English

Mesazhi i presidentit Topi drejtuar deputetëve në sesionin e ri kuvendor

Nga Bamir Topi

Të nderuar deputetë,

Mesazhi im drejtuar sot Kuvendit të Shqipërisë, Institucionit më të lartë përfaqësues të popullit shqiptar, nuk është thjesht një rutinë kushtetuese, por një mesazh presidencial e qytetar, të cilin me siguri do të donte ta bënte cilido për institucionin politik që i ka besuar të tashmen dhe të ardhmen evropiane të tij.

Me këtë peshë përgjegjësie, dua t’i drejtohem drejtpërdrejt ndërgjegjjes së çdo deputeti në respekt të interesit publik qytetar dhe për të rifituar besimin e lëkundur të qytetarëve tek politika dhe institucionet e saj.

Parlamenti, mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet, së pari presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional.

Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin!

Prania aktive në Parlament kërkon klimë pozitive dhe respekt për mendimet e shprehura.

Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë.

Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim tek qytetarët. Parlamenti ynë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një zëdhënës të mirë të sovranitetit të popullit dhe tempull i demokracisë. Aty ka deputetë me përvojë parlamentare, ka personalitete akademike e shkencore, ka të rinj të diplomuar në universitete perëndimore, ka politikanë që votohen rregullisht, siç ka edhe individë me dinjitet e përkushtim. Unë kam besim dhe mbi këtë bazë dhe inkurajoj këto potenciale të veçanta parlamentare, të marrin përgjegjësinë për ta shndërruar sesionin e ri parlamentar në një periudhë reformash demokratike dhe integruese.

Të nderuar deputetë,

Rreth dy vjet më parë Parlamenti miratoi ligjin e fundit me votim të cilësuar me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. Në pjesën tjetër të aktivitetit parlamentar nuk kemi pasur më rastin të shohim bashkëpunim dypalësh dhe reforma që burojnë prej tij. Për pasojë, Shqipëria politike, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare; vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjës kombëtare, ju ftoj t’i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme.

Ligje e sfida me rëndësi presin shqyrtimin e votën tuaj. Të tilla janë reforma e premtuar për kufizimin e imuniteteve kushtetuese përballë nevojës për drejtësi dhe luftë ndaj korrupsionit, reforma e premtuar në sistemin gjyqësor, ligji për funksionimin e Konferencës Gjyqësore dhe miratimin e vënien në funksion të Gjykatës Administrative, reforma e premtuar territoriale dhe lokale, reforma e premtuar e zgjidhjes së drejtë e përfundimtare të çështjes së pronësisë mbi tokën, reforma e premtuar për garantimin real të pavarësisë së administratës publike, reforma e premtuar në administrimin cilësor e profesional të Radio-Televizionit Publik Shqiptar dhe institucioneve të tjera publike, reforma e premtuar shëndetësore dhe disa fusha të tjera me ndikim direkt në jetën qytetare dhe organizimin politik e kushtetues të vendit. Disa prej tyre, siç është nevoja e kufizimit kushtetues të imunitetit për politikanët dhe zyrtarët e lartë të çdo pushteti, mund të kërkojnë vullnet mbipartiak dhe ndryshime kushtetuese. Retorikat politike antikorrupsion dhe për kufizimin e imunitetit nuk kanë vlerë ligjore, ndërkohë që ne vijojmë të jemi një vend me probleme ende të mëdha korrupsioni, po ku akoma nuk kemi aplikim praktik të standardeve të njëjta gjykimi si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për politikanin dhe zyrtarin e lartë politik e kushtetues. Politika duhet të japë vetë shembullin e saj dhe kufizimi kushtetues i imunitetit është hapi i parë serioz në këtë drejtim.

Një këndvështrim i ri parlamentar nevojitet edhe në raport me detyrimet e tij ndaj institucioneve të tjera kushtetuese. Praktika të tilla, të vonesës mëse njëvjeçare të vendimmarrjes parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, të vonesës selektive në zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë, nuk janë në nderin e Parlamentit dhe as në interesin e demokracisë në vend. Asnjë ndasi partiake, asnjë interes elektoral, asnjë kalkulim afatshkurtër apo afatgjatë politik, nuk duhet të pengojë Parlamentin të përmbushë detyrimet e veta në zgjedhjen e organeve kushtetuese dhe udhëheqjen politike të institucioneve politike.

