English

Haxhinasto viziton Meksikën, nënshkruan dy marrëveshje

Tiranë, 27 shtator 2011, NOA – Nënshkruhen në Meksikë dy marrëveshje për bashkëpunimin në diplomaci mes Shqipërisë dhe Meksikës. Dy protokollet e bashkëpunimit u nënshkruan nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe homologia e tij Patricia Espinosa, gjatë një vizite zyrtare të kryediplomatit shqiptar në Meksikë. Gjatë kësaj vizite zëvendëskryeministri Haxhinasto pati një sërë takimesh, si me kryediplomaten e Meksikës, Kryetarin e Dhomës së Senatorëve, Senatorin Jose Gonzalez Morfin, si dhe me përfaqësues të biznesit meksikan. Gjatë bisedimeve me homologen Espinosa u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në Ballkan, si dhe bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Gjatë takimit u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit midis Akademive Diplomatike. Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet që ekzistojnë midis dy vendeve dhe nënvizoi se ato duhet të zhvillohen më tej, si në aspektin e bashkëpunimit politik e diplomatik. Sipas Haxhinastos nënshkrimi i këtyre dy protokolleve duhet tё pasohet me ndërmarrjen e hapave konkretë, si dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve tё reja për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve dhe heqjen e taksimit tё dyfishtë. Bashkëbiseduesit ndanë tё njëjtin mendim, për forcimin e marrëdhënieve midis komuniteteve tё bizneseve tё dy vendeve, gjë e cila duhet tё konkretizohet me forume ekonomike tё përbashkëta dhe vizita tё ndёrsjellta. “Shqipëria”, tha Haxhinasto, ka potenciale të rëndësishme, akoma të pashfrytëzuara nga komuniteti i biznesit meksikan. Ai ftoi biznesin meksikan qё tё konsiderojё Shqipërinë si portёn hyrëse për gjithë tregun e rajonit tё Ballkanit. Në këtë takim u diskutuan për krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit akademik dhe kulturor, mundësinë e bursave të studimit nga të dy vendet si dhe për marrjen e hapave konkretë për hartimin e Programit të Bashkëpunimit Arsimor, Kulturor dhe Sportiv për periudhën 2011-2014. Ministrja Espinosa, shprehu kënaqësinë për pritjen e një delegacioni të këtij niveli në Meksikë, duke e konsideruar nënshkrimin e dy protokolleve tё bashkëpunimit si një moment historik nё zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ajo, shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e saj për ndjekjen e zbatimit tё këtyre marrëveshjeve, si dhe për realizimin e marrëveshjeve tё tjera me interes reciprok. Nё vazhdim, Ministrja Espinosa u shpreh se Meksika duhet tё konsiderohet si një vend mik dhe mbështetës për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Më tej, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Haxhinasto i parashtroi homologes së tij, politikën e jashtme tё Shqipërisë nё rajon, e cila është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin nё Bashkimin Evropian. Ministri Haxhinasto nënvizoi se pavarësia e Kosovës, ka forcuar mё tej stabilitetin dhe integrimin rajonal, duke mbyllur përfundimisht kapitullin e dhimbshëm tё luftërave nё Ballkan. “Pavarësimi i Kosovës nuk ka qenë një akt unilateral, por në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe shënoi aktin final të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, tha ministri i punëve të Jashtme. Ai informoi homologen se Shqipëria ka aplikuar për të marrë statusin e vendit vëzhgues në Organizatën e Shteteve Amerikane, për të cilën ministrja Espinosa dha mbështetjen e plotë. Po ashtu, në takim u fol edhe për bashkëpunimin shumëpalësh, reformën e OKB-së dhe çështje të tjera ndërkombëtare. Nё fund tё takimit, Ministri Haxhinasto ftoi znj. Espinosa për një vizitë zyrtare nё Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi. Më pas zëvendëskryeministri Haxhinasto u takua edhe me Kryetarin e Dhomës së Senatorëve, senatorin Jose Gonzalez Morfin. Senatori Morfin nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit e marrëdhënieve midis Shqipërisë e Meksikës, si dy vende që ndajnë të njëjtat vlera, duke e cilësuar vizitën e ministrit Haxhinasto në Meksikë si një hapje të një faqeje të re në marrëdhëniet midis dy vendeve. Në takim, Ministri Haxhinasto theksoi se “pavarësisht distancës gjeografike, ne jemi vende partnere, sepse ndajmë vlera dhe objektiva të përbashkëta, jo vetëm në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe për çështje globale”. Vizita e zëvendëskryeministrit Haxhinasto në Meksikë u mbyll me një takim me përfaqësues të biznesit meksikan, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të “Promexico” dhe Këshillit meksikan për Tregtinë me Jashtë (COMCE), si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Haxhinasto bëri një prezantim të klimës favorizuese për investimet e huaja në Shqipëri dhe masave të ndërmarra nga ana e Qeverisë për tërheqjen e investimeve direkte të huaja, duke ftuar biznesin meksikan që të investojë në Shqipëri. “Shqipëria ofron mundësi në energji, infrastrukturë rrugore dhe atë hekurudhore, burime minerare, etj., por duhet të kihet parasysh që Shqipëria është pjesë e rëndësishme e tregut ballkanik”, u shpreh Haxhinasto. Biznesmenët meksikanë treguan interes të veçantë për hidrocentralet dhe ndërtimin e gazsjellësve, si dhe shprehën gatishmërinë për të organizuar një forum të përbashkët biznesi Shqipëri-Meksikë. mit/NOA

KOMENTE