English

Turizmi dhe Shqipëria si një vend “under construction”

Shpallja e një programi zhvillimi nën implementim e politikave si një vend “under construction”, mund të jetë një ide-zgjidhje momentale, por efikase Oltjana Zoto* Shpesh herë na del përballë duke klikuar në site të ndryshme nocioni “under-construction”. Madje duke u shoqëruar edhe me imazhin e disa punëtorëve, për të na lënë kështu të kuptojmë se mbi këtë site po punohet. Dhe ne nuk shqetësohemi aspak dhe me mirëkuptim klikojmë mbi ato pak informacione që mund të klikohen. Për të pritur deri sa informacioni të përputhet me interesin tonë për të klikuar. Mund të ishte kjo zgjidhja më logjike edhe për funksionim e plotë të turizmit që ne zhvillojmë, përpara se të përpiqemi t’ju imponojmë shije deri diku jo-fort të këndshme turistëve të huaj. Kjo falë edhe zgjedhjeve të tyre rastësore apo kurioze për të eksploruar vendin tonë. Shqipëria, dikur një vend komunist prej të cilit vinin vetëm lajme të errëta, sot është më i hapur dhe më i lehtë se kurrë për të ardhur dhe për ta vizituar. Ndoshta më shumë se kushdo vend tjetër në rajon ofron deri diku politika nxitëse për ardhjen e turistëve. Kjo startoi vetëm pak vite më parë me eliminimin e taksës për pajisjen me vizë për të huajt, për të hedhur baza të shëndosha atraktiviteti. Por kjo me sa duket funksionon vetëm në letër, logjikisht, pasi realiteti në terren flet ndryshe. Turizmi është një industri sa e lehtë në dukje, por edhe aq i vështirë për ta bërë të funksionojë. Vende të ndryshme (kryesisht vendet fqinje, ose të rajonit), i kushtojnë rëndësi mjaft të madhe zhvillimit të turizmit, duke arritur të “shëndoshin” madje deri edhe arkën e shtetit apo ekonominë e vendit prej të ardhurave nga kjo industri. Ndërkohë që industria e turizmit arrin të jetë në GDP-në e këtyre vendeve deri në dyshifrore. Kjo në sajë të investimeve dhe mënyrës se si perceptohet prej vitesh kultura për të zhvilluar turizëm. Prioritetet dhe lehtësitë me anë të politikave nxitëse për të patur çdo vit e më shumë turistë të huaj. Pra me sa duket për një funksionim të tillë logjikisht problemi nuk qëndron tek turistët e huaj. Ata vijnë për të shpenzuar para, ndoshta edhe prej “namit” që na ka dalë në diskorsin “turistic destination” që zhvillohet. Kështu me pak para, arrijnë të bëjnë një turizëm relativisht të thjeshtë, pa shumë luks. Dhe shtresat të cilat parapëlqejnë të vizitojnë vendin tonë, janë ata që kanë më pak të ardhura, kryesisht pensionistët. Më pak ata pak „aventurierë“, të cilët përshkojnë gjithë gjatësinë e bregut të Adriatikut nga/për në Ishullin e Korfuzit. Këtu ndoshta duhet të mendojmë se si dhe prej nga e morën informacionin për vendin tonë turistët e huaj. Por përpos “turistëve-tranzit”, të cilët me “dashje” udhëtojnë në territorin tonë, duhet të përpiqemi të kuptojmë se si arritëm të përçojmë interes tek turistët eksploratorë, të çdo viti. A janë ata “one time” eksplorues apo preferojnë ritualisht të vijnë në Shqipëri, të joshur dhe të kënaqur nga gjithçka modeste që ne aktualisht ofrojmë. Nuk e di nëse është zhvilluar ndonjëherë një analizë financiare se si dhe sa shpenzuam për marketingun turistik. Falë këtij marketingu arritëm të kemi këtë numër? Për të mos qenë më radikal deri sa të arsyetojmë