rruga prej 15 kilometra që lidh bregdetin e Vil Bashtovës me autostradën Kavajë-Rrogozhinë, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 970 milionë lekë.

Kryeministri Berisha tha se rruga kompleton infrastrukturën më moderne për bregun e detit të rrethit Kavajë, që pret çdo vit rreth gjysmë milioni pushues vendas e të huaj.

Berisha inkurajoi fermerët e kësaj zone, të rrisin sipërfaqet e mbjella me ullinj, vreshta e drurë frutorë, duke i siguruar se qeveria do t’i subvencionojë për çdo rrënjë të mbjellë..

“Këto ditë, kur do të inaugurohej kjo rrugë, një qytetare e Kavajës më dërgon një mesazh sms, ku më uronte për rrugën e më thoshte se dikur, i ati i punonte këtu dhe kthehej në Kavajë një herë në javë, për shkak të distancës së largët e pamundësisë së transportit, ndërsa tani arrin në Gosë për 20 minuta”, ka deklaruar kryeministri.

“Ne jemi njerëzit më mikpritës në Europë – i është drejtuar ai banorëve - Mikpritja jonë buron nga virtytet e shpirti ynë i bardhë. Por ne duhet të bëjmë çdo që ashtu siç mbajmë të pastër shtëpitë e oborret tona, të mbajmë të pastër çdo rrugë e rrugicë, çdo mjedis në mënyrë që çdo vizitor të ndjehet në mjedisin më të pastër e më të këndshëm dje të marrë kujtimin më të mirë nga vizita e tij e parë në Shqipëri.”

Duke iu drejtuar kryetarit të komunës, B erisha garantoi se qeveria do të financojë çdo projekt të këtyre qytetarëve për përmirësimin e jetës së tyre.

a.q/NOA

KOMENTE