Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Hand: Shqipëria ka humbur disa mundësi, sidomos me zgjedhjet
English

Hand: Shqipëria ka humbur disa mundësi, sidomos me zgjedhjet

Uashington, 5 tetor 2011, NOA - Njëzetë vjet pas rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, një prej anëtarëve të delegacionit të parë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara që shkoi në Shqipëri në prag të vendosjes së marrëdhënieve, dhe që ka vëzhguar më pas pothuajse gjithë zgjedhjet në Shqipëri, thotë se vendi ka bërë përparime shumë të mëdha, por mundësitë i ka patur për shumë më tepër. Bob Hand, këshilltar politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” thotë se e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse Shqipëria nuk mund të përparojë më shpejt.

Zoti Hand, këtë javë u mbushën 20 vjet që nga rihapja e Ambasadës amerikane në Tiranë pas një pauze prej disa dekadash pa marrëdhënie gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ju keni qënë anëtar i delegacionit të parë zyrtar amerikan në Shqipëri. Si e kujtoni sot atë periudhë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike?

Ishin momente dramatike. Komisisoni i Helsinkit, që në atë kohë kryesohej nga Senatori Denis DeKonsini, vizitoi Shqipërinë në gusht të vitit 1990. Ai po ashtu shkoi përsëri në Shqipëri në mars 1991, marrëdhëniet atëhere ishin vendosur, por ambasada ende nuk ishte hapur. Para nesh ka shkuar në Shqipëri ligjvënësi Tom Lantosh, në një vizitë më pak zyrtare. Ishte një vizitë dramatike. Ne ndiqnim procesin e Helsinkit, që sot është OSBE-ja. Shqipëria ishte atëhere vendi i vetëm që nuk pranonte të futej në OSBE. Në 1975 kur u krijua organizata, Shqipëria e quante procesin e Helsinkit një komplot sovjeto-amerikan që synonte ndarjen e Evropës. Në fakt ajo bëri të kundërtën. Ishin kohë të bukura, kur shikoje Shqipërinë që po hapej, ashtu siç kishin bërë vendet e tjera në rajon dhe që synonte të anëtarësohej në OSBE dhe të kishte marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara. Më bëri përshtypje kur shkova në Shqipëri se sa mikpritës ishin shqiptarët për amerikanët. Në tre dekadat që punoj pë Komisionin amerikan të Helsinkit, përvoja ime a viteve ’90, duke parë Shqipërinë që po hapej dhe po bëhej pjesë e procesit, është ndoshta përvoja më mbresëlënëse e karrierës sime, që kurrë nuk do ta harroj.

Le të zhvendosemi 20 vjet më pas, në ditët e sotme. Sot marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, sipas deklaratave të të dy palëve, janë të shkëlqyera. Uashingtoni e mbështeti fuqimisht Shqipërinë në NATO dhe disa thonë se pa këtë mbështetje ndoshta Shqipëria nuk do të ishte sot anëtare e aleancës. Për Shqipërinë interesi është i qartë për t’u lidhur me shtetin më të fuqishëm demokratik dhe ekonomik në botë. Por për Shtetet e Bashkuara, cilat janë interesat në Shqipëri?

Ndoshta ngaqë unë punoj për Komisionin e Helsinkit, ne jemi pak më idealistë. Ne nuk i shohim marrëdhëniet domosdoshmërisht se çfarë interesi kemi në një vend, krahasuar me një vend tjetër. Ne duam që të gjitha vendet të jenë demokratike, ku të sundojë ligji dhe të kryejnë reforma politike. Ne duam të jemi pjesë e procesit që çon në përmirësimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe një vendi tjetër. Është në interesin kombëtar të kujdo të kesh sa më shumë miq në botë dhe të bëhesh më pas vend aleat. Ajo që e dallon Shqipërinë, është se nga njëra anë, disa nga sfidat me reformat ishin shumë të mëdha për shkak të së kaluarës komuniste, por nga ana tjetër, dëshira, shpirti i tyre nuk kishte të krahasuar për t’u anëtarësuar në NATO. Shqipëria ishte ndër vendet e pakta që anëtarësimin në NATO e kishte vënë mbi anëtarësimin në B.E. dhe mbante qëndrime të forta në mbështetje të Shteteve të Bashkuara. Pra, në vend që të themi se kemi interesa të ngushta për porte, apo për të patur një qendër në Ballkan, ose diçka të ngjashme, disa prej këtyre janë të vlefshme dhe siç e dimë Shqipëria kontribuon me trupa në NATO, por mbi të gjitha, është ajo që duam të shohim nga gjithë vendet dhe ajo që e bëri përvojën e Shqipërisë të veçantë ishte gatishmëria për të bërë ndryshimet që të futej në NATO dhe dëshira e fortë për këtë. Megjithë polarizimin e madh politik në Shqipëri, një gjë që i bashkon është dëshira për të patur marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe për t’u anëtarësuar në NATO. Si rezultat i kësaj, Shtetet e Bashkuara, në vend të interesave të ngushta, iu përgjigjën një vendi që synonte aktivisht të bëhej anëtar i NATO-s.

