English

Urdhri i Infermierit reagon për shkarkimet në QSUT

Tiranë, 3 tetor, NOA - Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, e vlerëson si një veprim pozitiv edhe në shërbim të reformës në shëndetësi, urdhrin e Drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për lirimin nga detyra të krye/infermierëve dhe krye/laborantëve.

“Reforma në shëndetësi është një reformë e thellë dhe ky veprim i marrë në kuadrin e reformës është pozitiv edhe për shëndetësinë. Do thoni ju pse? Që të jesh një drejtues i mirë në një shërbim duhet të jesh një lider i mirë, të dish të punosh në grup, të dish të ndash përgjegjësi por edhe të mbash përgjegjësi, të njohësh institucionin, shërbimin, detyrat e veta dhe të vartësve, të njohësh legjislacionin për shërbimin ku punon”, shprehet lidhur me një fakt të tillë, presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi.

Sipas tij, “të dish të punosh, të analizosh, të vlerësosh dhe të korrigjosh, vetëm kështu do të arrish cilësinë e kërkuar”.

“Aktualisht suksesi i punës matet me cilësinë e shërbimit me kënaqësinë e pacientit dhe me arritjet e gjithsecilit. Përderisa kujdesi shëndetësor në QSUT dhe ai infermieror nuk është në lartësinë e duhur pse jo, kjo duhet kërkuar edhe tek drejtuesit e këtij kujdesi në nivel qendror dhe në nivel shërbimesh”, shton ai.

Për UISH-në, “një lider i mirë di të punojë në ekip, di të ndajë e të mbajë përgjegjësi, por a i kemi të tillë këta lidera në krye të institucioneve dhe shërbimeve?!”.

“Po të kishim ekipe të tilla institucionet shëndetësore do të menaxhoheshin më mirë dhe do ishin më të suksesshëm në punën e tyre”, shton më tej Skënderi.

Duke theksuar se Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë kërkon zbatimin e ligjit për të gjithë punonjësit kur merren në punë.

Sipas tij, duhet të merren me konkurrim jo vetëm krye/infermierë dhe krye/laborantë patjetër. Por me konkurrim duhet të bëhet çdo vend pune në administratat e institucioneve shëndetësore sepse kështu thotë ligji dhe vetëm kështu do vijë profesionalizmi dhe do mund të rritet cilësia.

“Por ajo që mbetet për t’u bërë dhe për t’u parë në vazhdimësi do jetë serioziteti, ligjshmëria, barazia dhe profesionalizmi që do të trajtohet gjatë zhvillimit të këtyre konkurrimeve.

Krye/infermieri dhe krye/laboranti duhet të dinë mirë që janë përgjegjës për shërbimin 24 orë në 24. Për çdo sjellje etiko-profesionale në kundërshtim me Kodin Etik që manifestohet në shërbimin e tyre nga vartësit e tyre është dhe përgjegjësia e tyre.

Komunikimi jo i mirë me pacientët, braktisja e shërbimit, lëvizjet në orarin e punës, mos ndjekjen në vazhdimësi të kujdesit ndaj pacientit, paraqitja etiko-profesionale janë përgjegjësi e çdo profesionisti por edhe e krye/infermierëve të tyre sepse gjithçka ka të bëjë me mbikëqyrjen nga ana e tyre e gjithë veprimtarisë në shërbim.

E të gjitha këto shpesh çalojnë nëpër shërbime prandaj gjithkush duhet të analizojë punën dhe mundësitë e veta po mundet të rikandidojë në të kundërt të lërë më të mirin”, citon më tej UISH.

Duke përfunduar se “sigurisht ne presim një impakt pozitiv në menaxhimin e kujdesit infermieror, por shpresojmë që në vazhdimësi të reformës kjo cilësi dhe ky konkurrim të kërkohet edhe në të gjitha nivelet e administratës së QSUT, pse jo, kjo eksperiencë pozitive mund të shtrihet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit që janë në juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë e cila drejton krejt reformën në shëndetësi, sepse vetëm kështu do arrijmë suksesin e dëshiruar, reforma duhet të jetë rrënjësore jo e pjesshme, jo me arna”.

n.e/NOA

Në foto: Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë

KOMENTE