English

Gjykata i bindet SHBA-ve, vendos ekstradim për biznesmenin e ish-Bllokut

Tiranë, 23 Shtator 2011 NOA – Gjykata e Rrethit Tiranë, vendosi sot që të pranojë kërkesën e autoriteteve policore amerikane dhe të drejtësisë së SHBA për të ekstraduar biznesmenin shqiptar, Altin Kore. Burime zyrtare nga gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit, i thanë agjencisë NOA se avokatët mbrojtës të të dyshuarit Kore e kundërshtuan vendimin e gjykatës dhe deklaruan se do ta apelojnë atë në shkallët e tjera të gjyqësorit shqiptar. Edhe vetë i pandehuri e ka kundërshtuar vendimin duke deklaruar se ai e konsideronte të papranueshëm ekstradimin në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë në fund të seancës së sotme, gjykata e pranoi kërkesën e palës amerikane dhe njëherazi edhe të prokurorisë shqiptare për të ekstraduar biznesmenin. Altin Kore akuzohet për trafik droge ne bashkëpunim me disa shtetas kolumbianë, në SHBA. 35-vjeçari Kore u arrestua në muajin qershor në Rinas, pak pasi zbriti nga një çarter pasi ai po kthehej nga disa ditë pushime në Antalia të Turqisë. Një fletëarresti e Interpol Uashingtonit solli arrestimin e të kërkuarit, i cili njihet si pronar edhe i një picerie të ish-Bllokut në Tiranë. “Arrestimi i shtetasit Altin Kore është bërë për arsye se nga kontrolli i bërë në sistemin TIMS rezulton se ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Uashingtoni, më datë 3 mars 2011, pasi Gjykata e Teksasit në SHBA ka lëshuar urdhër-arrest për të”, ishte informacioni i dhënë nga policia. Altin Kore akuzohet se është një ndër drejtuesit e një grupi të fuqishëm në shpërndarjen e drogës në Dallas të SHBA-ve. Sipas policisë amerikane, Kore jo vetëm furnizonte Dallasin me kokainë, por siguronte sasi të mëdha kokaine për mafian italiane të Camorra-s. Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet amerikane, mbi Koren rëndojnë akuza, si “bashkëpunim me synim shpërndarjen e kokainës”,“armëmbajtje pa leje, në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike”. Shtypi shqiptar në qershor të këtij viti raportonte se në bazë të hetimeve të kryera në Dallas, ka rezultuar se midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008 në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante sasi kokaine në shumë kilogramë. Hetimet kanë evidentuar se Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës, që lehtësonte marrjen e kokainës nga kartelet meksikane, për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Më 4 maj 2008 Kore kërkoi 3 kg kokainë nga një burim furnizimi. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika në SHBA dhe u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, një sasi lëndësh narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës fshihte lëndët narkotike në qirinj aromatizues, që dërgoheshin me anije në Europë, në kontenierë ngarkesash. Hetimet tregojnë se në total Kore është përgjegjës për 20 deri në 25 kg kokainë të trafikuar. Gjithnjë sipas hetimeve të kryera në SHBA, rezulton se Kore bashkëpunonte me kartelet e drogës në Meksikë, por edhe me pjesëtarë të Camorrës italiane, në mënyrë që droga të trafikohej dhe në Europë. e.t/NOA

KOMENTE