English

Njëqind milionë euro për Tiranën

Këto 100 milionë euro pasuri e paluajtshme që do të hyjnë shpejt në qarkullim në kryeqytet pa dyshim do t’i bëjnë mirë punëve dhe qetësisë së këtyre 2 mijë familjeve tiranase, por edhe ekonomisë së një të tretës së popullsisë së vendit

Nga Fatos Çoçoli

Sikurse kishte premtuar, ndër gjërat e para që drejtuesi i ri i bashkisë së kryeqytetit po bën, është çlirimi nga bllokimi hipotekar i mijëra apartamenteve në Tiranë. Edhe pse po punon në shumë planë njëherësh (kjo është e kuptueshme, në menaxhimin e një metropoli, si Tirana). Por ky plan i çlirimit të vërtetimeve hipotekare për pasuri të patundshme të panumërta, duket mirëfilli përparësor. Pse përbën jo vetëm një problem të mprehtë, një makth për mijëra qytetarë që kanë investuar kursimet e jetës, kanë marrë kredi nëpër banka dhe tani ndihen të zënë në kurth, duke mos gëzuar frytet e mundit të tyre. Nuk ka gjë më të rëndë se sa të investosh, me qindra ditë të qëndrosh përpara pallatit ku ke porositur apartamentin tënd dhe ke dhënë paratë e tua (para gjaku e djerse), të marrësh çelësat, por jo dokumentet, për ta quajtur me plot gojën pronën tënde. Bashkia Tiranë i është futur një procesi sfidues, për nga kompleksiteti i vet. Ka nevojë jetësore për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin si të Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave dhe asaj të Tiranës në veçanti, ashtu dhe të ALUIZNI-t. Fitimi i ligjshëm i vërtetimit hipotekar, kur janë bërë disa shkelje të vogla, nuk është gjë e lehtë. Realisht përfaqëson një proces të vështirë teknik, ku jo të gjitha shtëpitë-prona të bllokuara mund të hipotekohen. Por ka rreth 2 mijë prej tyre që nuk kanë çertifikatë pronësie për teka të pronarëve-ndërtues apo për lëvizje me centimetra të planimetrisë së mëparshme të miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit. Këto mund dhe duhen hipotekuar. Dhe nëse marrim një mesatare vlere apartamenti prej 50 mijë euro në kryeqytet, i thonë jo pak, por 100 milionë euro që çlirohen. Ky çlirim nënkupton mundësi për qindra qytetarë e familje të Tiranës të kërkojnë dhe marrin një kredi nga një bankë, duke hipotekuar në formën e kolateralit (pengut bankar) apartamentin e bllokuar deri tani. Deri tani, bankat ankoheshin se qytetarët nuk vinin me plane biznesi për të kërkuar kredi. Qytetarët se bankat kërkonin kolateral pa mbarim. Këto 100 milionë euro pasuri e paluajtshme që do të hyjnë shpejt në qarkullim në kryeqytet pa dyshim do t’i bëjnë mirë punëve dhe qetësisë së këtyre 2 mijë familjeve tiranase, por edhe ekonomisë së një të tretës së popullsisë së vendit. Pse mund të krijojnë mundësitë që kreditë të shtohen, të paktën me një të pestën e vlerës së tyre, me 20 milionë euro. Dhe kur shtohen kreditë, zhvillohet vendi. Dhe të mos harrojmë se kreditë që qytetarët i kërkojnë nuk i kanë vetëm për të marrë një automjet të ri, apo për të mobiluar shtëpinë. Në radhë të parë, ata vënë peng apartamentin e tyre për të hapur një biznes të vetin, ose për të zgjeruar ekzistuesin. Dhe kjo do të thotë vende të reja pune, në një qytet deri tani të zhytur në papunësi në nivele 40-60 për qind në rrethinat e tij. Edhe pse ekonomia e Tiranës përfaqëson gati 40 për qind të të gjithë ekonomisë shqiptare dhe është më vitalja, më me eksperiencë biznesi dhe me të ardhme, sërish pamundësia e ndërtimeve gati e ka agonizuar gjatë viteve të fundit. Ka qenë e detyruar të kthehet në një ekonomi tregtare e shërbimesh, pse asnjë njësi prodhimi nuk është krijuar rishtazi në rrethinat e Tiranës, nga mosmarrja e lejeve të ndërtimit. Kjo përbën mëkat parësor në tregun më të rëndësishëm të vendit, me mbi 800 mijë banorë-konsumatorë. Prandaj ka shumë rëndësi që zhbllokimi hipotekar të vijë shpejt (çështje muajsh) dhe të mos ngecë peng i burokracive pafund. Për këtë garanci është vullneti i një drejtuesi që e ka treguar se di t’u shkojë deri në fund gjërave që merr përsipër (mjafton të kujtojmë vetëm dy përfundime madhore: Rruga e Kombit dhe liberalizimi i vizave).

KOMENTE