Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Marrëveshja për Veriun, Thaçi: Ndarja, nuk është më as ëndërr për Beogradin
English

Marrëveshja për Veriun, Thaçi: Ndarja, nuk është më as ëndërr për Beogradin

Prishtinë, 6 gusht 2011, NOA/ Evropa e lirë - “Me pajtueshmërinë e arritur dje, kemi arritur tri objektiva: respektimin e plotë të reciprocitetit, ndaljen e plotë të kontrabandës dhe vënien nën kontroll të plotë të territorit të Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri Hashim Thaçi, për të shtuar se ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të vitit 1999, ndodhi në korrik të vitit 2011. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Thaçi është zotuar se në veri do të sundojë rendi dhe ligji dhe se për këtë ka mbështetjen ndërkombëtare. Ai tha se pas 25 korrikut, ëndrra e Serbisë për ndarjen e Kosovës është shuar. Zoti kryeministër, një ditë më parë bëtë publik pajtimin për situatën në veri, duke thënë se do të ruhet gjendja e krijuar pas 25 korrikut. Por, parakushti për heqjen e barrikadave në veri nuk është përmbushur ende. Sa do të gjejë zbatim në praktikë?

Qeveria e Republikës së Kosovës ka prezantuar qëndrimet e veta në mirëkuptimin e përbashkët me NATO-n, për çka jemi pajtuar në angazhimet tona që do të nënkuptojnë zhbllokimin e rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31 – pra, largimi i të gjitha barrikadave, e pastaj mbajtja e gjendjes së tanishme në pikat 1 dhe 31.

Në pikën 1 është instaluar KFOR-i amerikan, ndërsa në pikën 31 janë trupat e KFOR-it, Policia e Kosovës, doganierët e Kosovës. Këto dy pika do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura, pasi që janë zona të kufizuara ushtarake – kjo, për shkaqe sigurie.

Sa u përket ndihmave humanitare, tani do të lejohen të futen në pikat e lartpërmendura, vetëm pasi të konstatohet nga një organizatë e pavarur ndërkombëtare se ka nevojë për diçka të tillë. E, tani për tani, nuk ka ndonjë krizë dhe nuk është politika dhe politikanët ata që konstatojnë diçka të tillë. Ishte një pretendim i Beogradit për një rrethanë të tillë, por tashmë është tejkaluar.

Mallrat, sa i përket Kishës Ortodokse Serbe, do të lejohen për nevojat e tyre ekzistenciale. Çka është shumë me rëndësi, është se çdo person që do të mund të kalojë kufirin, do të kontrollohet për armë dhe çdo person tani e tutje do të kalojë kufirin me kartë të identitetit.

Për herë të parë pas 12 vjetësh, treni që qarkullon në relacionin Mitrovicë-Beograd dhe anasjelltas do të kontrollohet nga Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it, e përforcuar nga NATO-ja.

Gjithashtu theksoj se për herë të parë do të bllokohen dhe në rrethana të caktuara do të kontrollohen edhe rrugët dytësore nga KFOR-i, për të evituar çdo lloj kontrabande apo trafiku.

Dua të theksoj se me vendimet e Republikës së Kosovës për reciprocitet me Serbinë kemi arritur tri objektiva: respektimin e plotë të reciprocitetit, ndaljen e plotë të kontrabandës dhe vënien nën kontroll të plotë të territorit të Republikës së Kosovës. Pra, ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të vitit 1999, ndodhi në korrik të vitit 2011.

Kjo pajtueshmëri është thënë se vlen deri më 15 shtator. Çka do të ndodhë pas kësaj date? Ne jemi duke përcjellë situatën nga afër. E para është, do të thotë, krijimi i rrethanave të favorshme të ambientit të sigurisë për të gjithë qytetarët.

Vendimet tona nuk kanë qenë të drejtuara kundër askujt, kanë qenë vendime në interesin e të gjithë qytetarëve, qytetarëve serbë që jetojnë në atë pjesë - nuk janë kundër rendit dhe ligjit.

Këta qytetarë janë mbajtur për 12 vjet peng të strukturave kriminale. Këto struktura tani do të ballafaqohen me drejtësinë, do të ballafaqohen me rendin dhe ligjin. Prandaj, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n.

Plani i paraqitur dje ka për synim futjen nën kontroll të kufirit. Por, keni ndonjë plan konkret se si do t’i zhbëni strukturat paralele, të cilat vazhdojnë të kenë ndikim mbi popullatën atje? Unë nuk do të thosha struktura paralele. Do t’i vlerësoja dhe, tani kemi fakte të plota, se ato janë struktura kriminale që duhet të ballafaqohen me rendin dhe ligjin.

