Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Gjykimi i ODIHR dhe transparenca e Ramës
English

Gjykimi i ODIHR dhe transparenca e Ramës

Nga Oerd Bylykbashi

Tri ditë më parë, OSBE/ODIHR-i shpalli gjyki-min e tij të shumëpritur nga të gjithë për zgjedhjet e 8 majit. Dhe këtë e bëri me qartësi kristaline. Në 36 faqe të raportit të tij, ODIHR-i skanoi të gjithë procesin zgjedhor, ambientin politik rreth tij dhe i vulosi e certifikoi ato me dy fjalë të çmuara: konkurruese dhe transparente. Jo vetëm kaq, por ODIHR çmon zhvillimet pozitive në një sërë fushash si bazë për progres.

Pak me vonesë e i fshehur pas një letre të hapur reagoi më në fund edhe z. Rama. Që “në krye të herës”, siç i pëlqen të thotë, z. Rama thotë se raporti i OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë kurrë më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë. Është për t’u përshëndetur ky konkluzion i tij sepse, si rrallëherë, ai pohon një të vërtetë të padiskutueshme.

Por, po ta lexosh më tutje letrën e hapur, të vjen vetiu një pyetje: a e ka lexuar raportin z. Rama, apo nuk e ka kuptuar ç’do të thotë ODIHR-i me atë raport?!

Kurrë më parë, në këto 20 vite demokraci, një raport i ODIHR-it nuk i ka quajtur pa asnjë mëdyshje zgjedhjet shqiptare si kompetitive dhe transparente. Mjafton të njohësh abc-në e zgjedhjeve demokratike, pa pasur nevojë të jesh ekspert, për të kuptuar stadin e ri cilësor që shënuan zgjedhjet e 8 majit 2011. Kompetitiviteti, krahas lirisë së zgjedhjes, është një nga dy shtyllat mbajtëse të së drejtës së votës. Transparenca është ajo mbështjellësja mbrojtëse që sa më kristaline të jetë, aq më shumë e rrit besimin e të gjithëve në legjitimitetin e zgjedhjeve.

Kompetitiviteti i zgjedhjeve, si shtyllë kryesore e lirisë së zgjedhjeve, sanksionohet në dhjetëra nene të Kodit tonë Zgjedhor, që nga neni i parimeve deri në nenet e fundit të tij. Kodi ynë Zgjedhor, siç e dinë të gjithë tashmë e siç është pranuar edhe nga z. Rama, me gjithë nevojën për përmirësime, cilësohet nga OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias se përbën bazë të shëndoshë ligjore për zgjedhje demokratike.

Në rastin konkret, kompetitiviteti i zgjedhjeve të 8 majit, i shpallur nga raporti i OSBE/ODIHR-it, dëshmon se Kodi Zgjedhor, Kushtetuta e vendit, Karta e Kopenhagës dhe të gjitha angazhimet e tjera të OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, janë respektuar plotësisht. Kjo do të thotë se seria e gjatë e standardeve, që përfshijnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe numëruar vota e tyre, të drejtën e kandidatëve për t’u regjistruar dhe konkurruar lirisht, financimin e partive, fushatën zgjedhore të papenguar dhe me kushte të barabarta, pa ndërhyrje të administratës shtetërore dhe resurseve të saj, pluralitetin e mediave dhe përçimin e ofertave politike prej tyre, votimin e lirë, të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë dhe përcaktimin e rezultatit në përputhje me vullnetet e të gjithë zgjedhësve etj., janë respektuar plotësisht.

Veçanërisht numërimi i saktë është gur themeli që kompetitiviteti të përkthehet në pushtet të zgjedhur legjitim. Vetëm numërimi i çdo vote do të siguronte kompetitivitet efektiv. Ç’kuptim ka kompetitiviteti i zgjedhjeve pa numërimin e çdo vote? Asnjë kuptim! Pikërisht kjo u bë e mundur në këto zgjedhje dhe për këtë ODIHR-i i cilësoi zgjedhjet si kompetitive. Në asnjë rast, në asnjë rrethanë, zgjedhjet nuk mund të jenë kompetitive dhe, për rrjedhojë, nuk mund të jenë të lira e të ndershme në rast se rezultati për kandidatin dhe partinë e dhënë nuk përfshin vullnetin e shprehur qartë të të gjithë zgjedhësve, pa përjashtim. Pranimi i këtij rregulli kyç do ta ndihmojë z. Rama që të ketë një qasje të re dhe pozitive me të drejtën e votës, ku rëndësi do të ketë vota e zgjedhësve dhe jo dëshira e tij për t’u zgjedhur.

