English

E vërteta lakuriq

Nga Thomas Friedman Kishore Mahhubani, një diplomat i pensionuar singaporian, ka publikuar të hënën në “The Financial Times” një ese provokuese që nisi pak a shumë kështu: “Diktatorët po bien. Demokracitë po dështojnë. Një rastësi kureshtare?” “Pra, pse demokracitë po dështojnë në të njëjtën kohë? Përgjigjja është e thjeshtë: edhe demokracitë kanë thënë gënjeshtra”

Kishore Mahhubani, një diplomat i pensionuar singaporian, ka publikuar të hënën në “The Financial Times” një ese provokuese që nisi pak a shumë kështu: “Diktatorët po bien. Demokracitë po dështojnë. Një rastësi kureshtare?”. Ose mbase kjo është një shenjë se diçka themelore ka ndryshuar në karakterin e historisë njerëzore. Unë besoj kështu. Si mbijetojnë diktatorët? Ata tregojnë gënjeshtra. Muammar Gaddafi ishte njëri prej gënjeshtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai pretendonte se populli i tij e donte. Ai madje kishte kapur për dore çdo vegël informacioni me qëllim që të mos u lejonte asnjë alternativë rrëfimi. Pastaj telefoni i thjeshtë celular ua lejoi atyre të lidheshin. E vërteta u përhap me të madhe dhe zhveshi të gjitha gënjeshtrat që koloneli i kishte emetuar nëpërmjet valëve ajrore.

“Pra, pse demokracitë po dështojnë në të njëjtën kohë? Përgjigjja është e thjeshtë: edhe demokracitë kanë thënë gënjeshtra”.

Mahhubani ka theksuar se “projekti i Eurozonës ishte krijuar mbi një gënjeshtër të madhe’ se vendet do të kenë pavarësi fiskale dhe një union monetar – pa dhimbje. Në të njëjtën kohë, në Amerikë, shtoi Mahhubani, tani rektor në shkollën publike Lee Kuan në Universitetin Kombëtar të Singaporit, “asnjë lider amerikan nuk ka guxim t’ua tregojë njerëzve të vërtetën. I gjithë presupozimi i tyre është i bazuar në pretendimin mitik se ‘rimëkëmbja’ është diku në një qoshe. Në mënyrë implicite, ata thonë se është një recesion normal. Por ama ky nuk është një recesion normal. Nuk do të ketë zgjidhje pa dhimbje. ‘Sakrifica’ do të jetë e domosdoshme dhe amerikanët e dinë fort mirë këtë gjë. Por asnjë lider amerikan s’e bën zemrën gur ta thotë fjalën ‘sakrificë’. Të vërtetat e dhimbshme nuk mund të thuhen”.

Natyrisht, ka një dallim të madh ndërmjet Amerikës dhe Libisë. Ne mund t’i nxjerrim në shesh gënjeshtrat tona, ndryshe nga disa vende arabe – dhe aziatike. Megjithatë, krahasimi i Mahhubanit ka nxitur një refleksion këtë javë, që rastis me dhjetëvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit dhe me fjalimin e Presidentit për vendet e reja të punës. Është një javë e jashtëzakonshme për tregimin shkoqur të vërtetës.

A e mbani ju mend herën e fundit kur një lider kombëtar na ka shikuar në sy dhe na ka thënë se nuk do të ketë zgjidhje të lehta për problemet tona të mëdha, se jemi rrasur në këtë rrëmujë duke qenë të fiksuar pas dy dekadave tona të përqendrimit në ideologji strikte, dhe se do të na duhen edhe pesë vjet të merremi me punë jetike dhe ta pranojmë një standard më të ulët jetese?

Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme për ta thënë edhe në dhjetëvjetorin e 11 shtatorit, edhe në fjalimin e Presidentit. Mbi të gjitha, këto janë çështje që ndërlidhen. Pse kjo ka qenë një dekadë e humbur? Një përgjigje mund të gjendet në një krahasim të thjeshtë: Si e përdorën Dwight Eisenhoveri dhe pasuesit e tij luftën e ftohtë dhe si e përdori George W. Bushi 11 shtatorin.

