English

OSBE/ODIHR: Kodi Zgjedhor pa procedurë për votat në kutitë e gabuara

Tiranë, 15 gusht 2011, NOA – Tre muaj pas zgjedhjeve administrative të 8 majit raporti final i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it i vlerëson ato si transparente dhe konkurruese.

Ashtu siç edhe pritej raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se është i paqartë ligjërisht vlerësimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara, sa i përket zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, që sipas raportit përshkallëzoi edhe mosmarrëveshjet mes opozitës dhe mazhorancës.

Këtu mbeten të paqarta për misionin e vëzhguesve edhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor që urdhëruan KQZ-në të numëronte si të vlefshme votat e hedhura gabimisht nga zgjedhësit në kutitë e tjera, vota që në fund të procesit sollën fitoren e kandidatit demokrat të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha ndaj rivalit të tij socialist, tre herë kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama.

Në këtë pikë raporti i misionit të vëzhguesve të drejtuar nga amerikani Jonathan Stonestreet vëren se Kodi Zgjedhor nuk ka proçedurë për votat në kutitë e gabuara.

Raporti i OSBE/ODIHR-it thekson se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe KZAZ-të nuk respektuan Kodin Zgjedhor, duke e tejzgjatur procesin zgjedhor, me vonesa të panevojshme.

Misioni vlerëson në raportin përfundimtar se edhe pse procesi zgjedhor i 8 majit ishte i qetë në tërësi dhe pozitiv gjatë tij u hasën probleme në 10 përqind të Qendrave të Votimit.

Sipas raportit procesi zgjedhor u karakterizua nga polarizimi mes qeverisë, për shkak të numërimit si të vlefshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara, duke theksuar dorazi se dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk përmbushën detyrimet për një proces me standarde.

Gjithashtu në raportin e OSBE/ODIHR-it nënvizohet se zgjedhjet ishin të mira në 384 qendra votimi.

Ndërkohë theksohet se është ushtruar presion ndaj administratës, ndërsa pjesëmarrja e grave ishte e ulët në zgjedhje.

mit/NOA

KOMENTE