English

Ps zbardh takimin Rama – Niebel: U fol për demokracinë

Tiranë, 4 gusht 2011, NOA – Pak minuta pas konferencës për shtyp të ministrit gjerman të ekonomisë, Dirk Niebel, zyra e shtypit e PS-së ka zbardhur takimin që kryetari Rama pati pasdite me politikanin gjerman.

Sipas njoftimit shpërndarë mediave, në takim u fol për situatën politike në Shqipëri, për sfidat që shoqërojnë vendin në rrugën drejt integrimit europian, për ndihmën dhe asistencën e Gjermanisë si një ndër partnerët kryesor në rrugën e zhvillimit dhe demokratizimit.

Kryetari i PS, Edi Rama, falenderoi qeverinë gjermane për gjithë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e zhvillimit dhe e konsideroi të domosdoshëm intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Gjithashtu Rama bëri një ekspoze të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke bërë të njohur qëndrimin e PS në lidhje me situatën aktuale. Një tjetër pikë për të cilën u fol në takim ishte demokracia në vendin tonë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Ministri Niebel, nga ana e tij shprehu interes mbi pikëpamjet e opozitës për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit, si dhe hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e zhvillimit europian.

“Më pas kryetari i PS, Edi Rama shkëmbeu pikëpamjet e PS me deputetët e Bundestagut Gjerman, që merrnin pjesë në takim. Takimi zgjati për më shumë se një orë dhe të pranishëm ishin Mimi Kodheli dhe Dimtmir Bushati, deputetë të PS”, përfundon deklarata zyrtare e selisë rozë.

a.q/NOA

KOMENTE