English

Berisha: Zgjerohet spektri i dëmshpërblimit për të përndjekurit, në Spaç të ngrihet Muze

Tiranë, 31 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e ditës së sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha u ndal në çështjen e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë.

Në fjalën e tij me këtë rast, Berisha u shpreh se në këtë ligj do të zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë pasi në ligjin ekzistues tha ai, është bërë një interpretim jokorrekt, i veprave për të cilat ata janë dënuar.

“Janë akuzuar për vepra monstruoze që nuk i kanë kryer, vetëm për të konsoliduar mekanizmin shtypës të regjimit. Por ne e konsiderojmë dëmshpërblimin e të përndjekurve politik si një proces të mirëpritur dhe se e drejta duhet të marrë jetë. Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politik pa gjyq dhe pa asgjë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, nga ky vendim do të përfitojnë kryesisht ata që u ekzekutuan për bindjet e tyre, për qëllime të qarta kombëtare, madje shtoi se ky është një ligj që do ketë dinamizëm të domosdoshëm.

Ai e cilësoi tragjik, faktin që edhe pas 20 vitesh historia nuk ka zbardhur të vërtetën tragjike që përjetoi ky popull, në mënyrën më të pamerituar dhe në mënyrën më mizore.

Kryeministri Berisha theksoi se, “Po të marrim diktatorin, të gjithë këto diktatura që bien njëra pas tjetrës, ju garantoj se këta mizor secili prej tyre nuk është tjetër, veçse një nxënës i keq i demonit, shqiptar, i Hitlerit shqiptar të pas luftës. Kjo është e vërteta, ndaj dhe ky ligj do vijë në ndihmë të atyre që vuajtën nga ky sistem. Me gjithë këtë për Enver Hoxhën, tragjike është se ka një histori të tërë të trilluar në funksion të kultit të tij dhe akoma shqiptarët dhe bota nuk ka veprat reale”.

Në përfundim Berisha e konsideroi të drejtë, mendimin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë ligj dhe kërkoi që Ministria e Kulturës të sjellë sa më shpejtë, amendimin për ngritjen e muzeut në Spaç.

“Ne nuk mund të shkojmë drejt 100 vjetorit pa e ridimensionuar ashtu siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Kujtesa kombëtare është e domosdoshme, dhe ne jemi një komb që duhet të mësojmë”, përmbylli kreu i qeverisë.

a.y/NOA

KOMENTE