English

Kryebashkiaku Basha, homazhe për aktorin Vasillaq Vangjeli

Tiranë, 27 shtator 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u përkul me nderim të martën përpara trupit të pajetë të aktorit të njohur të humorit shqiptar, Vasillaq Vangjeli, gjatë homazheve në Teatrin e Metropolit. "Me Vasillaq Vangjelin, skena shqiptare humbet një prej figurave më të dashura të humorit, që ka ushqyer breza të tërë me humor, buzëqeshje, komedi, aktrim”, u shpreh me këtë rast për median kryebashkiaku Basha. Duke nderuar veprën e aktorit të mirënjohur, Basha e konsideroi humbjen e tij si një humbje për Tiranën, mbarë botën kulturore dhe artistike të vendit dhe për të gjithë kombin. Pasi i shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjes, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit artistik dhe kulturor të vendit, Basha tha se "vepra e tij, kontributi i tij, do të mbahet mend për mahnitjen që provonim edhe përpara se të shqiptonte fjalët e aktrimit, i cili i bashkangjitet panteonit të estradës dhe artit shqiptar. Sjell në kujtesë edhe njëherë nevojën që vepra e tij dhe vepra e humorit, komedisë shqiptare, të gjejnë një vend më të mirë fizikisht, shpirtërisht dhe artistikisht në kryeqytetin tonë dhe zotohem për ta bërë sa më shpejt realitet në partneritet me shoqërinë civile dhe atë qendrore", vijoi ai. a.q/NOA

KOMENTE