English

Qeveria liberalizon tregun e energjisë. Gati ligji i ri

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Qeveria shqiptare bën gati projektligjin për liberalizimin e tregut të energjisë në vend. Ministria e Energjitikës ka tashme gati draftin ku veç të tjerash, është përcaktuar që, përveç Klientëve Tariforë, që furnizohen me energji elektrike me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë, të operojnë edhe Klientët e Kualifikuar, të cilët furnizohen me energji elektrike nga tregu i parregulluar. Këta të fundit ose mund të futen në tregun e lirë vet, ose mund të furnizohen nëpërmjet Furnizuesve të Kualifikuar. Edhe ata pak klientë të kualifikuar, të cilët vepronin në treg përpara një viti, janë kthyer në klientë tariforë, që furnizohen nga ÇEZ Shpërndarje sh.a. me energjinë elektrike të prodhuar apo te siguruar nga KESH sh.a. Kalimi i Klientëve të Kualifikuar, në Klientë Tarifor është vërejtur edhe tek konsumatorët shumë të mëdhenj të energjisë elektrike ose të lidhur në tension të lartë, kryesisht të industrisë minerare dhe asaj të prodhimit të çimentos. Por ky fenomen shoqërohet edhe me transferimin e marrëdhënieve të tyre tregtare, kështu që ata po furnizohen direkt nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/CEZ Shpërndarje sh.a. me energjinë elektrike, që KESH sh.a. i furnizon kësaj shoqërie për plotësimin e nevojave të klientëve tariforë me tarifat përkatëse të rregulluara. Por, nga ana tjeter, kjo ka sjellë një rritje shumë të madhe të kërkesës për energji elektrike, e cila u vërejt gjatë vitit 2011 dhe parashikohet të jetë akoma më e lartë për vitin 2012. Kërkesa e ÇEZ Shpërndarje sh.a. për energji elektrike për këtë vit, për këtë kategori konsumatorësh, parashikohet të jetë rreth 800.000.000 kËh ose rreth 15 % e kërkesës vjetore të kërkuar nga KESH sh.a., pra një rritje mjaft e konsiderueshme. Por kjo shifër nuk përfshin kërkesat e reja për trajtimin si klientë tariforë të konsumatorëve të tjerë industrialë gjatë vitit 2012. Rritja e kësaj kërkese çon, dhe do të çojë edhe më shumë në të ardhmen, në rritjen e kostove, të cilat do të duhet të përballohen nga KESH sh.a., i cili, për të mbuluar këtë kërkesë, do të jetë i detyruar në shumë raste, dhe veçanërisht në ato të mungesës së rreshjeve, pra te uljes së rezervës energjetike, të importojë me çmime tregu, që janë më të larta se kostot e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet e KESH-it. Pra, KESH-i vihet përballë dy detyrimeve: i) të sigurojë energji elektrike për të gjithë kërkesën e shoqërisë ÇEZ Shperndarje sh.a, që është shumë më e lartë se prodhimi i hidrocentraleve të KESH-it dhe ii) të përballojë një kosto më të lartë për sigurimin e saj. Për të riparuar fenomenet prezente në tregun e energjisë, shoqëria KESH sh.a. propozon të ndërhyet në ligjin 9072, datë 22.5.2003” Për sektorin e energjisë elektrike”, ku të përcaktohet që konsumatorët e energjisë elektrike, të lidhur me rrjetin 110 kV e lart të transmetimit të energjisë, si dhe ata, që pavarësisht se nuk janë të lidhur në këtë rrjet, por që konsumojnë mbi 50.000.000 kËh (pesëdhjetë milionë) energji elektrike në vit, të konsiderohen automatikisht Klientë të Kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg të lirë nga Furnizuesit e Kualifikuar. Aktualisht nga Enti Rregullator i Energjisë janë licensuar një numër i konsiderueshëm shoqërish tregtare (mbi 7 të tilla), të cilat mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit me energji elektrike të Klientëve të Kualifikuar në tregun e lirë (me çmime të parregulluara). Pra, sipas METE-s nuk do të kemi vakum në furnizimin me energji elektrike të kësaj kategorie konsumatorësh. Me këtë projektligj, energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapital 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla dhe të mesme. a.q/NOA

KOMENTE