se ku duhen shpenzuar paratë për të patur më shumë turistë. Apo nuk ja vlen një iniciativë e tillë dhe janë para të shpenzuara për së koti në vend që të investoheshin diku tjetër, po në shërbim të turizmit. Të qenit kompetitiv dhe konkurrues në një industri si ajo e turizmit, kërkon të implementohen padyshim modele të ndryshme zhvillimi dhe suksesi. Ajo që nuk duhet të na përfshi është euforizmi karshi shifrave të vizitorëve të huaj që padyshim deri tani kanë qenë jo-reale. Më kot autoritetet shtetërore janë përpjekur t’i fryjnë ato artificialisht. Mjafton të hedhësh një sy se autobusë përshkruajnë sot bulevardin kryesor të Tiranës për të kuptuar numrin, llojin dhe prejardhjen e turistëve të huaj. Pra në vend të numërimit duhet që këtë industri që posedojmë falë resurseve dhe klimës shumë të mirë, ta zhvillojmë. Dhe për këtë shpallja e një program zhvillimi nën implementim e politikave si një vend “under construction”, mund të jetë një ide-zgjidhje momentale por efikase. Shqipëria është një vend ku gërshetohen më së miri të gjitha elementët atraktivë që do ta përkufizonin turizmin si industri. E gjendur në Gadishullin Ballkanik, një rajon mjaft i njohur për zhvillimin e turizmit, përballet me realitete mjaft të kërkuara nga ana e turistëve të huaj. Nga njëra anë bregdeti përballë relievit malor, me një klimë mjaft të preferuar nga ana e turistëve, si ajo mesdhetare. Por të etur nga publikimet e shifrave dhe përfitimet e rastësishme në bizneset kryesisht të vogla nga turistë rastësorë, asnjëherë nuk i drejtuam vetes disa pyetje kyçe si p.sh.: “Çfarë funksionoi ose pëlqyen turistët e huaj?”. Një analizë e cila do të jetë në funksion të përmirësimit të klimës për nxitjen e ardhjes së tyre sërish vitet e ardhshme. Mendoj se nuk ka ndonjë agjenci të caktuar kërkimore turistike që ofron të dhëna për llojet e prirjeve të turistëve. Do të ishin këto të dhëna, ato që të na ndihmonin të krijonim një tablo të qartë ne si opinion pse jo edhe vetë ministrit të Turizmit. Por një tjetër risi u evidentua këtë vit (2011), teksa shqiptarët udhëtuan për herë të parë pa viza drejt vendeve të BE-së. “Shtegtimi” i vetë shqiptarëve qoftë edhe për pak ditë turizëm veçanërisht në vendet fqinje, provokoi një kurs këmbimi të pandryshuar gjatë muajve të verës, muaj të cilin monedha Lek fiton terren përkundrejt monedhës europiane, Euro. Kjo e shoqëruar edhe me daljen e të ardhurave të tyre, të kursyera këto gjatë vitit. Sipas statistikave të deritashme mendohet që numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë kësaj vere (2011), të jetë pothuajse e barabartë me numrin e turistëve shqiptarë që udhëtuan jashtë vendit. Natyrisht që paratë e shpenzuara nga ana e shqiptarëve, janë shumë herë më të larta përpos çmimeve që ofrojnë vendet e BE-së. ishte kjo një risi që e provokoi viti i parë i daljes jashtë territorit shqiptar pa viza, apo mosplotësim i kushteve të nevojshme për turizëm “atdhetar”, kjo mbetet për t’u vlerësuar vitin e ardhshëm. Gjithsesi kjo hyn tek humbja e mundësive edhe falë mosfunksionimit të turizmit si duhet në vendin tonë. Pra ka shumë elementë të tjerë përveç këtyre që përmendëm më sipër, të cilat na lënë të kuptojmë se për turizmin nuk jemi ende kompetitiv. Dhe këtu pa dashur bëjmë