English

Vizionari dogmatik

Gjatë 10 viteve të para te Arsenali, Wenger shihej, të paktën nga tifozët e skuadrës, si një lloj gjeniu enciklopedist. Në sezonin e parë si trajner, 1997-’98, fitoi dy trofe dhe e përsëriti këtë edhe katër vjet më vonë. Dy vjet pas kësaj, “Të pamposhturit” nuk u mundën asnjëherë gjatë gjithë sezonit futbollistik. Këto ishin arritje të paharrueshme duke marrë edhe më shumë shkëlqim nga stili magjepsës i futbollit te i cili këmbëngulte Wenger

Nga Andrew Anthony

Më parë Arsenali njihej si skuadër e ashpër, efektive, mjeshtërore; e prerë në marrjen e një fitoreje të llojit 1-0. Por duke zbuluar talente të reja nga e gjithë bota dhe në veçanti në Francë, atdheun e tij, dhe duke ndërtuar mbi bazën solide që trashëgoi Wenger e shndërroi klubin në një prej ekipeve me futbollin më tërheqës në Europë. E bëri këtë duke e zbatuar ngadalë vizionin e tij në çdo detaj të klubit; nga menuja e darkës te trajneri i gjimnastikës e deri te dizajni i fushave të stërvitjes. Duke qenë se fillimisht ishte i panjohur për shumicën e lojtarëve, meqë vinte nga errësira e ligës japoneze, kjo ishte një detyrë e vështirë, e bërë edhe më shumë e tillë nga kultura e pijes së pafre që ishte pjesë e trashëgimisë së klubit.

Ai guxoi, për shembull, t’i thoshte Tony Adams-it, kapiten i skuadrës dhe asokohe një alkoolist i reformuar, se i duhej të hante karota në vend të së preferuarës së tij të para ndeshjeve: çokollatës Mars. Por Wenger i bëri për vete lojtarët, sepse, megjithëse vendosmërisht i huaj, idetë e tij ishin të suksesshme. Paradoksi me Wenger-in është se ndërkohë që jep përshtypjen e një intelektuali urban, në fakt është fanatik i futbollit, edhe duke përjashtuar gjithçka tjetër. Askush nuk është më i informuar për lojën, por kritikët argumentojnë se forca e tij është në të njëjtën kohë edhe dobësi, veçanërisht në kohë të vështira, sepse ai nuk priret për të kërkuar mendim tjetër. Asistenti i tij i vjetër Pat Rice nuk është dikush që mund të quhet zë kundërshtues dhe, që kur David Dein ish-zëvendës shefi i klubit u pushua, nuk ka patur një figurë tjetër me të cilin ai të mund të diskutonte rreth panoramës së përgjithshme. Rezultati, thonë kritikët e tij, dhe madje edhe disa prej mbështetësve, është se kokëfortësia e tij është shndërruar në mendjengushtësi.

Sidoqoftë, duhet vënë në dukje diçka frymëzuese: teksa kërkesa që Arsenali të kthehet te disa prej virtyteve tradicionale-agresiviteti, qashtërsia, racionalja-skuadra është shtyrë nga Wenger për të luajtur me kreativitet edhe më të skajshëm. Ai që e filloi si idealist pragmatist u shndërrua, teksa skuadra është ligështuar, në njëfarë puristi utopik. Kur u pyet së fundmi nëse e shihte futbollin si art apo biznes, ai u përgjigj: “më pëlqen fjalia e një filozofi të madh që ka thënë ‘e vetmja mënyrë për t’u përballur me vdekjen është të shndërrosh gjithçka në art’. Ne duhet të përpiqemi që ta bëjmë çdo ditë sa më të bukur të mundemi.”

Çfarëdo që të ndodhë, nuk duhet harruar se Wenger, me efektivitet, ka luftuar në një fushatë, i vetëm kundër modelit fiton-më-i pasuri që ka mbështjellë futbollin e ligave më të mëdha europiane. Dështimet e tij maten vetëm me anë të standardeve të jashtëzakonshme të triumfeve të tij. Dhe ato triumfe, duhet kujtuar gjithashtu, kanë qenë fryt i përkushtimit të papërkulur.

KOMENTE