English

Biznesi thirrje qeverisë: Na mbroni pronat

Tiranë, 10 gusht 2011, NOA - Alb Konfindustria i kërkon nga institucioneve shtetërore ndërhyrjen e menjëhershme në zbatim dhe me forcën e ligjit për situatën në Bulqizë.

Në deklaratën zyrtare Alb Konfindustria e quan krejtësisht të paarsyeshme mosveprimin e deritashëm të institucioneve shtetërore për mbrojtjen e një prej pasurive kombëtare më të mëdha të Shqipërisë sikurse është minerali i kromit si edhe njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave ligjore të koncesionarit privat.

“Mosveprimi i tejzgjatur i institucioneve përgjegjëse është goditje e drejtpërdrejtë në ndalimin sidomos të investimeve të huaja, aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit, duke u dhene shenjen e një shteti, që gjallon vetëm në letër dhe të paaftë të garantoj investimet e kryera nga biznesi”, thekson deklarata.

Sipas drejtuesve te Alb Konfindustria nëse nuk do të veprohet me vendosmëri dhe qëndrueshmëri rasti i Bulqizes do të ishte një precedent shumë i rëndë për marrëdhëniet punedhënës-punëmarrës në gjithë Shqipërinë me pasoja të pallogaritshme ekonomike, sidomos në kushtet e vazhdimit të krizës së tejzgjatur globale deri dhe në kërcënimin e qëndrueshmërisë shoqërore të vendit.

“Al Konfindustria duke respektuar plotësisht si të ligjshme kërkesat e punëmarrësve të minierës së Bulqizës për pagë dhe kushte më të mira pune, njëkohësisht kundërshton vendosmërisht -vendin e zgjedhur, -mënyrat dhe -mjetet me të cilat kërkojnë, që të arrijnë kërkesat e tyre grevistët. Eshtë e papranueshme, që të zgjidhen si vend i greves së urisë galeritë e minierës, duke bllokuar krejtësisht punën me pasoja të pallogaritshme financiare si edhe kërcënimet për shkatërrimin e minierës së Bulqizës, që është një prej pasurive kombëtare më të mëdha të vendit pronë e të gjithë shqiptarëve. Rivendosja e rendit të shkelur publik duhet të kryhet me vendosmëri dhe sa më shpejt”, përfundon qëndrimi zyrtar i Konfindrustria-s.

a.q/NOA

KOMENTE