English

Rama: Islami dhe Harasani do të hiqen nga forumet drejtuese të PS

“Kastriot Islami dhe Andis Harasani kanë ikur nga PS duke marrë me vete edhe “vulën”, gjë që sigurisht përbën një anomali serioze për momentin”. Kështu shprehet kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama duke folur për zërat ndryshe të kësaj partie. Z.Rama thotë se e vërteta është se si Harasani dhe Islami, “me vullnet të lirë, kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke braktisur detyrën dhe duke u ndarë nga grupi parlamentar”. Në një intervistë që i dha gazetës “Shekulli”, z.Rama paralajmëron se “në zgjedhjet e reja të forumeve drejtuese të PS, sigurisht që edhe “vula” do të vihet në vendin e vet”.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

Zoti Rama, ka krijuar diskutime dhe kuriozitet prononcimi juaj se jeni i gatshëm të reflektoni mbi gabimet e bëra në ndryshimin e Kushtetutës. Nuk është diçka e zakonshme në këto njëzet vite pluralizëm që një lider politik të pranojë gabimet e tij. Po a jeni penduar vërtet për ndryshimet kushtetuese?

Që të pendohesh duhet të kesh bërë një mëkat, një faj a padrejtësi të vetëdijshme. Ky nuk është aspak rasti. Qëllimi i ndryshimeve kushtetuese ishte përmirësimi jo përkeqësimi i sistemit politik; konsolidimi i procesit demokratik, në marrëdhëniet ndërinstitucionale, në parlament e në qeverisje, jo shkatërrimi i tij; fuqizimi i alternativave konkurruese brenda një sistemi modern bipolar, jo rrënimi i shtetit dhe asfiksimi i pushteteve të pavarura kushtetuese përmes një koalicioni laraman pa din as iman. Ndryshimet nuk u shpikën për të bërë dëm, ato u adaptuan për të bërë mirë, duke marrë për bazë shembuj të konsoliduar të disa demokracive funksionale në Europë. Pra qëllimi ishte i mirë, por mesa duket rezultati jo, përkundrazi. Jo gjithnjë qëllimet e mira mjaftojnë për të pasur të drejtë kur vepron në emër të tyre. E këtu lind edhe detyrimi për reflektim, me vullnetin për të pranuar e korrigjuar gabimin e bërë. Reflektimi mbi çka nuk shkon dhe marrja përsipër e një gabimi të bërë s’është dobësi, po domosdoshmëri kur ke përsipër një përgjegjësi të çfarëdo natyre, familjare apo publike. Aq më tepër në rolin e një përfaqësuesi ose lideri politik s’duhet harruar asnjëherë ajo fjala e mençur: “Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore”.

Po çfarë dhe si konkretisht mund të korrigjohet gabimi i bërë me ndryshimet kushtetuese?

Së pari duke mos bërë gabimin e një procesi të mbyllur si ai që solli në ndryshimet e bëra. Duhet fillimisht një analizë e kujdesshme përmes dëgjimit të konstitucionalistëve, ekspertëve, opinionistëve që kanë kompetencën për të ndërtuar një kriticizëm konstruktiv në funksion të korrigjimeve që nevojiten. Ne po e bëjmë këtë me mendje të hapur e vullnet për veprim. Pastaj sigurisht nevojitet një proces mirëkuptimi me publikun dhe çdo faktor qytetar, politik e ndërkombëtar të interesuar që këto ndryshime të ndodhin në të mirë të interesit kombëtar. Dhe këtu s’flitet thjesht për ndryshim të ndryshimeve, po edhe për ndonjë ndryshim tjetër të nevojshëm në kushtetutë.

Zoti Berisha e ka përjashtuar marrjen në konsideratë të prekjes së Kushtetutës, ndërkohë që Ilir Meta apo të tjerë zëra të lartë brenda kampit të pushtetit të sotëm, që dje i kundërshtuan ndryshimet kushtetuese, janë të heshtur. Si mund të bëhen korrigjimet pa votat e shumicës së sotme parlamentare?