Natyrisht që mbeten elemente që duhet të përmirësohen dhe forcohen që të arrihen të gjitha standardet që janë të domosdoshme që zgjedhjet të jenë plotësisht kompetitive. Natyrisht, jo të gjitha aspektet kanë qenë të përsosura, por mangësitë e tyre, në asnjë rast, nuk kanë qenë të tilla sa të dëmtojnë zhvillimin e garës, të ndryshojnë rezultatin, pra të cenojnë kompetitivitetin.

Zoti Rama është i saktë kur thotë se raporti i OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë ndonjëherë më i saktë. Por, nuk mund të konstatojmë se përsëri ai e bën deklaratën pa e lexuar raportin e OSBE/ODIHR-it, ose pa kuptuar gjuhën e tij, mbasi raporti, në mënyrën më të qartë, thotë se këto zgjedhje ishin transparente. Përsëri, për këdo që ka njohuritë më elementare për zgjedhjet, transparenca është limfa e zgjedhjeve, kurorë e dhjetëra standardeve, kusht themelor pa të cilin zgjedhjet e lira e të ndershme nuk ekzistojnë. Transparenca e procesit zgjedhor parakupton zbatimin me seriozitet e rigorozitet të dhjetëra neneve, të Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera që garantojnë transparencën e zgjedhjeve. Transparenca rrjedh vetëm duke realizuar një seri të gjatë standardesh, që përfshijnë, ndër të tjera, përzgjedhjen e modelit të fletës së votimit, kushtet e shtypjes së saj, hartimin dhe publikimin e listave të zgjedhësve dhe identifikimin e tyre, procesin e votimit në qendrat e votimit, numërimin e votave, përpilimin e tabelave të rezultateve, shqyrtimin publik të ankesave në të gjithë sistemin zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve.

Edhe në rastin e standardeve që përcaktojnë transparencën, sigurisht që ka pasur të meta dhe defekte, por ato në asnjë rast nuk kanë cenuar transparencën e procesit, nuk kanë ndryshuar rezultatin dhe nuk kanë lejuar manipulimin e tij, pasi i pari që do ta denonconte këtë është ODIHR-i.

Transparenca garantoi që 762 vullnete të qarta, të cilat z. Rama deshi t’i groposte me çdo kusht, të numëroheshin saktë, drejt e në dritë të diellit. Të numërosh çdo votë nuk është kanibalizëm zgjedhor, e kundërta, është e vërtetë. Tashmë, çdo kundërshti e lidhur me numërimin e 762 votave të hedhura gabim ka marrë përgjigje dinjitoze nga raporti, i cili rekomandon jo përjashtimin e tyre, por amendimin e Kodit Zgjedhor në mënyrë që vota të tilla të përfshihen në rezultat.

I mbytur nga dëshpërimi që raporti i ODIHR-it ia dogji kartën e transparencës që e zhubrosi dy vjet rresht, z. Rama në letrën e tij të hapur aludon tërthorazi për revoltën e Londrës. Në fakt, më 21 janar, z. Rama udhëhoqi zjarrin ndaj institucioneve të vendit dhe e bëri këtë për t’u ulur në karrigen e Kryeministrit pa kaluar testin e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë të zgjedhësve, ndërsa në Londër, kreu i laburistëve nuk ishte në anën e kriminelëve dhe zjarrvënësve, siç ishte ai më 21 janar, por të qytetarëve londinezë, institucioneve dhe rendit kushtetues.

Z. Rama bën mirë t’i lexojë raportet e ODIHR-it të gjitha e nga paragrafi i parë tek i fundit, t’i pranojë ato në çdo rast e jo t’i qesëndisë kur nuk i shkojnë për shtat, siç bën në letrën e tij të hapur. Të lexojë gjithashtu dokumentet themelore të OSBE-së dhe Këshillit të Europës. Kështu do të kuptojë pse ODIHR-i i cilësoi zgjedhjet si “kompetitive dhe transparente”. Do të kuptojë gjithashtu pse kishte progres në zgjedhjet e 8 majit përtej standardeve të larta që arritën zgjedhjet e vitit 2009. Të lexojë me kujdes rekomandimet e raportit dhe do të kuptojë se reforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që rekomandon si prioritet ODIHR-i, do t’i forcojë më tej ato.

Nuk ka përfitues më të madh nga kompetitiviteti me kushte të barabarta dhe transparenca e zgjedhjeve, sesa një opozitë demokratike. Dhe këto dy veti të zgjedhjeve të 8 majit nuk dëmtohen vetëm sepse z. Rama humbi nga vota e zgjedhësve. Nga to fitojmë të gjithë bashkë.

*Drejtor i Kabinetit të Kryeministrit

KOMENTE