autogolin e radhës, atë që jemi mësuar të bëjmë më lehtë. Duke zhgënjyer turistët me diletantizmin tonë të përsëritur i cili ndoshta tingëllon më keq se sa një gabim “pa dashje”. Dhë këtu pa dashur lind pyetja: “A ia vlen të bëjmë turizëm apo më mirë të shpallim një moratorium 3 vjeçar deri sat ë jemi vërtet gati t’i hyjmë kësaj “aventure”? Tronditëse i quajtëm elementët e raportimit të shifrave apo të grafikëve të krahasimit me vitet e mëparshme pas çdo fund-sezoni veror. Madje për këtë kemi paguar edhe çmimin e ndonjë reklame në mediat botërore të tipit CNN. Por se çfarë Shqipërie do t’u prezantonim të huajve pas kësaj askush nuk mendoi. Anipse këto pak para mund të kenë shërbyer sadopak për të ndryshuar diçka në opinionin botëror për Shqipërinë tonë. “Megjithatë ç’ka iku, iku” - thotë një proverb. Çdo të bëjmë pas kësaj? “Asnjë lajm nga Rialto”. Si në kryeveprën e Shekspirit, “Tregtari i Venedikut”. Po sa herë kemi marrë mundimin për të shkruar mbi turizmin? Analiza dhe kritika pa fund, duke ngritur probleme mbi atë se ç’ka duhet të funksionojë më mirë. Pikë së pari me padyshim që turizmi duhet parë si një treg zhvillimi idesh dhe interesash. Si çdo treg që kërkon të fuqizohet për të plotësuar padyshim binomin e pandarë të kërkesë-ofertës. Dhe si I tillë ai duhet të nxitet nga politika që do të provokonin hapjen e tij. Të gjithë mbajmë mend se si arriti të zhvillohej tregu në Kinë, duke e kthyer atë sot në kërcënimin e mbarë ekonomisë botërore. Andej nga ku merren si shembuj funksionimi dhe mos funksionimi konceptet kejnesiane apo adamsmithiane. Pra hapja e tregut të turizmit do të sillte padyshim rezultate inkurajuese në ngritjen e komplekseve të ndryshme turistike, të cilat deri tani janë shumë pak që plotësojnë parametrat europianë. Iniciativa të ndryshme si ajo “Shqipëria 1 euro” ngelen shumë larg për realitetin aktual në të cilin ndodhet sot turizmi shqiptar. Shpesh herë këto kthehen në sherre masive mes pronarëve të tokës, pretenduesve në hije dhe investitorëve. Çka do të thotë që edhe këtu funksionon një ngërç mjaft i pazgjidhshëm për atë se ç’ka ka nevojë imediate zhvillimi i industrisë së turizmit. Megjithatë disa ndërtime rezortesh kryesisht në zonën e Gjirit të Lalëzit dhe Durrësit duket se do ta ndryshojnë sadopak atmosferën konkurruese të turizmit shqiptar, I cili aktualisht duket se ka nevojë për më shumë shtretër. Por bashkë me këtë në vendin tonë për të qenë më kompetitivë siç edhe e përmendëm më lart, kemi nevojë edhe për punonjës shërbimi. Kuzhinierë, kamerierë, hotelierë, baristë, deri edhe në anglisht-folës. Dhe për të gjitha këto natyrisht që kërkohet kohë e cila sërish nuk anon në kahun tonë, ashtu siç do të dëshironim të ishte. Pra nuk jemi gati dhe rrezikojmë të prezantohemi keq. E njëjta situatë me mjedisin përreth. I ndotur sa më s’ka. Elementi më kryesor që arrijnë të evidentojnë të huajt. Pastërtia. Ajo që kohë më parë ishte ADN-ja jonë, sot rrezikohet të shpallet në çdo cep të vendit ku bëhet turizëm bregdetar, në epidemi. E njëjta situatë me infrastrukturën. Ende kemi rrugë pothuajse të pakalueshme dhe shumë të rrezikshme. Edhe pse në këtë drejtim është punuar këto vitet e fundit dhe ndryshime pozitive evidentohen. Sinjalistika rrugore dhe kultura e qarkullimit