Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Opozitë e verës? Apo, opozitë e të gjitha stinëve?
English

Opozitë e verës? Apo, opozitë e të gjitha stinëve?

Nga Mustafa Nano

Ka humbur Edi Rama. Ka javë të tëra që nuk është bërë i gjallë për publikun. Personalisht, me ca empathi, edhe mund ta kuptoj këtë arratisje personale; ia morën Tiranën kaçakçe, sy për sy, në sytë e të gjithëve, dhe afërmendsh, pas një ngjarjeje të tillë, shumëkujt në vend të tij do t’i duhej ca kohë të merrte veten. E në këtë kuptim, e keqja nuk është këtu. Pastaj, është dhe stina e verës. Ca relaks pas një traume kësodore do të ishte shumë e kuptueshme dhe shumë e këshillueshme, ndërkohë që politika, kudo në botë, funksionon me axhendë të lehtësuar, në regjimin e “gjërave të domosdoshme”.

Atëherë? Atëherë problemi nuk qëndron domosdoshmërish tek arratia e përkohshme e leader-it të opozitës. Problemi qëndron tek arratia e opozitës. Rama ka ikur, duke marrë edhe opozitën me vete. Nuk flet askush në emër të tij e në vend të tij. Praktikisht, në Shqipërinë e këtyre kohëve janë bërë të gjallë të gjithë, me përjashtim të opozitës.

Shyqyr që është verë, duhet thënë? Por prapëseprapë, na duhet opozita. Dikush duhet ta përfaqësojë atë. Dikush duhet ta thotë të vetën lidhur me “gjërat e domosdoshme” dhe me emergjencat e verës. Dikush duhet të luajë në anën tjetër të peshores. Dikush duhet të thotë, që “opozita mendon kështu” lidhur me të gjitha çështjet që janë shtruar për debat publik e lidhur me të gjitha paudhësitë e mazhorancës, që ka pushtuar të gjithë hapësirën.

Ja disa çështje, për të cilat opozita nuk ka folur e do duhej të fliste. Se s’bën. Shumica parlamentare manipuloi votimin në momentin e miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë. Nuk bëhej kuorumi, por dikush, me urdhër, votoi në emër të deputetëve që mungonin, dhe projektligji u bë ligj. Kjo gjë u denoncua, por nga media e nga ata që e gjykojnë ligjin problematik. Opozita bëri një belbëzim me gojën e një deputeti, dhe kaq.

Vijmë tek vetë ligji tani. Ka një debat të madh që ka nisur prej kohësh lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë. Promotor është bërë zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili po i prin një aleance të pagëzuar “Kuqezi”. Po flasin për një ligj që, sipas tyre, ka konsekuenca, në mos edhe synime, antikombëtare. Qeveria është pjesë e debatit, i cili, nga momenti që në lojë u fut Berisha, po dominohet nga tone të egra. Momentalisht kemi një konflikt të fortë presidencë-qeveri. Nuk është se s’e kemi pasur këtë konflikt, por tani, për shkak të këtij argumenti, ka marrë trajtën e një lufte civile në botën e institucioneve. Dhe opozita nuk ka folur ndonjë fjalë as për ligjin, as për kacafytjen midis presidentit e kryeministrit.

Tjetër? Ngjarja më e madhe e këtyre ditëve është greva e urisë e minatorëve brenda në galeri, qindra metra poshtë sipërfaqes së tokës, mbi të cilën ne të tjerët vazhdojmë jetën tonë normalisht; hamë, pimë, shkruajmë, bëjmë sehir, bëjmë qejf, shohim TV, lexojmë gazetat, fitojmë lekë, vjedhim, tradhtojmë, rrihemi, festojmë, zdërhallemi plazheve, shpifim, shajmë, provokojmë, gajasemi, dendemi me alkool etj., etj. Tok me ne, edhe opozita. Të gjithë ne të tjerët, që kemi një zë publik, e kemi gjetur një parantezë impenjative mes harbimit të stinës për ta thënë një fjalë për minatorët në zgrip të jetës. Ndërsa opozita nuk është bërë e gjallë. Në këtë pikë, ka imituar sjelljen e qeverisë. Veçse kësaj të fundit ia do puna të heshtë, ndërsa opozitës ia do puna të flasë. E nuk ka folur.

Ka më. Për disa ditë rresht u fol për një arritje të qeverisë në fushën e investimeve të huaja direkte, e cila u konfirmua edhe nga zyra e OKB-së në Tiranë. Na la pak gojëhapur kjo deklaratë. Një pjesë prej nesh e shprehën që mbetën të befasuar, aq sa bënë dhe Berishën të ripërsëriste mburrjet mbi këtë temë. Por opozita nuk bëzajti. Mund të mendohet se s’kanë pasur ç’të thonë, pasi kjo arritje është reale, por nuk është kështu. Kam folur me njerëz të opozitës, dhe kanë plot objeksione ndaj këtij pretendimi. Nuk i bëjnë publike objeksionet, pasi nuk ka asnjë aktivizëm opozitar ku objeksione e kritika të tilla ndaj mazhorancës të inkorporohen; nuk ka asnjë motivim opozitar, gjithashtu.

Dhe në fund, janë zërat nga brenda opozitës, të cilët ose duan largimin e Ramës, ose duan një qasje radikale nga ana e tij. Askush nuk u përgjigjet këtyre zërave. Do ishte rast i mirë për të bërë një debat në radhët e opozitës, por Rama ka zgjedhur t’i shpërfillë këta zëra, ashtu siç ka zgjedhur të mos bëjë opozitë. Deri kur? “Deri në shtator”, thonë. “Po rikuperon forcat e qetësinë e nevojshme, dhe në shtator do t’u përvishet punëve”.

Unë kam frikë se nuk po rikuperon asgjë. Ai thjesht po pushon. Ai thjesht s’po e vë ujin në zjarr. Kush do të dijë se ç’opozitë do të kemi deri në zgjedhjet e vitit 2013, ia them unë: “Do të kemi një opozitë hiq e mos këput; Rama do të presë zgjedhjet mes një pasiviteti të plotë, me shpresën se shqiptarëve, kur të vijë dita e votimit, do t’u ketë ardhur aq shumë në majë të hundës me Berishën, sa do të votojnë në masë kundër tij; do të votojnë aq shumë kundër Berishës, sa këtij s’kanë për t’i hyrë në punë gjykatat e Tomave, KQZ-ërat e Ristanëve e vjedhja e votave”.

Mirëpo, me këtë lloj opozite, Berisha nuk ka fare nevojë të mendojë për manipulime. Me këtë lloj opozite, ai mund të bëjë dhe tre Gërdecë të tjerë, e prapëseprapë ka për t’i fituar zgjedhjet. Kur s’ka opozitë, tjetri fiton vetvetiu.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE