English

Wikileaks: Thaçi do të mbetet gjithmonë prapa liderit Ibrahim Rugova

Prishtinë, 8 shtator 2011, NOA – Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2001 ishte i brengosur se Washingtoni nuk ishte as i interesuar fort e as edhe miqësor ndaj tij, thuhet në një kabllogram të vjeshtës së vitit 2001, dërguar Departamentit Amerikan tw Shtetit nga zyra amerikane në Prishtinë. Kabllogrami konfidencial i bërë publik nga Wikileaks, dhe i nënshkruar nga shefi i atëhershëm i zyrës amerikane, ambasadori John Menzies, tregon një raport për Thaçin në prag të vizitës së tij në SHBA, ku ai thuhet se do të “kërkojë demonstrim të miratimit të tij, në masën më të madhe për të forcuar imazhin e tij në Kosovë, por edhe për shkak se e dëshiron njohjen”. Asokohe, sipas vlerësimit amerikan, fuqia politike e Thaçit në Kosovë ishte “paksa e leckosur”, dhe për këtë arsye ai “mund të jetë më i hapur ndaj inkurajimit për të qenë më konstruktiv, posaçërisht në zgjatjen e dorës në drejtim të serbëve të Kosovës”. “Në takimet e tij në Washington ne duhet ta shtyjmë atë edhe për ta bërë pjesën e tij para dhe pas zgjedhjeve të nëntorit për konsolidimin e demokracisë në Kosovë”, thuhet në kabllogramin diplomatik, që mban datën e 11 shtatorit 2001. “Në kohën kur kryetari i PDK-së, Thaçi, e lë Kosovën për SHBA-të, më 11 shtator, ai është një politikan, ritmi i të cilit është thyer edhe nga preferenca e bashkëkombësve të tij për të lëvizur përtej luftës dhe drejt moderimit politik, dhe nga vetëdija e tij akute për ndryshimet politike në Washington”, thuhet në kabllogramin e ambasadorit Menzies. “Një njeri që kurrë nuk ka parë në drejtim të kryeqyteteve të tjera evropiane, Thaçi tani ka frikë se aksionet e tij kanë rënë në qarqet politike në SHBA. “Një arsye kryesore për këtë udhëtim’, ka lënë të kuptojë ai, “është të masë sesa e thellë është çmagjepsja me të atje”, thuhet në kabllogram. “Disi në kundërshtim me intuitën, ndoshta, është pikërisht Thaçi ai që më së shumti është mbështetur në ‘aleancën’ e supozuar me SHBA-në për të forcuar fatin e tij politik”, thuhet në kabllogramin konfidencial të shtatorit 2001. “Fati i tij politik në Kosovë po bie. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ibrahim Rugova, ka rreth 12 vite i përfshirë politikisht si lidershipi i Kosovës, sikur edhe një ndjenjë ende shumë të fuqishme të popullaritetit në favorin e tij. Thaçi gjithmonë do të mbetet prapa personalitetit të Rugovës si një figurë babai për shqiptarët e Kosovës”, raporton kabllogrami. Këtu shtohet se “në një ngjarje kulturore më 8 shtator, Rugova dukej i qetë dhe i lidhur mirë me audiencën e tij. Për dallim, Thaçi ra poshtë në fjalimin e tij”. Koha Ditore/NOA

Në foto: Ish-lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi

KOMENTE