English

Për ekonomi prodhuese dhe kundër pazareve qeveritare me Serbinë

Fjalimi i Albin Kurtit në hapje të Mbledhjes së Dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Lëvizja jonë është subjekti më demokratik dhe më politik në Kosovë. Së pari, kemi funksionimin demokratik të strukturës sonë, prej mbledhjeve e vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm e deri tek ato të Këshillave të Pikave anekënd Kosovës. Së dyti, kemi diskutimet emancipuese politike nëpër të gjitha forumet dhe takimet tona. Në këtë mënyrë, ne e kemi demokratizuar së brendshmi politikën e VETËVENDOSJE!-s dhe e kemi politizuar demokracinë e brendshme të Lëvizjes. Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë njëkohësisht shkollë politike dhe parlament demokratik. Gjatë kësaj kohe, e koha për neve është aktivitet, ne kemi mësuar prej qytetarëve dhe i kemi mësuar ata. Dhe, si çdo mësim, edhe ky yni nuk bëhet pa shembuj. Shembulli kanë qenë dhe janë vetë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Me punën dhe modestinë e tyre, me guximin dhe argumentimin e tyre. Jo çdo qytetar është aktivist, por çdo aktivist është qytetar. Duke qenë aktivisti gjithnjë e më shumë qytetar, gjithnjë e më shumë qytetarë janë bërë aktivistë. Kjo është e domosdoshme sepse të drejtat njëmend gëzohen individualisht, mirëpo ato fitohen veçse kolektivisht. Demokracia direkte ka të bëjë me legjitimitetin. Demokracia përfaqësuese ka të bëjë me efikasitetin. Demokracia përfaqësuese e bën shumicën me delegatë përfaqësues. Demokracia e drejtpërdrejtë e bën shumicën pjesëmarrëse në vendimmarrje. Kjo është arsyeja pse Lëvizja jonë beson që demokracia duhet të jetë edhe pjesëmarrëse e direkte dhe jo vetëm përfaqësuese. Sepse, pronësia mbi proceset politike është edhe më e rëndësishme sesa përfaqësimi në proceset politike. Përderisa përfaqësimi në proceset politike është liri e shprehjes, pronësia mbi proceset politike është shprehje e lirisë. Me programin dhe qëndrimet e saj, me kritikën dhe idetë e saj, Lëvizja jonë po ia kthen historinë politikës dhe po ia kthen politikën ekonomisë. Sepse nëse e mbajmë politikën të shkëputur nga historia do t’i përsërisim gabimet e vjetra. Kurse nëse e mbajmë ekonominë të shkëputur nga politika do të kemi humbje të reja. Kur Qeveria e Kosovës thotë që neoliberalizmi është zgjidhja ekonomike, pra privatizimi i egër dhe hapja e kufijve për gjithfarë mallrash të huaja e sidomos nëse vijnë prej Serbisë, ne themi që neoliberalizmi është vetë problemi. Kur Qeveria e Kosovës thotë që bisedimet me Serbinë janë zgjidhja politike, pra marrëveshjet me të për çështjet e brendshme të Kosovës, ne themi që këto bisedime janë, sërish, vetë problemi. Pra, zgjidhjet që po na i ofron Qeveria e Kosovës janë problemi i Kosovës. Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk i shohim marrëdhëniet ekonomike të shkëputura nga konteksti i tyre social. Nëse gjithçka ia lëmë tregut, atëherë njeriu në treg është gjithmonë konsumator e rrallë punëtor. Duke iu nënshtruar tregut i nënshtrohemi intencës që punëtori të mbahet në treg por jo edhe në vend pune. Qasja ekonomike e Qeverisë së Kosovës nuk i punëson njerëzit dhe i varfëron ata. Privatizimi i egër e rrit posesivitetin e njerëzve: njerëzit janë ajo që kanë; njerëzit bëhen ajo që kanë; ndërkohë që njerëzit kanë gjithnjë e më pak. Për dallim nga Qeveria neoliberale e Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! beson dhe angazhohet për zhvillim ekonomik që bazohet në prodhim vendor, zejtari, bujqësi dhe industri vendore të zhvilluar, e cila punëson qytetarët tanë dhe rrit mirëqenien e shoqërisë. Kur flasim për investimet kapitale, rrugët e kombit sigurisht se janë të nevojshme, porse rrugët e kombit pa fabrikat e kombit shndërrohen në infrastrukturë për zhvillim ekonomik të kombeve tjera. Ne nuk jemi kundër kombeve të tjera, mirëpo nëse ne nuk jemi para së gjithash e mbi të gjitha për veten tonë, kush do të jetë për neve?! Qeveria e Kosovës na e ka dëshmuar që është vetëm për vete. Kontrata e Bechtel-Enkas me Qeverinë është si një kontratë paqeje apo marrëveshje paqeje midis ushtrish ku njëra prej tyre ka kapitulluar dhe i pranon tash kushtet e përcaktuara nga pala fituese. Mirëpo, ne e dimë që Kosova s’ka humbur