English

Jahjaga: Kosova përmbushi kushtet, të nisë dialogu për heqjen e vizave

Bruksel, 6 shtator 2011, NOA – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i kërkoi sot Brukselit të nisë dialogun me Kosovën për liberalizimin e vizave me BE-në. Zonja Jahjaga tha se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet shtesë që iu kërkuan për çeljen e dialogut për liberalizimin e vizave andaj sipas saj tashmë është tejet i nevojshëm të nisë ky proces i rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Gjatë vizitës së saj zyrtare treditore në Bruksel, zonja Jahjaga u takua mbrëmë në një takim pune me komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule. Zyra e shtypit e presidentes së Kosovës bën me dije se në takim u diskutua progresi i Kosovës në procesin e Integrimit Europian, si dhe mundësia e avancimit të Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual, në përputhje me rekomandimet e mëparshme të Komisionit Europian. Presidentja Jahjaga i tha komisionerit Fule se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve dhe në thellimin e reformave të brendshme. Në këtë suazë, Komisioneri për Zgjerimin në BE Stefan Fule theksoi se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrimin në BE. Zoti Fule paralajmëroi vizitën e misionit vlerësues të Komisionit Europian për të parë nga afër zbatimin e detyrimeve të Kosovës për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Liberalizimi i vizave në zonën Shengen u arrit një vit më parë nga Shqipëria dhe Mali i Zi. mit/NOA

KOMENTE