English

Dhjetë vjet pas 9/11, shoku dhe tmerri vazhdojnë

Nga Heather Maher

11 shtator 2001, pra para 10 vitesh, nga sulmet e koordinuara nga rrjeti terrorist al-Kaida, kundër Shteteve të Bashkuara, janë vrarë afro 3 mijë persona.

Sulmi më vdekjeprurës i jashtëm në tokën e Shteteve të Bashkuara në historinë e këtij vendi, ka shkaktuar dy luftëra dhe ka ndryshuar pothuajse çdo gjë: prej fluturimeve komerciale me aeroplanë, e deri te mbledhja qeveritare e informatave të inteligjencës.

Këto sulme kanë pasur ndikim të rëndësishëm si në skenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Për amerikanët, sulmi më i madh i jashtëm në tokën e tyre në histori, u shndërrua në thirrje për armë. Për pjesën tjetër të botës, pamja e shkatërrimeve më 11 shtator, në vendin më të fortë në botë, tregon se asnjë shtet nuk ishte i sigurt nga terrorizmi.

Por, për farefisin dhe miqtë e afro 3 mijë viktimave, tragjedia ishte thellësisht ndjenjë personale. Në këtë kuadër, megjithëqë kanë kaluar 10 vite nga kjo ditë e tmerrshme, ende nuk janë shuar plagët e dhembjes tek ata që i humbën më të dashurit e tyre.

11 shtator 2001, 36 vjeçari Kenet Zelman punonte për kompaninë e sigurimeve Marsh&McLennan, që i kishte zyret në Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Kjo kullë u godit nga aeroplani i rrëmbyer në orën 8:36 minuta në katet 93 e deri në atë 99. Në katin e 99-të, Kenet Zelman ishte njëri nga 358 njerëzit të kësaj kompanie, që humbën jetën.

Vëllai i tij, Beri Zelman, tash 10 vite më vonë, thotë:

“Ai ishte vëllai i vetëm i imi. Ishte shumë i afërt me mua. Nuk mund të mendoj për diçka tjetër, që do të ishte më e keqe në jetën time se kjo që ka ndodhur”, tha Beri Zelman, i cili gjatë dekadës së fundit, pjesën më të madhe të kohës e ka shpenzuar duke kërkuar shpjegim se si kishin ndodhur sulmet.

Ai, menjëherë pas sulmeve, krijoi lidhje të forta me familjet e viktimave të tjetra të 11 shtatorit, të cilët sipas tij, ishin në “kërkim të fakteve se çka saktësisht kishte ndodhur atë ditë dhe përse Shtetet e Bashkuara ishin aq të ndjeshme”.

Beri Zelman thotë se ende kërkon që “të mësojë diçka për protokolet para dhe pas 11 shtatorit”.

Por, këto përpjekje janë të vështira, edhe për faktin se mijëra dokumente të ndërlidhura me sulmet ende konsiderohen sekrete nga qeveria amerikane. Ai nuk e kupton se përse administrata Bush i kishte bërë këto dokumente sekrete.

“Nuk e di realitetin e asaj se përse u bënë sekrete gjërat që nuk do të duhej të ishin të fshehta, përse ato nuk ishin transparente lidhur me faktet që e rrethonin 11 shtatorin. Ka shumë gjëra për të cilat ne ende nuk kemi përgjigje. Përse nuk kishte intervenim ushtarak, kur katër aeroplanë shkonin në drejtim të gabuar? Ne kurrë nuk kemi pasur përgjigje të kënaqshme”, thotë Beri Zelman.

Alison Krouther thotë se ajo tash e kupton më tepër se çka ka ndodhur atë ditë, por për këtë asaj i janë dashur vite të tëra.

Djali i saj 24 vjeçar, Uelles Krouther, punonte për kompaninë Sandler O’Nieill&Partners në Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë, më 11 shtator 2001.

“Kur së pari ndodhi, natyrisht, ne ishim në një shok të tmerrshëm dhe ne vetëm e dinim se ne realisht nuk e kuptonim se çka kishte ndodhur dhe se çka po zhvillohej. Kjo ditë do të mbetet gjithmonë në mendjen time. Bashkëshorti dhe unë – dhe besoj të gjithë njerëzit e prekur – e bartim këtë ditë thellë në zemrat tona për çdo ditë. Humbja e jetëve ishte e tmerrshme. Ata të gjithë ishin njerëz aq të mirë dhe ishin nga e gjithë bota. Të gjithë ata u vranë. Kjo kurrë nuk do të largohet nga ne”, tha Alison Krouther.

Djali i saj Uelles, që në moshën 16 vjeçare ishte stërvitur për zjarrfikje. Pasi aeroplani e kishte goditur Kullën Jugore, ai i kishte ndihmuar njerëzit e tjerë, që të shpëtojnë, por nuk e kishte mbrojtur jetën e vet.

Ling Jung, njëra prej grave që ai e kishte shpëtuar, tha se Uelles Krouther ishte “rojtari i saj engjëll”. Gruaja tjetër që ishte shpëtuar nga Uelles Krouther, Xhudi Uejn, tha se ai ishte “një hero i jashtëzakonshëm”.

Djali i zonjës Alise Hoaglund, po ashtu, ishte përpjekur për t’i ndihmuar të tjerët, para se të vdiste më 11 shtator 2001.

Djali i saj, Marg Bingham, 31 vjeçar, ishte në aeroplanin e rrëmbyer dhe kur kuptoi se çka po ndodhte ishte përpjekur t’i pengonte terroristët. Atij i ndihmuan edhe persona të tjerë.

“Jam aq krenare që ata qëndruan dhe luftuan. Nuk ka shumë lajme të mira nga 11 shtatori, por më bënë krenare që djali im ishte i aftë që së bashku me disa të tjerë të qëndroj, megjithëqë ata nuk kishin mundur ta shpëtonin jetën e tyre”, tha nëna e tij Alise Hoaglund. /Radio Evropa e Lirë/

Nju Jork, frikë për përsëritjen e 9/11

FOTOGALERI Minuta të frikshme 9/11

VIDEO:Dalin pamjet të reja të papara nga 9/11

VIDEO:NASA kujton 9/11

KOMENTE