English

Wikileaks, “Sefgjini”, SHBA: Berisha nuk shkarkoi zyrtarin e akuzuar për krim

Tiranë, 27 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Në dokumentat voluminoz që Wikileaks ka publikuar për Shqipërinë flitet edhe për refuzimin e kryeministrit Berisha për të larguar nga detyra funksionarë të përfshirë në korrupsion.

Kështu, në raportimin e përditshëm që ambasadori Uidhërs i bën Uashingtonit dhe që mban datën 15 mars 2008 shkruhet:

“ Kryeministri Berisha ka refuzuar të shkarkojë një zyrtar të lartë të qeverisë i cili përballet me ndjekje penale. Bëhet fjalë për Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjimi, i cili u akuzua zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme për rrëmbim dhe tortura me pasojë vdekje, gjatë shërbimit të tij të mëparshëm si ish shef i Shërbimit Informativ Kombëtar të mesin e viteve 1990. Sefgjini është nën arrest shtëpiak. Në një kohë kur fokusi i qëndrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare është në sistemin ligjor shqiptar, pas Gërdecit, ky rast është në kontrast me luftën e shpallur nga kryeministri Berisha ndaj krimit dhe korrupsionit”, përfundon raportimi i ish kryediplomatit amerikan.

Të gjitha këto dokumenta, të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të Wikileaks, janë pjesë e një procedure rutinë që ambasadat e huaja në të gjithë botën ndjekin për të raportuar zhvillimet në secilin prej vendeve. Të tilla janë edhe raportimet e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila konform konfidoncialitetit pasqyron zhvillimet në vendin tonë, sikundër lejon edhe ligji i funksionarit të SHBA.

Agjencia NOA, ka bërë vetëm përkthimin në gjuhën shqipeve të dokumentave dhe nuk i jep asnjë ngjyrim raportimeve, të cilat ritheksojnë janë një rutinë për diplomatët amerikanë.

Është Wikileaks, burimi i të gjitha informacioneve të sjella nga ne në gjuhën shqipe.

a.q/NOA

KOMENTE