English

Tentojnë të arratisen nga burgu, katër të dënuar me burgim të përjetshëm

Fushë-Krujë, 20 shtator 2011, NOA – Si në një situatë të njohur filmike, katër të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm tentuan të arratisen në orët e para të mëngjesit të sotëm nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Ngjarja ndodhi në orën 04:45 në IEVP Fushë Krujë. Burime nga burgu i Fushë-Krujës bënë me dije se për të vënë në jetë arratisjen të burgosurit kishin dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares me diamant prerës dhe kanë dalë nga dhoma, poshtë dritares së tyre. Por në këtë moment ata janë vënë re nga polici i shërbimit, i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të policisë së burgjeve. Katër të dënuarit janë neutralizuar menjëherë, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre. Pas kapjes së tyre forcat e sigurisë i kanë izoluar ata në dhoma të veçanta. Katër të dënuarit janë: Altin Tahir Kodra, i dtl. 1975, lindur e banues në Shkodër, dënuar me 22 vjet heqje lirie për veprat penale të parashikuara nga nenet 76, 278/2, me siguri të lartë; Gëzim Gjergj Guri, i dtl. 1977, lindur e banues në Shkodër, dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79, 140 të K. Penal, me siguri të lartë; Fran Pal Marashi, i dtl. 1978, lindur e banues ne Shkodër, dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/c, 11/2, 323, 333, 334 të K. Penal, me siguri të lartë; Prel Mark Vucaj, i dtl. 1972, lindur e banues ne Shkodër, dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të parashikuara nga nenet 141, 278/2 të K. Penal, me siguri të lartë. Forcat e policisë në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës kanë njoftuar organet e prokurorisë që do të ndjekin më pas procedurat hetimore për zbardhjen e ngjarjes. mit/NOA

KOMENTE