Amerikës iu desh t’i hidhte në dy gjunjët rusët gjatë kohës së luftës së ftohtë. Amerikës iu desh t’i kundërpërgjigjej 11 shtatorit dhe kërcënimit të Al-Kaedas. Por ndryshimi kritik ndërmjet këtyre të dyjave ishte ky: duke filluar me Eisenhoverin dhe në njëfarë forme secili President pasues të kohës së luftës së ftohtë përdorën luftën e ftohtë dhe kërcënimin rus si një arsye dhe motivues për të bërë gjëra të përbashkëta dhe të vështira në shtëpi – të bënin shtetndërtimin në Amerikë. E përdorëm për të ndërtuar autostrada ndërshtetërore, ta dërgonim një njeri në hënë, t’i tejkalonim kufijtë e shkencës, të mësonim gjuhë të reja, të ruanim disiplinën fiskale dhe, kur të jetë e nevojshme, të rrisnim taksat. Fituam luftën e ftohtë me aksion kolektiv.

Georg W. Bush bëri pikërisht të kundërtën. Përdori 11 shtatorin si një arsyetim për taksa më të ulëta, për të filluar dy luftëra që – për herë të parë në historinë tonë – nuk janë paguar me ngritje taksash, dhe për të krijuar një sistem të ri të kujdesit shëndetësor. Paramendojeni ku do të ishim sot sikur në mëngjesin e 12 shtatorit të vitit 2001, Bushi do të njoftonte vendimin (sikurse kishim avokuar disa prej nesh) një “taksë patriotike” prej një dollarësh në galon të gazit të paguar për edukim, infrastrukturë dhe kërkim qeveritar, për të ndihmuar financiarisht luftërat tona dhe ta hiqnim qafe varësinë tonë nga nafta e Lindjes së Mesme. Benzina më 11 shtatorSHBA ishte mesatarisht 1.66 dollarë për galon.

Por në vend se ta përdorte 11 shtatorin si adresim të shtetndërtimit në shtëpi, Bushi e përdori atë si një arsyetim para partisë së tij – për t’i ulur dyfish taksat për të pasurit, të cilët jo vetëm që nuk kishin ndihmuar në rritjen e standardeve të jetesës së amerikanëve, por tani na kishin lënë me një lak të ngushtuar. Madje, ai favorizoi gjysmën e njëpërqindëshit të popullsisë amerikane, duke u krijuar lehtësira, e të tjerët – kalojeni mirë.

Përdorëm luftën e ftohtë për të shkelur në Hënë dhe nxitëm industri të reja. Përdorëm 11 shtatorin për të prodhuar më shumë skanerë trupi dhe numër më të madh agjentësh. Do të mbahet mend si një prej mundësive më të mira të humbura për çdo presidencë – përgjithmonë.

Shpresa ime është se Obama do të vërë një shembull dhe do ta tregojë të vërtetën e rëndë, por të ftohtë para prindërve dhe fëmijëve. E di. Ndershmëria, na është thënë, është vetëvrasje politike. Por meqë secila zgjidhje po bëhet më e vështirë në tavolinë, atëherë edhe rënia jonë kombëtare do të jetë edhe më shpejt qysh në tavolinë. Publiku amerikan është i gatshëm të pranojë edhe premtime të ndershme si ai i Michele Bachmann se do ta vendoste taksën prej dy dollarësh në një galon benzine.

Njëherë e mirë, zoti President, le të fillojmë një debat me të vërtetën. Aman, tregona se çfarë përnjëmend mendoni se duhet të japim që të dalim prej kësaj ngecjeje, çfarë aksioni kolektiv dhe çfarë sakrifice na duhet të bëjmë dhe pse ajo do të na çojë – jo vetëm që do të na zvarritë nëpër baltë – drejt rimëkëmbjes së madhështisë së Amerikës.

(Autori është kolumnist i gazetës “The New York Times”. “Koha Ditore” ka të drejtën e përkthimit të shkrimeve të gazetës njujorkeze.)

KOMENTE