English

Basha: Do hipotekohen apartamentet/pallatet e reja të Tiranës, nënshkruhet marrëveshja

Tiranë, 22 shtator 2011, NOA – Në Ditën Botërore pa makina, Kryetari i Bashkisë së Tiranës nënshkroi një memorandum për hipotekat me ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Drejtësisë që do t’i japë zgjidhje në një kohë të shkurtër hipotekimit të apartamenteve të reja, banesave të qytetarëve të Tiranës, pallateve të reja ende të pahipotekuara. Marrëveshja e nënshkruar mes kryebashkiakut Lulzim Basha, ministrit Sokol Olldashi dhe ministrit Eduard Halimi, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është një instrument shumë i rëndësishëm për të realizuar hipotekimin e të gjitha banesave, apartamenteve dhe ndërtesave të reja të pahipotekuara në këto vite. “Kjo marrëveshje u shërben të gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë ende hipotekën e apartamentit që kanë blerë”, deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai theksoi se ky është një nga premtimet elektorale të tij, duke nënvizuar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje shënohet një erë e re për qeverisjen lokale, ajo e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror. “Deri dje banorit që ka paguar e blerë banesën i është mohuar e drejta të jetë pronar, por nga firmosja e këtij memorandiumi do të nisë një erë e re”, tha kryebashkiaku, duke nënvizuar se dokumenti në fjalë nga nisja e procesit deri në përfundim do të shërbejë si kolateral edhe për rritjen e investimeve në Tiranë. Kryebashkiaku i Tiranës tha se banorët që i kanë blerë apartamentet e reja nuk do të deprimohen më nga e drejta e patjetërsueshme e pronës. Ai nënvizoi po ashtu se procesi dhe përgatitja e akteve të regjistrimit ka nisur më herët, ndërkohë që BT po përfundon procesin e identifikimit të atyre rasteve kur bashkia është drejtpërdrejt shkaktare e këtij problemi. Zoti Basha nënvizoi se procesi i hipotekimit të apartamenteve e banesave dhe ndërtesave në Tiranë do të nisë në javën e dytë të nëntorit. Këtu kryebashkiaku Basha deklaroi se Bashkia e Tiranës do të kërkojë përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë shkelje, duke saktësuar se është ky institucion vendor i kryeqytetit që ka barrën kryesore të hipotekimit të pjesës më të madhe të banesave. Sipas kryebashkiakut me këtë memorandum zgjidhet problemi i hipotekimit të apartamenteve për 80 përqind të qytetarëve të Tiranës me apartamente ende të pahipotekuara. Basha bëri me dije se për 20 përqind të rasteve do të kërkohet ndihma e qeverisë qendrore. Gjatë konferencës ministri Olldashi deklaroi se me këtë marrëveshje vendoset një mekanizëm bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë, bashkëpunim i cili mungonte në kohën kur Tirana qeverisej nga ish-kryebashkiaku socialist Edi Rama, që drejtoi për 11 vjet këtë bashki. Ndërsa, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi u shpreh se e drejta e qytetarëve mbi pronësinë, siguria mbi pronësinë që ata zotërojnë, janë të drejta themelore që qeveria duhet t’ua sigurojë qytetarit. Sipas Halimit, tashmë me këtë memorandum është detyrë e institucionit të Pasurive të Paluajtshme t’i pajisë qytetarët me dokumentin e hipotekës, ndërsa marrëveshja po sipas tij i hap rrugën hartimit të një sërë aktesh nënligjore mbi pasuritë e paluajtshme që mundësojnë në një kohë të duhur përfundimin e procesit të regjistrimit të tyre. mit/NOA

KOMENTE