Shqipëria e vitit 2011 ka nevojë të programojë qartësisht të ardhmen e saj evropiane. Axhenda e përmendur më sipër përbën thelbin e këtij angazhimi. Pjesë e saj është reforma zgjedhore, e cila vijon të përsëritet si refren mallkimi prej gati dy dekadash. Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore të plotë, që tejkalon kalkulimet për zgjedhjet e radhës, që merr parasysh vullnetet e lira qytetare, që përputhet tërësisht me standardet e OSBE/ODIHR-it dhe që e shkëput përfundimisht vendin tonë nga lista e vendeve problematike. Problemet zgjedhore reflektojnë probleme në funksionimin e demokracisë dhe legjitimitetin e institucioneve të saj.

Ne sapo kaluam zgjedhjet lokale, të cilat megjithë risitë e dukshme, nuk arritën të bëjnë diferencën e madhe me disa praktika të gabuara të së kaluarës. Sot kërkohet një reformë serioze, gjithëpërfshirëse, që garanton mundësinë e çdo shtetasi shqiptar kudo që ai ndodhet për të votuar i lirë, që mundëson leximin e çdo vote në raport proporcional me forcën politike konkuruese, që siguron transparencë reale financiare dhe largimin përfundimtar nga administrimi militant partiak. Reforma zgjedhore duhet t’i japë fund tregtisë me votën, spekullimeve militante me vullnetin qytetar, duhet të ndajë qartë rolin e partive dhe të shtetit në fushatë, të rrisë cilësinë e përfaqësimit gjinor dhe shtresor të popullsisë, të zgjerojë lirinë dhe hapësirën qytetare për të votuar individin dhe njëherësh të mundësojë krijimin e institucionit sovran të demokracisë direkte! Është në nderin dhe përgjegjësinë tuaj që kjo reformë të zhvillohet në kohën e duhur, me cilësinë e duhur dhe mbi standardet e duhura.

Deputetë të nderuar!

Kuvendi i Shqipërisë i ka të gjitha potencialet të jetë njëherësh institucion model për respektimin e Kushtetutës dhe parimit të saj themelor të ndarjes dhe balancës së pushteteve. Një sërë vendimesh kritike të Gjykatës Kushtetuese si dhe një sërë raportesh të institucioneve ndërkombëtare për problematikën e demokracisë në Shqipëri përbëjnë një rast të mirë për të rivlerësuar praktikat cilësore të shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve, të organizimit demokratik parlamentar dhe të respektit kushtetues ndaj pavarësisë së institucioneve të tjera kushtetuese. Si President, jam ndodhur shpeshherë nën presion të fushatave politike për denigrim personal e institucional. Nuk kam zgjedhur të përgjigjem, sepse kam besuar e besoj se interesi madhor publik e qytetar mbetet prioritar mbi çdo akt militant të radhës dhe se dëmi më i madh nuk i bëhet individit president, por qytetarëve, institucioneve dhe imazhit demokratik të vendit. Viktima të të njëjtave retorikave dhe sjelljeve denigruese parlamentare kanë qenë edhe institucione të tjera kushtetuese. Ky model parademokratik komunikimi midis institucioneve duhet të marrë fund. Parlamenti e ka për detyrë dhe përgjegjësi të jetë faktor me rëndësi pro partneritetit midis institucioneve, të dëgjojë fjalën e tyre, të shprehet me votë, por edhe të respektojë pa ekuivok integritetin e tyre kushtetues. Shqipëria e vitit 2011 nuk ka më nevojë për militantizëm në udhëheqjen e shtetit; ajo ka nevojë për politikanë reformatorë dhe institucione të forta, ka nevojë për profesionalizëm të lartë, funksionim kushtetues dhe respekt ndërinstitucional. Kjo është faza ku bëhet diferenca midis një vendi në tranzicion dhe një vendi që meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ju, të nderuar deputetë, keni në dorë të gjithë mjetet e mundshme për arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin dhe interesat integruese të tij.

Së fundi, dëshiroj të rikujtoj se ne ndodhemi në prag të festimit të 100-vjetorit të krijimit të shtetit të ri shqiptar. Brezat e sotëm janë me fat që jetojnë në demokraci, por brenda një shekulli, mëse dy breza janë sakrifikuar nën regjime totalitare në të cilat shteti identifikohej me individin dhe interesi shtetëror me partinë–shtet. Për shkak të kësaj trashëgimie ne kemi detyrën dhe përgjegjësinë të bëjmë gjithçka është e mundur për një 100-vjetor dinjitoz, që nderon sakrifikicat shekullore të të parëve tanë, që respekton vlerat tona më të mira kombëtare e evropiane, që krijon besim dhe hedh hapa të sigurtë drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Ju ftoj të ndajmë së bashku këtë vizion dhe kështu, të bëjmë së bashku më të mirën për vendin dhe qytetarët!

Faleminderit!

KOMENTE