Nuk është befasi që Saliu të mos dojë të prekë ndryshimet, që siç e thashë u bënë për mirë nga ana jonë, por që prej tij përdoren si instrument për të fuqizuar pushtetin abuziv me të cilin po instalon në Shqipëri një fashizëm oriental. E kundërta do të ishte befasi në kushtet e sotme, kur zotëria kujton se i ka mbetur edhe pak për të kapur tërësisht shtetin pas litarëve të interesave politike e financiare të familjes së tij dhe për ta kthyer këtë vend në bajrakun e vet primitiv. Sa për Ilir Metën dhe ca të tjerë, të cilët u bënë pjesë dikur edhe e një komiteti të shpëtimit të Kushtetutës ndërsa sot janë bërë bilbilenjtë e oborrit të Saliut, mbetet të shohim në muajt që vijnë se si do reagojnë ndaj paketës së reformave që opozita do të propozojë. Ndërkohë konstatohet qartë se aleatët e mëdhenj të Shqipërisë në rrugën e demokratizimit e të integrimit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, e adresojnë pa ekuivok, sigurisht me gjuhën e tyre, shqetësimin për degradimin e shtetit tonë. Ata kërkuan publikisht ndërhyrje thelbësore reformuese për Kushtetutën, Parlamentin e institucionet e tjera, si edhe natyrisht zgjedhjet. Ne jemi gati të bëjmë tonën ashtu siç duan shqiptarët dhe siç kërkojnë miqtë e partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria është e kërcënuar sot hapur nga një gjendje krize shumëplanëshe që duhet zgjidhur përpara se të biem në humnerën ku çon pashmangshmërisht ky degradim.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së ka bërë një ftesë për të nisur punën nga reforma zgjedhore dhe s’ka marrë përgjigje. Pse?

Çështjet shqetësuese që shtron qartë dhe objektivisht komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Europian në prioritetet e nënvizuara vijimësisht për Shqipërinë, nuk janë një meny ku Saliu mund të zgjedhë thjesht atë që preferon sipas oreksit të tij. Ne jemi të painteresuar për një proces arnimesh në një ligj këtu e një ligj tjetër atje. Arnat ligjore për sy e faqe në ligje që as nuk zbatohen, na çojnë drejt çerdhes arabike të regjimeve pa barazi përpara ligjit, ku partia është shteti dhe sundimtari është partia. Do të presim raportin e OSBE/ODHIR-it dhe do të reagojmë në bazë të konstatimeve e sugjerimeve të tij, për një paketë garancish kushtetuese e ligjore që të pengojë përfundimisht hajdutët e zgjedhjeve të bëjnë një tjetër krim elektoral. S’ka dialog për dialog, aq më tepër me Saliun! Dialogu është një proces që duhet ndërtuar mbi një hartë bashkëbisedimi me teza të renditura qartë. Dhe në rastin e Shqipërisë, ku dhunuesi i rregullave të lojës është edhe arbitër, dialogu duhet garantuar medoemos nga komuniteti ndërkombëtar.

Ju keni shpallur gjithashtu një kurs të ri politik për PS-në dhe opozitën. A është ky ndryshim kursi shprehje e një gjykimi të pavarur apo një “nënshtrim” ndaj presioneve të komunitetit ndërkombëtar?

Komuniteti ndërkombëtar nuk është as shërbëtori as tutori, po partneri ynë, një partner i madh e i pazëvendësueshëm në rrugën e demokratizimit dhe integrimit europian. Kursi ynë i ri është shprehje e vlerësimit se sot jemi në një fazë të re. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i fitojmë si alternativë e besueshme qeverisëse. Shumica e shqiptarëve e kanë të qartë tanimë se kush është Saliu, e dinë që pushteti i tij abuziv është kanceri që po e shkatërron përditë këtë vend. Nga opozita ata duan sot recetën shëruese, alternativën e kapjes së shtetit, të sundimit përmes frikës e varfërisë, të mungesës së rendit, ligjit, punës, mirëqenies për njeriun e zakonshëm. Njerëzve të zakonshëm nuk u mjafton sot një opozitë që vetëm tregon sëmundjen e rëndë që ata e vuajnë orë e çast. U duhet një forcë që ndërton rrugën e çlirimit të shoqërisë dhe institucioneve nga metastazat e korrupsionit, rrugën e zhvillimit kombëtar, demokratik, ekonomik e social, rrugën e shpëtimit nga sëmundja. Këtë alternativë kemi detyrimin dhe vendosmërinë t’ia japim çdo zgjedhësi që do ndryshimin, duke e fuqizuar opozitarizmin me përmasën e prekshme të së ardhmes.

