English

Thaçi: Nuk ka kthim mbrapa për veriun

Prishtinë, 3 gusht 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë deklaroi se, Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qëndrime unike për veriun e vendit duke theksuar se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut.

Më tej ai ka njohur kabinetin qeveritar për zhvillimet e fundit në angazhimet për të vënë sundimin ligjit dhe rendit në tërë territorin e Kosovës.

“Ajo gjendje është e pakthyeshme dhe definitivisht do të kemi respektim të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, me ndërprerje të plotë të kontrabandës. Ky është një qëndrim shumë i avancuar, një qëndrim që kërkon natyrisht vazhdimin e angazhimeve tona të mëtutjeshme, në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës”, u shpreh Thaçi teksa shtoi se “kemi edhe konfirmimin edhe zyrtar nga deklarimet dhe qëndrimet e shefit të EULEX-it se EULEX do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe do të veprojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq kreu i qeverisë së Kosovës tha se, vendimi për të futur në kontroll vendkalimet kufitare në veri të vendit ka qenë i vonuar dhe të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë janë të befasuar se pse nuk është vepruar tash e 12 vjet nga ana e institucioneve të Kosovës, ndërsa e cilësoi veprimin të vonuar, ai ka thënë se është shumë i drejtë.

Kryeministri Thaçi gjithashtu theksoi se edhe Beogradi ka qenë i informuar se Prishtina do të marrë vendim për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.

“Beogradi e di se Kosova është vend sovran, është vend i pavarur. Kështu që vendimet tona kanë qenë kushtetuese, ligjore, të drejta dhe janë të pakthyeshme. Tani kërkohet vetëm implementimi i gjendjes së plotë kushtetuese dhe ligjore. Kur theksoj Beogradi ka qenë i informuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e theksoj se të gjithë e kanë ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të tolerojë më tutje kontrabandën, krimin, grupet paramilitare, MUP-in serb, në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas tij, për fat të keq zyrtarët serbë ende po futen në mënyrë klandestine, dhe janë të vetmit në Evropë që lëvizin në mënyrë të tillë.

Më tej ai vijoi duke thënë se, “Shteti i Kosovës vazhdon me këmbëngulje dhe me argumente të mbajë përgjegjës direkt këta zyrtarë të Beogradit për tensionin dhe dhunën në veri. Ata janë të lidhur ngushtë me kontrabandistët në veri, ata janë duke i inspiruar bllokuesit e rrugëve, dhe qëndrojnë shpeshherë në mesin dhe në ballë të këtyre barrikaduesve. Ata shihen të shoqëruar dhe të mbrojtur nga njerëz paramilitarë të armatosur. Prandaj shteti i Kosovës këta zyrtarë i vlerëson si cenues të të drejtave të njeriut. Ata po mashtrojnë, po paguajnë gra e fëmijë për të qëndruar në barrikada”.

a.y/NOA

KOMENTE