Lajme > Lajme Ditore > Korrik - Shtator 2011 > Lajmet e datës 21 Gusht 2011
 

100 vjetori, zgjerohet Kanali i Panamasë

E dielë, 21 gusht 2011, NOA/VOA - Që kur Kanali i Panamasë hapi një rrugëkalimi mes Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor rreth një shekull më parë, atje kanë kaluar rreth 1 milionë anije. Ndërtimi i Kanalit përmes Istmit të Panamasë filloi në vitin 1882, por epidemitë, pozita gjeografike dhe politikat vonuan përfundimin e tij deri në vitin 1914. Më tepër se 27 mijë punonjës humbën jetën gjatë ndërtimit të kanalit. Tani, ajo që është quajtur vepra më e madhe inxhienerike e botës, është duke u zgjeruar, në mënyrë që atje të mund të kalojnë anije më të mëdha tregtare.

Epiteti “kolosal” është më i gjeturi për të përshkruar dimensionet e punimeve të zgjerimit të kanalit. Një investim prej 5,5 miliardë dollarësh, Kanali i Panamasë do të ketë një kanal të tretë, nga ku të kalojnë shumica e anijeve të mëdha. Jorge Luis Quijano, nënpresidenti për punimet inxhienierike, thotë se Kanali është duke operuar me kapacitet të plotë dhe ka nevojë të zgjerohet.

Ky kanal i ri mundëson tani kalimin e anijeve më të mëdha.

Në Gatun Locks, në anën e Atlantikut të kanalit origjinal, anijet kalojnë vetëm disa centimetra larg mureve anësore prej betoni. Këto anije nuk mund të jenë më të gjera se 32 centimetra dhe mund të notojnë vetëm 12 metra në thellësi.

Korsia e re, e cila po ndërtohet paralelisht me ato ekzistueset, do të mund të mbajë anije me gjerësi deri në 49 metra, dhe ura ngarkimi prej 15 metrash. Kjo anije që kalon përmes Gatun Locks po shkon drejt jugut, në Liqenin Gatun, për në Oqeanin Paqësor. Paralel me të vazhdojnë gërmimet për kanalin e ri, më të madh.

Oscar Soto është kryeinxhinieri për rajonin e Atlantikut.

“Ky është kanali ekzistues që përbëhet nga dy korsi dhe kjo është korsia e tretë.”

Në liqenin Gatun, i krijuar 100 vjet më parë për të furnizuar me ujë kanalin, kapiteni Ubaldo Pimentel ka drejtuar një anije pasagjerësh për dekada me radhë. Ai thotë se inxhinerët janë duke përdorur anije pastrimi dhe dinamitin për të krijuar rrugë kalimi më të thella dhe më të gjera në korsitë e reja të Gatunit.

Mali ishte deri tek shenja e kuqe atje tej. I gjithë materiali nga shkëmbinjtë u mor dhe mali u shty për të zgjeruar liqenin.

Për rreth 1 shekull, shumë anije mallrash u dizenjuan posaçërisht për të kaluar në korsitë e kanalit të Panamasë. Por në dekadat e fundit, anije më të mëdha, të njohura si “post-Panamaks” janë detyruar t’i çojnë mallrat e tyre përreth Amerikës së Jugut. Kur të përfundojë, në vitin 2014, nga kanali i ri 80 kilometra i gjatë, do të mund të kalojnë disa nga këto anije të mëdha, por siç shpjegon nënpresidenti Jorge Luis Qijano, jo ato më të mëdhatë.

Jo anijet më të mëdha. Na u desh të studjojmë përmasat optimale të anijeve që do të na lejonin të nxirrnim fitime sa më të mëdha nga ky investim. Pra, ne zgjodhëm anije me përmasa të tilla, të cilat do të paguajnë për këtë projekt.

Megjithatë, projekti do të thotë se zyrtarët do të jenë në gjendje të dyfishojnë sasinë e mallrave që mund të kalojnë nga kanali.

Kanali aktual ka një kapacitet maksimal prej rreth 340 milionë tonësh në vit. Me zgjerimin e kanalit, ne shpresojmë ta dyfishojmë kapacitetin e kanalit, në rreth 600 milionë tonë në vit.

Kjo është e rëndësishme, sepse anijet që kalojnë në kanal paguajnë në bazë të peshës së ngarkesës. Autoritetet e kanalit shpresojnë se më tepër se gjysma e zgjerimit të kanalit, që kushton disa miliarda dollarë, do të mund të shlyhen nga trafiku aktual i kanalit dhe anijet më të mëdha që do të kalojnë nga kanali i ri të paguajnë pjesën tjetër të shpenzimeve.

Zgjerimi masiv i kanalit po kryhet nga disa kontraktorë ndërkombëtarë, por 90 për qind e krahut të tyre të punës janë nga Panamaja.

Ndërsa puna për ndërtimin e kanalit vazhdon pa pushim, projekti po avancon para afatit të parashikuar për t’u hapur në vitin 2014, për të përkuar me 100 vjetorin e Kanalit të Panamasë. Zyrtarët thonë se festimet me këtë rast do të jenë kolosale.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.