English

Qeveria shqiptare zhgënjen Palestinën, nuk përkrah njohjen e shtetit

Kryeministri Berisha, një ndër qëllimet kryesore gjatë vizitës mbi njëjavore në SHBA, kishte atë të lotimit për shtetin e Kosovës. Refuzimi që i bëri Palestinës, duket se e dëmton përpjekjen e shqiptarëve në shtetin tjetër Tiranë, 24 Shtator 2011 NOA/ Ervin Tirana – Qeveria shqiptare zhgënjen popullin palestinez duke e ushqyer me shpresa për përkrahje të pavarësisë së shtetit të Palestinës dhe deklarim të mëtejshëm, publikisht se është kundër edhe në votë. Pohimin e ka bërë kryeministri ynë, Sali Berisha, në fjalimin që mbajti n ë sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sot në Nju Jork, pak pasi Presidenti Abas i paraqiti audiencës kërkesën e tij për anëtarësimin e Palestinës në OKB. “Qeveria ime e mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur. Por besoj se veprimet e njëanshme nuk do të jenë të dobishme”, - tha Berisha, duke rrëzuar kështu shpresat e Palestinës se Shqipëria, vendi fqinjë i Kosovës që po lobon fort për të pasur sa më shumë njohje nga shtete e tjera, të përkrahte në OKB pavarësinë. Kryeministri ynë siguroi se nuk do të ketë mbështetje zyrtare nga shteti i Shqipërisë ndaj dhe bëri një sugjerim për autoritetet e Palestinës: “Prandaj i bëj thirrje miqve tanë palestinezë të mbështesin deklaratën e djeshme të kuartetit, në të cilën ata paraqitën një udhërrëfyes të qartë veprimesh, për të adresuar këtë çështje thelbësore të kohës sonë”. Kryeministri ynë e kishte paraprirë refuzimin e sotëm edhe pardje kur në një intervistë që i dha radios Zëri i Amerikës, lajmëroi se nuk do të votohet pro pavarësisë së Palestinës. Deklarata erdhi pasi VOA i bëri këtë pyetje: “Këto ditë në Amerikë janë zhvilluar takime të shumta lidhur me kërkesën e pritshme të Presidentit palestinez për njohjen e Palestinës si shtet nga Kombet e Bashkuara. Autoriteti palestinez ka një zyrë përfaqësie në Shqipëri. A ka vendosur qeveria juaj se si do të votojë, pro apo kundër kërkesës për njohjen e shtetit palestinez?”. Kryeministri Berisha që qartësisht u përpoq shumë të mos hidhte poshtë SHBA-të, u përgjigj kështu: “Kjo është një nga çështjet më themelore të këtij sesioni dhe mund të theksoj se Shqipëria dhe, pothuajse, shumica e vendeve të botës janë në favor të një shteti të pavarur palestinez. Por kjo, natyrisht, kërkon një proces ndër më të vështirët dhe më seriozët, një dialog intensiv dhe të suksesshëm. Pra ne mendojmë dhe besojmë se shteti i pavarur palestinez është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve palestinezë, por siç theksoi në fjalën e tij presidenti Barack Obama, kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet shmangieve apo qarqeve të shkurtra. Qëndrimi ynë bazohet në këtë koncept”. Refuzimi i qeverisë shqiptare sigurisht që vjen në një linjë me veton e shpallur nga SHBA-të, përkrahëse ekstreme të Izraelit në të gjithë këtë histori të përgjakshme të dy vendeve në Lindjen e Mesme dhe mund të konsiderohet edhe si tërheqje nga angazhimet e mëhershme. Më 26 shkurt të vitit që shkoi, në kontakt me autoritetet palestineze, z.Berisha ishte shprehur pro shtetit palestinez, krahas atij izraelit, gjë që në fakt edhe u kërkua sot nga presidenti Abas. “Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”, - i tha z.Berisha, Ministrit të Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki dhe delegacionit që e shoqëronte në vizitën që kreu shkurtin e kaluar në Tiranë. Kurse tre vjet më parë, në seminarin me temë “Shqipëria dhe Procesi i Barcelonës”, i organizuar nga Instituti Europian për Mesdheun dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, sërish Shqipëria ishte shprehur bindshëm për një shtet palestinez: “Në rajon aktualisht prej dekadash ekziston konflikti izraelito-palestinez. Për zgjidhjen e tij ka patur dhe ka një angazhim madhor ndërkombëtar, ndoshta më të madh dhe më të fuqishëm se sa për zgjidhjen e çdo konflikti tjetër pasi zgjidhja e këtij konflikti në mënyrë të padisktueshme do të ketë një reflektim madhor pozitiv në paqen dhe stabilitetin në botë. Ky është një konflikt kompleks, por sot ekziston bindja e përgjithshme se zgjidhja e tij kalon në mënyrë të detyrueshme në bashkëjetesën e dy shteteve të pavarura të sigurta; Izraelit dhe shtetit të pavarur palestinez”. Në këtë pikë, situata shihet të jetë jo pak delikate. Vendet arabe kanë premtuar shumë se janë në procedim e sipër të njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës. Dhe nëse numri i madh i vendeve arabe dhe afrikane, mbështetëse të forta të shtetit Palestinez, do të njihte Kosovën, atëherë pranimi në OKB me të drejta të plota do të ishte mëse i arritshëm për shtetin tjetër shqiptar që ende vuan pasojat e mos-njohjes së gjerë ndërkombëtare. Kryeministri Berisha, një ndër qëllimet kryesore gjatë vizitës mbi njëjavore në SHBA, kishte atë të lotimit për shtetin e Kosovës. Refuzimi që i bëri Palestinës, duket se e dëmton përpjekjen e shqiptarëve në shtetin tjetër. e.t/NOA Në foto: Kryeministri Berisha takon Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, zotin Rijad Al-Maliki, 26 shkurt 2010

KOMENTE
  • Rita Kalaja Rishmass13:25 - 25 Shtator 2011
    Personalisht jam per ekzistencen e te dy shteteve, te Palestines e te Izraelit! Jane fqinje e keshtu do te jene sa ekziston ky planeti yne! Qe vite e dekada grinden lufte pa fund per hapesire e %GAZA% Zoti vene dore se Kombet e Bashkuara s"po gjejne zgjidhje ! S"besoj te kete lidhje njohja e Palestines me ate te Kosoves !