Si do ta bëni këtë me një parti të paçliruar nga konfliktet e brendshme në parti dhe një opozitë që shtrihet nga e majta në të djathtë, pra me dallime të ndjeshme ideologjike?

“Konfliktet e brendshme” në Partinë Socialiste janë sot projekt mediatik i financuar fuqishëm nga pushteti i Saliut. Amplifikimi i ndonjë zëri që nuk ka asnjë jehonë në hapësirën opozitare nga njëra anë, si edhe përçudnimi i qëllimshëm i shprehjeve normale të demokracisë së brendshme në debate të natyrshme brenda nesh nga ana tjetër, përmes titujsh mëngjesi e shërbimesh “katering” që ushqejnë publikun nga burimet e kontrolluara pushtetërisht të medias së kapur, janë sot një e përditshme e shpifur. Nëse zërave të lartpërmendur s’kemi arsye të mendojmë çfarë t’u bëjmë pasi s’vijnë nga gjiri ynë, sigurisht që do të bëjmë bashkarisht më të mirën për të fokusuar komunikimin tonë me njerëzit tek çështjet me interes publik. Sa për dallimet “ideologjike” mes forcave të Aleancës sonë për të Ardhmen, ato mbeten në thonjëza sepse alternativa që vendi do prej nesh nuk është ideologjike, po pragmatiste, një alternativë zgjidhjesh për problemet e rënda të vendit dhe jo dogmash që kanë vdekur bashkë me ideologjitë. Ky është një debat i thellë që do ta bëjmë duke dëgjuar e mirëkuptuar njëri-tjetrin, por le ta themi qysh sot se pikënisja është domosdoshmëria që Shqipërinë, nga vendi më i padrejtë i Europës, ta bëjmë një shoqëri të drejtë në çdo drejtim.

Pse zoti Rama, zërat e Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit, dy sekretarë ende në detyrë të Partisë Socialiste, nuk vijnë nga gjiri juaj?

Është e vërtetë që të dy kanë ikur nga Partia Socialiste duke marrë me vete edhe “vulën”, gjë që sigurisht përbën një anomali serioze për momentin. Por është po kaq e vërtetë se, me vullnet të lirë, ata kanë bërë zgjedhjen e tyre, duke braktisur detyrën dhe duke u ndarë nga grupi parlamentar. Në zgjedhjet e reja të forumeve drejtuese të Partisë Socialiste, sigurisht që edhe “vula” do të vihet në vendin e vet.

Le të kthehemi pak tek Tirana zoti Rama, për t’ju pyetur fillimisht sa mendoni se do të ndikojë lënia e karriges së kryetarit të bashkisë në punën tuaj si kryetar i Partisë Socialiste?

Për t’i bërë siç duhet të dy detyrat i kam gjetur orët duke fjetur shumë vonë dhe duke u zgjuar shumë herët. Nuk kam ndërmend t’i shkurtoj orët e punës, kështu që vetiu kjo do të ndikojë në kuptimin që do t’i përkushtohem me të gjitha energjitë dhe forcat detyrës së vetme që kam.

Po atyre që prisnin një reagim tjetër nga ju, janë të shumtë lexuesit tanë që shkruajnë se opozita duhet të përdorte forcën e rrugës, jo rrugën ligjore pas 14 majit, madje duke e braktisur përfundimisht edhe parlamentin, si i përgjigjeni?

Të gjithë e dinë se ne e fituam edhe betejën e Tiranës, siç fituam në dy të tretat e territorit të Shqipërisë, praktikisht Shqipëria që paguan taksa votoi për ne sepse do shtet, do drejtësi, do liri e të drejta demokratike dhe ekonomike. Grabitja e mandatit tonë për të qeverisur Tiranën do të justifikonte padyshim çdo qëndrim radikal. Por radikalizimi i menjëhershëm i veprimit tonë, në kushtet e asaj grabitjeje spektakolare, me pasojat e pashmangshme sociale që do të kishte, nuk do të justifikonte dot as shpresën dhe as pritshmërinë e shqiptarëve për të jetuar në një Shqipëri më të mirë. Unë e mirëkuptoj të gjithë dëshpërimin e njerëzve të revoltuar nga padrejtësia e hapur që u bë në këto zgjedhje, por çdokush duhet ta kuptojë se vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur.

