English

Muaji i Ramazanit, Presidenti uron besimtarët: Ju qoftë i lehtë agjërimi

Tiranë, 31 gusht 2011, NOA – Në vigjilje të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, i cili nis agimin e 1 gushtit, Presidenti i Republikës Bamir Topi i uroi besimtarët myslimanë shqiptarë nisjen e muajit të Shenjtë dhe agjërim të mbarë. Përmes një mesazhi Kreu i Shtetit u uron të gjithë besimtarëve mylimanë shqiptarë këndej e andej kufijve një agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre.

Kryetari i Shtetit shprehet se gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit solidariteti dhe mirësia njerëzore arrijnë kulmin e tyre, duke i bërë të gjithë njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin për të ndarë jo vetëm gëzimin e besimin në vlerat fetare e njerëzore, por edhe për të kremtuar festat së bashku, pavarësisht besimeve të ndryshme.

“Muaji i Ramazanit është një provë e vetëpastrimit shpirtëror e një dëshmi e përkushtimit të pastër e të vërtetë ndaj fesë islame kur ju nxirrni edhe më në pah vlerat më të spikatura njerëzore të mirësisë dhe përkrahjes, dashurisë dhe sakrificës për të afërmit e për të gjithë njerëzit në nevojë. Toleranca dhe harmonia fetare, bashkëjetesa paqësore mes feve e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë në botë të këtyre vlerave sa njerëzore dhe shpirtërore”, shkruan Presidenti në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë shqiptarë.

Presidenti thekson më tej se janë pikërisht vlerat e tolerancës, harmonisë fetare e bashkëjetesës që konsolidojnë besimin e shoqërisë sonë tek një e ardhme e sigurtë për të gjithë kombin.

Në fund të mesazhit të tij Presidenti i uron të gjithë besimtarët myslimanë, të cilët do të agjërojnë për 30 ditë rresht në këto ditë të nxehta gushti me fjalët: “Qoftë i lehtë për ju ky muaj agjërimi! Zoti ju ndihmoftë në këtë ritual të shenjtë dhe ju dhëntë shëndet, forcë e besim për ta përmbushur më së miri atë! Ju uroj nga zemra lumturi dhe begati në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës.

mit/NOA

KOMENTE