English

Flet Haliti: Statusi i veriut, paralajmërim nga ndërkombëtarët

Prishtinë, 12 gusht 2011, NOA - Udhëheqësi i përkohshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, konsideron se ndërhyrja e policisë për ta rikthyer kontrollin kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak ka bërë që Kosovës t’i vijë vërtet era shtet. Ai pranon se Kuvendi ka patur informacione se strukturat paralele serbe do të sulmonin njësitet e policisë speciale posa të futeshin në veri, por nuk shpjegon pse uniformat blu hynë në atë zonë pa logjistikë mbrojtëse.

Megjithatë Haliti thotë se ndërkombëtarët po japin sinjale se dhënia e një statusi special të administruar nga Kosova do të ishte zgjidhje e problemit të veriut.

Nisur nga kjo, ai e sheh tepër të nevojshme që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të të dalin me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje, pasi vetëm në atë mënyrë, sipas tij, zgjidhja e problemit të veriut do të bëhej më e lehtë.

Në intervistën për “Kohën Ditore”, Haliti shprehet i bindur se Kuvendi, edhe pse është në “pushim të përgjysmuar” ka qenë dhe është i gatshëm të mblidhet kurdo që kryeministri Hashim Thaçi do ta kërkonte një gjë të tillë.

Rrjedhimisht, sipas tij, Kuvendi nuk është bërë pengesë për veprimet politike dhe ekzekutive të Thaçit, ani pse shefi i Qeverisë i ka kritikuar deputetët, se nuk kanë marrë shembull nga kolegët në Serbi, për të qenë në detyrë në situata jo shpesh të përsëritshme, siç ka qenë ajo e 25 korrikut.

“Ne jemi shkëputur prej Serbisë dhe absolutisht mua nuk më intereson se çka bën Serbia me institucionet e veta”, i është përgjigjur kësaj kritike Haliti.

Si deputet i katër legjislaturave, ai ka bindjen se në Kuvend është trashëguar një lloj komoditeti dhe mospune e përmasave qysh punojnë parlamentet e tjera, por beson se në të ardhmen do të tejkalohen disa procedura burokratike që parashihen me Rregullore të punës së Kuvendit, dhe ky organ do të bëhet më fleksibël në punën e tij.

Haliti ka paralajmëruar se vetëm më 29 gusht do të miratohen në procedurë të përshpejtuar 13 projektligje që kanë dalë si obligim nga Raporti i progresit i Komisionit Evropian.

I pyetur nëse është debatuar çështja e veriut në strukturat drejtuese të PDK-së, Haliti ka thënë se dihet publikisht se ne kemi pasur takime, por shumë çështje që i takojnë vetëm Qeverisë apo më mirë të themi kryeministrit i cili është në krye të operacioneve, nuk do me thënë se duhet të diskutohen edhe në parti. Mendoj se konspiracioni i nivelit të caktuar si ishte, ndikoi që veprimi i Qeverisë në veri të ishte i suksesshëm deri në njëfarë mase.

Për tendencat e Serbisë që veriu i Kosovës të bëhet pjesë e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, Haliti u shpreh se “Nuk jam prej atyre që flas me emocione. Ne e dimë sesi e kemi pasur gjendjen në Kosovë para lufte. Ne që kemi qenë në proces të bisedimeve qoftë me miq, qoftë me armiq të Kosovës, i dimë procedurat dhe proceset që janë zhvilluar. Por, duhet t’i dimë dhe t’i njohim edhe obligimet që i kemi në raport me atë që i thonë “ndërtimi i barazisë në Kosovë”, i një Kosove evropiane dhe jo i një Kosove ballkanike apo i një Kosove të kohës së shkuar”.

Kosova është një vend i vogël, tha ai.

“Është ndër vendet më të varfra në Evropë” dhe kur e them këtë nuk e them për ta ligështuar apo frikësuar dikë, por nëse i lexojmë mes rreshtave “deklaratat e qendrave të vendosjes na përkujtojnë se nuk do të ketë shkëputje të territorit të Kosovës, por duhet të ketë një zgjidhje të pranueshme për veriun e Mitrovicës”.

Lidhur me zgjidhjen e pranueshme, Haliti u përgjigj se nuk është pjesë e bisedimeve.

