English

“Falja e Gjakut” në Oskar, plas sherri mes rivalëve shqiptarë

Tiranë, 30 shtator, NOA – Ndërsa lajmi se filmi i promovuar së fundmi në Tiranë, “Falja e Gjakut”, do të marrë pjesë në konkurrimin për çmimin e madh Oskar ka gëzuar shumë shqiptarë, duket se ka krijuar edhe rezerva në jo pak prej tyre. Fjala është për producentë të tjerë të filmit shqiptar, të cilët pretendojnë gjithashtu për të fituar të drejtën e konkurrimit për çmimin presitigjoz ndërkombëtar në kinematografi.

Kështu, siç bën me dije media “Variety”, dorëzimi i “Faljes së Gjakut” nga ana e Shqipërisë si pretendent për Oskar, ka shkaktuar një protestë zyrtare nga drejtori i njërit prej filmave që nuk e arriti dot një gjë të tillë.

Konkretisht, Bujar Alimani, i "Amnesty", ishte një nga tre pretendentët e tjerë, që i paraqiti një letër me kritika, komisionit përzgjedhës.

Alimani ka shkruajtur: “Falja e Gjakut "nuk i përmbush të gjitha kërkesat e nevojshme nga ana e Akademisë, që nga fakti se drejtori i saj dhe bashkëshkrimtari i tij janë amerikanë, por dhe të tjerë komponentë kryesorë si kinematografisti, kompozitori i muzikës dhe redaktori, janë qytetarë amerikanë".

Sipas tij, ka filma të tjerë shqiptarë që i përmbushnin në fakt, kriteret e përzgjedhjes nga ana e Komitetit.

"Unë me forcë e protestova këtë vendim dhe kërkoj që të skualifikohet 'Falja e Gjakut" nga shqyrtimi për emërimin e tij, si edhe udhëzoj Komitetin në Shqipëri për t'u takuar sërish dhe të marrë një vendim në bazë të kritereve të përcaktuara nga Akademia juaj", pohonte ndër të tjera letra e tij.

Ndërkaq, Komiteti në fjalë, i përbërë nga profesionistë të njohur të industrisë filmike në Shqipëri, si Teodor Laco, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa, ka deklaruar se filmi ishte i gjuhës shqipe, një nga shkruesit e tij Andamion Murataj ishte shqiptar, bashkë-prodhuesi Lissus Media është shqiptar dhe filmi është xhiruar tërësisht në Shqipëri.

Ata shtuan mes të tjerash edhe faktin se "Filmi është pritur mirë nga publiku dhe njësoj nga kritikët për qasjen origjinale dhe të freskët për një çështje ende e rëndësishme për shoqërinë tonë".

n.e/NOA

Në Foto: Pamje nga filmi "Falja e Gjakut"

KOMENTE