English

Censusi, Popovski: Pakicat maqedone të regjistrohen

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA – Në vijim të debatit për regjistrimin e popullsisë ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Popovski apeloi nga Tirana që procesi i censusit të përcaktohet nga perspektivat dhe vlerat europiane. Në këtë suazë duke iu referuar faktit se pakicat maqedone në Shqipëri kanë paralajmëruar bojkotin e këtij procesi, kryediplomati maqedonas i bëri apel pakicave kombëtare maqedonase të regjistrohen. “Perspektivat europiane janë në interesin e të dy vendeve. Vlerat europiane janë ato që duhet të përcaktojnë proceset integruese. Duhet të promovojmë të gjitha vlerat që disponojmë në mënyrë që të integrohemi në BE; duhet të bëjmë gjithçka që të integrohemi në BE”, deklaroi ministri i Jashtëm maqedonas gjatë konferencës së përbashkët me kryediplomatin shqiptar Edmond Haxhinasto, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë. Ndërkohë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto deklaroi se procesi i Censusit në Shqipëri po kryhet në bazë të legjislacionit europian dhe ai ofron të gjithë hapësirën e nevojshme që rezultati të jetë në përputhje të plotë me numrin e vërtetë të pakicave të ndryshme etnike në vend. Duke iu kundërvënë përfaqësuesve të minoritetit grek që kanë deklaruar bojkotin e Censusit, Haxhinasto theksoi se çdo pretendim i kundërt me procesin ligjor të Censusit është me nuanca të forta politike. Ai i cilësoi të panevojshme dhe të parëndësishme këto pretendime kur Censusi ka si qëllim të promovojë politika edhe më të mira për minoritetet etnike që jetojnë në Shqipëri. Gjatë konferencës së përbashkët dy homologët folën për hapa të tjerë të rëndësishëm në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Në qendër të diskutimeve, bëri me dije ministri Haxhinasto ishin përpjekjet maksimale për bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme, dhe mbi të gjitha në funksion të integrimit në BE. “Diskutimi ynë u fokusua në integrimin ekonomik, në shkëmbimet mes dy vendeve, në hapat konkretë për të realizuar lëvizjen pa pasaporta drejt dy vendeve, vetëm me karta identiteti; për lehtësimin e procedurave doganore dhe krijimin e shërbimit më të mirë kufitar mes dy vendeve”, theksoi zëvendëskryeministri Haxhinasto. Ai tha se në qendër të diskutimit ishte edhe Kosova, tensionet në veri të saj, dhe kontributi i shtetit të ri në të mirë të paqes dhe sigurisë. Ndërkohë kryediplomati maqedonas Nikolla Popovski që vjen në Tiranë në kuadër të turit ballkanik, tre muaj pas emërimit të tij si ministër i Jashtëm, deklaroi se “Folëm për krijimin e një qendre kontakti mes dy ministrive të Jashtme si një hap përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Realizimi i projekteve tona është në interes të përbashkët”, tha ministri maqedonas Popovski. Kreu i diplomacisë maqedonase do të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe përfaqësues të minoritetit maqedonas në Shqipëri. Kjo vizitë vjen ndërkohë kur në Shqipëri dhe Maqedoni ka nisur prej 1 tetorit procesi i regjistrimit të popullsisë, i njohur si Censusi. mit/NOA

KOMENTE