rrugor janë të tjera problem që na pengojnë në zhvillimin e turizmit. Çdo vit në sezonin e verës numri i aksidenteve është shumë i lartë, i ngjashëm me bilancin e tragjedive ku humbasin jetën qindra vetë. E pra në një sezon të tillë, kur ne pretendojmë të bëjmë turizëm. Por problem tjetër thelbësor është edhe jeta e njeriut dhe përmirësimi i kushteve spitalore, veçanërisht në qytetet që vizitohen nga turistët e huaj, kryesisht ato bregdetare. Investimi në krijimin e pavijoneve të veçanta për të huajt siç ka ndodhur në disa vende të rajonit, është marketingu më i mirë që ne i bëjmë vendit tonë tek turistët e huaj. Kujdesi për jetën e njeriut, elementi A i mbarë shoqërisë në botë dhe më pak e vlerësuar në vendin tonë. Për t’iu rikthyer edhe një herë problemeve me infrastrukturën, nga ku lë shumë vend për të dëshiruar ajo ujore. Përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Sarandë, nuk ka porte shpëtimi apo evakuimi për barkat e vogla të turistëve. Edhe ato që janë nuk arrijnë të plotësojnë kushtet e duhura teknike dhe shumë herë situate të agravuara natyrore janë kthyer në tragjedi detare. E pra një vend i cili kërkon të thithë sa më shumë turistë të huaj nuk plotëson as kushte të tilla minimale navigimi, do të thotë që edhe këtu mbetemi në klasë. Ndryshe ndodh me fqinjin tonë, Malin e Zi, për të mos folur për Kroacinë dhe pak më larg Greqinë. Sërish jeta e njeriut element kyç, ajo që ne nuk i kushtojmë edhe aq rëndësi por që e preokupon më shumë turistin e huaj, i cili vjen për turizëm atraktiv dhe jo horror. Për të mos folur për situatat “normale” që një turist austriak, Italian apo gjerman ndodhen kur ndeshin mungesë të ujit apo energjisë elektrike deri tek një stacion autobusësh “horror” në mes të Tiranës dhe si për ironi pak më tutje edhe ai i trenit. Ndaj të gjitha rrugët të çojnë tek “under-construction” ose “moratorium” për turizmin. Kjo sepse realisht nuk jemi gati. Madje këtë të fundit prej disa vitesh çuditërisht edhe tani që jemi pa viza e kemi ligj për mjetet lundruese. Një ligj që shërbeu si kusht për liberalizimin e vizave ç’ka mund të japë rezultat edhe për zhvillimin e turizmit. Vende të tjera fqinje, ato të cilat po na japin leksione se si dinë të bëjnë turizëm kanë arritur edhe të implementojnë më parë masa të tilla. Shën Stefani në Malin e Zi qëndroi për disa kohë i mbyllur për vizitorët e huaj (i shpallur nën mbrojtjen e UNESCO-s, ashtu si Gjirokastra apo Berati ynë në të cilat restaurohet çdo vit nga një, dy apo tre shtëpi). Dhe gjithçka ndodhi për t’i bërë gjërat në perfeksion. Për ta bërë atë më të vizitueshëm dhe për të mbledhur para dhe turistë rreth qyteteve turistike malazeze. E njëjta gjë që mund të ndodhte me Pazarin e Krujës, Kalanë e Kaninës, të Porto-Palermos, Lëkurësit, etj. Pse jo për t’ia lënë në administrim privatit, për të zgjeruar kështu tregun e turizmit ashtu siç arritën të bëjnë pak vite më parë kinezët, sot superfuqi botërore e ekonomisë, prej nga morëm si model edhe revolucionin kinez vite më parë. Sot për të bërë një revolucion sërish, por në turizëm, për më shumë turistë të huaj, për më shumë para. * Dërguar nga autorja, MSC-Doktorante. Titulli i origjinalit: Turizmi, klimë e përshtatshme për “under-construction” apo “moratorium”?

KOMENTE