Po si mund të ikë Berisha?

Saliu do iki ashtu siç kanë ikur burra shumë më të zotë se ai, tamam kur kanë kujtuar se kontrollojnë gjithçka.

Kjo do të thotë se opozita nuk do të vazhdojë më tej me protesta?

Aspak, përkundrazi. Opozita pa protestën nuk është opozitë!

E meqë jemi tek protestat, lejomëni t’ju pyes lidhur me një rrëfim të ambasadorit amerikan, i cili para pak kohësh tha se këmbëngulja për të anuluar demonstratën tuaj të pas 21 janarit lidhej me kërcënimin e jetës suaj! A mund të tregoni diçka më shumë për këtë histori, sesa çka është thënë në media gjatë atyre ditëve kur ambasadori Arvizu u tregua publikisht i ashpër me ju?

Nuk dëshiroj të tregoj detaje për këtë. Ambasadori ka thënë të vërtetën. Po, ka pasur një kërcënim serioz dhe kërkesa e tij, e jo vetëm e tij, ka qenë këmbëngulëse dhe plotësisht qëllimmirë. Fatkeqësisht unë nuk mund ta përmbushja atë kërkesë pavarësisht se ajo që mund të ndodhte mund të sillte jo vetëm eliminimin tim fizik, po edhe shpërthimin e një konflikti civil. Tërheqja nga demonstrata e pas 21 janarit do ishte fundi i opozitës për kushedi sa kohë.

Ju e përkujtuat 21 janarin edhe pak ditë më parë, por ndërkohë duket se ndërkombëtarët e kanë harruar 21 janarin, ndërsa prokuroria e ka kthyer dosjen e asaj tragjedie në një proces ku përsëri s’ka gjasë të dënohet asnjë përgjegjës me pushtet apo uniformë shtetërore…

21 janari është nga ato plagë që nuk mbyllen pa drejtësi në trupin e një vendi. Por padyshim drejtësinë për 21 janarin s’mund ta japë një drejtësi e vdekur që kalbet para syve tanë si një kufomë e mbuluar nga zogj të babëzitur.

Reflektimi

Reflektimi mbi çka nuk shkon dhe marrja përsipër e një gabimi të bërë s’është dobësi, po domosdoshmëri kur ke përsipër një përgjegjësi të çfarëdo natyre, familjare apo publike. Aq më tepër në rolin e një përfaqësuesi ose lideri politik s’duhet harruar asnjëherë ajo fjala e mençur, “Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore”.

Prioritetet

Çështjet shqetësuese që shtron qartë dhe objektivisht komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Europian në prioritetet e nënvizuara vijimësisht për Shqipërinë, nuk janë një meny ku Saliu mund të zgjedhë thjesht atë që preferon sipas oreksit të tij. Ne jemi të painteresuar për një proces arnimesh në një ligj këtu e një ligj tjetër atje.

Dialogu

S’ka dialog për dialog, aq më tepër me Saliun! Dialogu është një proces që duhet ndërtuar mbi një hartë bashkëbisedimi me teza të renditura qartë. Dhe në rastin e Shqipërisë, ku dhunuesi i rregullave të lojës është edhe arbitër, dialogu duhet garantuar medoemos nga komuniteti ndërkombëtar.

Radikalizimi

Grabitja e mandatit tonë për të qeverisur Tiranën do të justifikonte padyshim çdo qëndrim radikal. Por radikalizimi i menjëhershëm i veprimit tonë, në kushtet e asaj grabitjeje spektakolare, me pasojat e pashmangshme sociale që do të kishte, nuk do të justifikonte dot as shpresën dhe as pritshmërinë e shqiptarëve për të jetuar në një Shqipëri më të mirë.

KOMENTE