English

Goditet rrjeti i trafikut Shqipëri - Maqedoni

Tetovë, 31 gusht 2011, NOA - Operacioni u zhvillua midis njësisë për parandalimin e trafikimit me lëndë narkotike të MPB-së së Maqedonisë dhe Policisë shqiptare, ku është zbuluar dhe ndaluar rrjeti ndërkombëtar i trafikimit të drogës së llojit marihuana nga Shqipëria, përmes Maqedonisë dhe që përfundonte në Greqi.

Operacioni filloi para dy ditësh kur në rrugën midis fshatrave Novo Sellë dhe Bogovinë të Tetovës u arrestuan dy trafikantë me makinën e tyre “Golf” me targa të Tetovës, ku u gjetën 10 kg lëndë narkotike marihuanë.

Pas hetimeve të mëtejme në fshatin Bogovinë është ndaluar një makinë tjetër “Golf” me targa të Kosovës, nga e cila u arrestuan katër persona të tjerë. Tek ata u gjetën rreth 4.200 euro, që duheshin paguar për transportin e drogës drejt kufirit të Greqisë, një pistoltë dhe municion.

Një nga personat e ndaluar ishte i caktuar për transportimin e drogës drejt Greqisë, ku duhej t`ia dorëzonte një personi të panjohur, ndërsa droga duhej të shitej 1.500 euro për kilogram.

Në mesin e të arrestuarëve janë K.S (57) nga fshati Pobreg i Kukësit të Shqipërisë, S.S (40) nga Hani i Elezit të Kosovës, S.V (46) nga Shkupi, G.S (22) nga fshati Shtreze i Kukësit, Xh.M (18( nga Kukësi, G.L (26) nga Nange e Kukësit dhe S.S (40) nga Shkup, të gjithë të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.

a.q/NOA/INA

KOMENTE