“Nuk jam pjesë e delegacionit të Kosovës dhe nuk kam marrë pjesë në negociata, por një lloj administrimi të veçantë që po e kërkojnë ata. Sepse ata provuan me atë Këshillin e komunave, provuan me besueshmërinë ose lojalitetin ndaj qeverisë së Serbisë dhe ndaj Tadiqit, ani se një pjesë e kundërshtoi atë. Edhe ata vetë nuk janë të qartë në atë se çka duan. Por unë mendoj se një zgjidhje e pranueshme, do të thosha, dhe e pamundshme që të shkëputet territori i Kosovës dhe t’i bashkohet Serbisë, sipas marrëveshjes së Ahtisaarit, duhet të bëhet. Ne e kemi marrëveshjen e Ahtisaarit, e cila shumë qartë e shpjegon se cilat duhet të jenë raportet qoftë me komunat e reja serbe që janë krijuar në Kosovë, qoftë me pjesën veriore. Duhet me qenë profet për me ditë se cila është karta e fundit që mund ta nxjerrin në bisedime me ndërkombëtarët. Sot, gjatë një bisede më një mik timin, po i tregoja për negociatat tona në Rambuje. Drafti i parë i marrëveshjes na bëri të gjithëve të pakënaqur. Edhe neve, edhe serbëve që rrinin në një pjesë tjetër, ndarë nga ne. U angazhuam të gjithë që ta ndryshojmë atë draft në interes të Kosovës. Dhe çfarë ndodhi. Drafti i dytë erdhi më i keq se i pari, sepse në të kishin dhënë vërejtjet e tyre edhe serbët. Kështu që u detyruam të pajtoheshim me draftin e tretë, të cilin miqtë e sollën. Tash në këtë kohë ne jemi më të fortë.

“E them këtë, sepse Kosova është shtet dhe është e lirë. Jemi të fortë, sepse edhe Evropa dhe Amerika janë të përkushtuara që ta zgjidhin problemin e Kosovës. Unë shpresoj dhe dua të besoj se për çështjen e Kosovës do të bashkohen Evropa dhe Amerika në një pikë të përbashkët për t’i dhënë zgjidhje edhe veriut”, tha Haliti.

“Nëse i lexojmë mes rreshtave deklaratat e protagonistëve kryesorë të këtyre çështjeve ose të çështjes së Mitrovicës, të çojnë në konkluzionin se duhet ta kemi një status të veçantë, s’po e quaj as autonom, as të shkëputur nga Kosova, por një status të cilin e administron Kosova. Është përmendur për shembull ajo autonomia e Tirolit Jugor dhe disa shembuj të tjerë. E kemi rastin e Belgjikës, ku jetojnë 30 mijë gjermanë që kanë një lloj autonomie në këtë shtet dhe e kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre edhe në parlament edhe kudo tjetër. Me një fjalë është popull konstituiv i vetë Belgjikës. Ka shembuj sa të duash në botë, por unë them se problemi më i madh i kësaj çështjeje është që ne duhet të kemi një qëndrim të përbashkët si kosovarë, nën një, dhe mbi të gjitha Evropa duhet ta ketë një qëndrim të përbashkët me Amerikën. Nëse ato kanë qëndrim të përbashkët, atëherë problemi do të zgjidhet më shpejt dhe zgjidhja do të jetë në interes të të gjithëve”, nënvizoi ai. Haliti ka thënë se dikush dëshiron që lumi Ibër të bëhet vërtet kufi qoftë edhe administrativ, porse këtë ai nuk e beson. Ndërkaq sa i përket mundësisë së shkëmbimit të territoreve, ka thënë se ka pasur edhe aso idesh, mirëpo logjikisht po të shikohet nëse ndryshojnë kufijtë në veri, atëherë do të krijohet një katrahurë, jo veç në Ballkan, por edhe do të krijohet një praktikë e ndryshimit të kufijve. Mund të ndodhin më pas lufta të reja në Ballkan nëse bashkësia ndërkombëtare bën një lëshim të tillë. Atëherë do të mund të kërkonte edhe dikush tjetër ndryshime të tilla. Por unë nuk e besoj se bashkësia ndërkombëtare, jo pse po dua të defaktorizoj Kosovën, por duke qenë realist në fuqinë që ka Kosova për të ndërmarrë veprime të pavarura, nuk do të lejojë diçka të tillë. Qeveria ka të drejtë të veprojë dhe veprimi i saj konsideroj se ka qenë shumë i guximshëm. Veprimi i KFOR-it, po ashtu, ka qenë në përputhje me situatat e krijuara dhe mendoj se ka qenë i favorshëm edhe për serbët e veriut, por edhe për interesat e Kosovës në përgjithësi. Në një formë janë ripozicionuar forcat e KFOR-it në pikat kufitare dhe kjo nuk është siç po e quajnë disa “pozitë e disfavorshme” për Kosovën, është shprehur Haliti për të përditshmen kosovare Koha Ditore.

KD/NOA

KOMENTE