kurrfarë lufte dhe e dimë që Kosova nuk i ka kujt borxh. Janë këta qeveritarë që duket se kanë borxhe për mbetjen e tyre në pushtet prandaj po i lajnë ato me paratë e Kosovës. Borxhet e tyre, qeveritarët e politikanët e tjerë le t’i lajnë me paratë e veta e jo me paratë e Kosovës. Prokuroria në Kosovë nuk vepron, prandaj Kosova nuk është shtet i së drejtës që ka sundim të ligjit por sundim të qeverisë me e pa ligj. Prej kallëzimeve tona penale kundër strukturave ilegale e armiqësore të Serbisë e deri te denoncimet tona të korrupsionit multimilionësh përmes kontratës me Bechtel-Enka, prokuroria gjithnjë ka heshtur! Në anën tjetër, ky dialogu me Serbinë ka efekt centrifugal për territorin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Sa më shumë që po bisedohet me Serbinë, aq më shumë humbim territor dhe aq më tepër jofunksional po bëhet shteti ynë. Bisedimet pa kushte për Serbinë s’mund të jenë bisedime parimore dhe gjithsesi janë bisedime të dëmshme. Politika e Qeverisë së Kosovës karshi Serbisë është që ta shtyjë sa më fort Serbinë kah BE-ja sepse ajo e sheh këtë gjë si të vetmen rrugë të njohjes së Kosovës nga Serbia. Pra, është vetë Qeveria e Kosovës ajo që është e interesuar për Serbinë në BE edhe më shumë se vetë Serbia. Mirëpo, këta qeveritarë harrojnë që kështu edhe nëse Serbia të njeh në fund, ajo nuk të lëshon edhe pasi që të njeh. Bosnja që ka ulëse në OKB dhe e njohin të gjithë, por as nuk është sovrane dhe është e ndarë përbrenda, dëshmon për këtë gjë. Ata që thanë se pavarësia dhe shpallja e saj ishte sui generis, tash me këto bisedime po na bëjnë për gjithçka sui generis – pra, sui generis në vula, sui generis në diploma të universitetit, sui generis në regjistrat civilë e librat kadastralë, sui generis në tabelat e automjeteve, sui generis në kufijtë e shtetit, e tash synojnë të na bëjnë sui generis edhe për çështjet e energjisë elektrike, telekomunikacionit, dhe për çkado tjetër që i nevojitet Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Duke e synuar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes këtyre bisedimeve në Bruksel, Kosovës po i vuloset abnormaliteti. Shqiptarët nuk e kanë përshtypjen që Serbia ka ndryshuar. Serbia nuk e ka përshtypjen që shqiptarët kanë ndryshuar. Këto bisedime sigurisht që nuk po bëhen në mënyrë që Serbia e shqiptarët të njoftohen apo të njihen më mirë. Këto bisedime po bëhen në mënyrë që Serbia t’i afrohet BE-së, që veriu i Kosovës t’i afrohet Serbisë dhe që kryeministri Thaçi të mbetet i përdorshëm për BE-në. Kryeministri Thaçi po i ndali bisedimet me Serbinë bëhet i papërdorshëm për Brukselin dhe menjëherë i rrezikohet pakthyeshëm pushteti. Nga synimi për pavarësimin nga Serbia duke qenë të pavarur nga Shqipëria, dolëm me Planin e Ahtisaarit dhe s’po mund të ndalemi me aq: erdhën 6 Pikëshi, Protokolli EULEX-Serbi, bisedimet e reja me Serbinë etj. Nga pozita e Kosovës pra që vepron ndaras prej Shqipërisë po përfundojmë drejt legalizimit të ndarjes së brendshme të Kosovës në negociata me Serbinë që s’mbarojnë asnjëherë. Lëvizja VETËVENDOSJE! beson dhe punon për të kundërtën e kësaj: ne themi se me ndihmën e Shqipërisë Kosova do të mund të bëhej sovrane dhe nga pozita e një shteti sovran t’i bashkohej Shqipërisë mandej. Qeveria e Kosovës është e pashpresë në këtë pikë. Sepse, në vend të shtetndërtimit, Qeveria e Kosovës angazhohet veçse për pushtetmbajtje. Të gjithë e dimë që pushteti është më i vjetër se politika. Por Kosovës i nevojitet një politikë e re që tregon se sa i vjetër është ky pushtet. Vetëvendosja është zgjidhja, sepse vetëvendosja e shtron problemin siç duhet. Vetëvendosja nis si kusht i zgjidhjes së problemeve dhe nuk mbaron vetëm si garanci e zgjidhjes së tyre. Kudo në botë e në jetë, padrejtësia ndjehet, ndërkaq drejtësia imagjinohet. E drejta e vetëvendosjes është imagjinata e drejtë. Më shumë se vetëvendosja, është më pak se vetëvendosje. Në vijim Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj do të njoftojë për punën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mes të dy mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm, kurse më pastaj unë do ta prezantoj për diskutim dhe miratim planin strategjik për periudhën shtator 2011 – mars 2012.

KOMENTE