English

Hakerët serbë sulmojnë portalin “Adem Jashari” dhe “Gjuha Shqipe”

Prishtinë, 30 Korrik 2011 NOA - Hakerët serbë përmes sulmeve të dhjetëfishuara kanë sulmuar portalin “Adem Jashari dhe portalin “Gjuha Shqipe”. Edhe pse këto sulme ishin shumë të sofistikuara kompania softuerike që është partnere e Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP) e që merret me mirëmbajtjen e këtyre portaleve deri më tani me sukses i kanë mposhtur hakerët serbë.

Drejtori i QEP-it Lulëzim Shishani, tha përmes një komunikate që shpërndau për mediat se për orë të tëra po luftohet për mbrojtjen e këtyre dy portaleve dhe se sulmet ndaj këtyre portaleve janë duke u bërë me mjete shumë të sofistikuara.

“Për më shumë se 12 orë luftohet në mbrojtjen e këtyre dy portaleve të sulmuara vazhdimisht nga hakerët serbë. Kësaj radhe sulmet ishin të dhjetëfishuara dhe shumë më të sofistikuara”, tha Shishani.

Ai tha se rregullisht ka sulme dhe përpjekje për të marrë këto dy portale nën kontroll nga hakerët serbë dhe se mbi 90% e këtyre sulmeve vijnë nga territori i Serbisë.

“E veçanta e kësaj situate është kalimi në sulme të sofistikuara dhe me pajisje shumë të fuqishme. Ne dyshojmë për ndihmën nga institucione qeveritare të Serbisë, ose lejimin e përdorimit të pajisjeve dhe kapaciteteve shtetërore për këto sulme. Ne kemi marrë të gjitha masat teknike që varen nga ne. Inxhinierët tanë janë shumë të mirë në këto punë, megjithatë, teknologjia jonë nuk është aq e avancuar për të garantuar 100% sigurinë e portalit “Adem Jashari”. Ne do të punojmë me angazhimin më të madh për të mbrojtur këto portale. Për ne është shumë e rëndësishme që portali “Adem Jashari” të mos bije në duart e serbëve dhe nëse kjo ndodh, do të ishte fyerje e madhe për ne, për shkak të simbolikës”, u shpreh Shishani.

a.b/NOA

KOMENTE