Nuk do ta kenë komoditetin që e kanë pasur më herët, për çka ne mbajmë përgjegjës direkt Beogradin, për mbështetje dhe inspirim të këtyre strukturave kriminale. Ne mbajmë përgjegjës Beogradin edhe për djegien e pikës doganore, por edhe për vrasjen e policit të Kosovës dhe veprime të tjera të dhunshme.

Pra, angazhimet tona do të jenë të harmonizuara me komunitetin ndërkombëtar. Është shumë me rëndësi që për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, tani i gjithë faktori ndërkombëtar është unik, edhe SHBA-ja, edhe BE-ja, por edhe NATO-ja.

A do ta keni ndihmën e EULEX-it? Dihet se keni qenë mjaft kritik ndaj këtij misioni pasi ndërmorët aksionin në veri... Ne duam një EULEX që do të ketë sukses dhe ky sukses do të varet nga bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës.

Dua t’i besoj zotimit të shefit të EULEX-it, zotit Marnak, i cili ditë më parë deklaroi se EULEX-i do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ky angazhim i përbashkët do të mund të forcohet në të ardhmen.

Zoti kryeministër, vazhdimi i bisedimeve është paralajmëruar në muajin shtator. A do t’i vazhdojë Qeveria e Kosovës bisedimet pas gjendjes së krijuar, kur ju vetë thoni se politika e Beogradit qëndron pas dhunës në veri?

Duhet bërë dallimin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe agjendës së përcaktuar nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga SHBA-ja, dhe zhvillimeve në veri.

Tani kemi një rrethanë të re, një situatë të re, një kapitull të ri, i cili nuk do të ketë në asnjë rrethanë kthim mbrapa. Për Kosovën nuk do të ketë rikthim në gjendjen e para 25 korrikut, do të ketë vetëm ecje përpara.

Angazhimet tona do të jenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar dhe për rregullimin tonë të brendshëm do ta respektojmë vetëm Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe nuk do të dialogojmë apo negociojmë me askënd.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në veri, edhe më tej qarkullojnë deklarata në opinion për rrezikun nga ndarja eventuale e veriut. Madje, edhe një ministër i qeverisë suaj e ka ngritur këtë shqetësim. A ka arsye për shqetësime? Kosova nuk do të ndahet, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, as de facto, as de jure. Kosova do ta ushtrojë autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor në tërë territorin e Republikës.

Ne kemi theksuar më herët se ka pasur qëllime dhe pretendime të Beogradit për ndarje, por tani kjo gjë, pas krijimit të rrethanave të reja, nuk do të mund të jetë as ëndërr e Beogradit.

Prandaj, Kosova nuk mund të ndahet. Ne jemi për hapje të kufijve, për mosndryshim të tyre, për kufij evropianë, por pretendimet e mëhershme që kanë qenë, natyrisht edhe shpirti për ndarje, shpirti pretendues politik i Beogradit për ndarje, kanë dështuar.

Askush nuk pajtohet me atë ëndërr të Beogradit dhe Kosova nuk ka rrezik për ndarje. Çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Mitrovicës, nënkupton ndryshim të kufijve për gjithë rajonin.

Keni thënë dje se me planin është qartësuar perspektiva evropiane e Kosovës. Keni vërejtur ndonjë ndryshim të qasjes së BE-së, meqë edhe ju vetë keni qenë kritik për qasjen që ka pasur Unioni karshi Prishtinës zyrtare... Natyrisht se vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë qenë vendime të modelit evropian për vënien e ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe jo dorëzimin para strukturave kriminale.

Bashkimi Evropian përkrah vënien e kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ne mund të afrohemi në BE vetëm duke penguar dhe luftuar strukturat kriminale, duke penguar dhe luftuar kontrabandën, por edhe duke vënë rend dhe ligj.

Ne po implementojmë dokumente dhe kritere demokratike, të domosdoshme për integrim. Pra, kritere legjislative, ekonomike dhe politike. Edhe këto vendime për ligjshmëri në gjithë territorin e Republikës së Kosovës nga Qeveria e Kosovës do të ndihmojnë në përshpejtimin dhe qartësimin e agjendës evropiane për Republikën e Kosovës, për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe marrëdhëniet tregtare.

a.q/NOA

KOMENTE