English

PDIU: Veriu i Kosovës, çështje mbarëkombëtare

Tiranë, 8 gusht 2011, NOA - Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkrah pa rezerva marrëveshjen e arritur ndërmjet forcave të KFOR-it dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për pikat doganore në pjesën veriore të shtetit.

Kjo marrëveshje sipas PDIU-së përbën hapin e parë të domosdoshëm drejt vendosjes së sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.

Njëkohësisht, PDIU dënon çdo propozim dhe ide për dhënien e një statusi special për veriun e Kosovës, si një propozim që do të ringjallte konfliktet e vjetra në Ballkan dhe që nuk i shërben të ardhmes evropiane të rajonit.

“Çështja e pjesës veriore të Kosovës, nuk është një çështje që i takon vetëm Kosovës, por i takon mbarë kombit shqiptar. Si pasojë, çdo tentativë për një status special për veriun e Kosovës do të përballet me një reagim mbarëkombëtar” tha Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në PDIU, Ardit Bido.

PDIU ripërsëriti thirrjen ndaj Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për nisjen e bashkimit ekonomik mes dy vendeve.

“Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që dy tregjet të integrohen, duke fuqizuar në këtë mënyrë ekonominë në të dyja vendet dhe duke arritur një kohezion të domosdoshëm kombëtar”, nënvizoi Bidon ë emër të PDIU-së.

mit/NOA

KOMENTE