Komisioni amerikan i Helsinkit i ka vëzhguar gjithë zgjedhjet në Shqipëri, ato të përgjithshme, dhe ju keni qënë vetë vëzhgues, në të gjitha zgjedhjet me përjashtim të atyre të vitit 2009. Zgjedhjet janë një nga elementët bazë të sistemit demokratik. E gjykuar nga historiku i saj 20 vjeçar me zgjedhjet, si do ta vlerësonit sot demokracinë shqiptare?

Në se do të krahasoja zgjedhjet e fundit që unë kam vëzhguar, ato të 2005 me ato të 1991, unë kam qënë i pranishëm në të gjithë të tjerat midis, dhe jam po ashtu në dijeni të plotë të zgjedhjeve të 2009, në se do t’i krahasosja këto, përmirësimet kanë qënë shumë të mëdha, nuk ka dyshim për këtë. Në 1991, siç mbaj mend, fletët e votimit plotësoheshin me shkrim dore, kishte shqetësime nëse do të kishte fletë-votime të mjaftueshme, apo nëse do të arrinin të shtypeshin, të mos flasim pastaj se sa të lira e të drejta mund të ishin ato. Pra sa i takon infrastrukturës dhe administrimit bazë të zgjedhjeve, ka patur përmirësime të mëdha. Në një përvjetor si ky i tanishmi, mund të thuash se sa të mëdha kanë qënë ndryshimet, sa shumë janë përmirësuar gjërat, por nga ana tjetër, më duhet të them se 20 vjet janë një kohë e gjatë dhe përmirësimet mund të ishin shumë më të mëdha. Vende të tjera kanë bërë përmirësime shumë më të mëdha brenda 10 vjetësh, se sa ka bërë Shqipëria për 20 vjet, përsa u përket zgjedhjeve. Në vitin 2001 unë sugjerova që në zgjedhjet parlamentare të mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Vende të tjera, edhe ato që kanë kaluar rishtazi në demokraci e kanë bërë këtë pa rrezikuar procesin. Por tani, 10 vjet më pas, Shqipëria nuk është ende gati dhe i duhet të përqëndrohet në sistemin e numërimit të votave duke i monitoruar ato me video në mënyrë që ruajë integritetin e procesit. Megjithë masat që janë synuar të ndërmerren, problemet ende vazhdojnë për shkak të mungesës së besimit. Dhe ky besim duhet të jetë pjesë e sistemit elektoral nga të gjitha palët. Pra përparime ka patur, por ato mund të ishin shumë më të mëdha dhe ky është zhgënjimi që unë kam tani me Shqipërinë, se mund të kishte bërë më shumë, si përsa u përket zgjedhjeve ashtu edhe zhvillimeve të tjera demokratike, si sundimi i ligjit dhe çështjet gjyqësore, për të cilat duhet bërë shumë e shumë më tepër. Pikërisht në këtë aspekt, shqiptarët duhet ta lënë të kaluarën pas. Unë e kam të vështirë t’u jap shqqiptarëve leksione demokracie, pasi unë nuk kam përjetuar vuajtjet e tyre nën komunizëm. Por në këtë 20 vjeçar që Shqipëria u bë demokraci pluraliste është formuar një brez i ri dhe e kaluara nuk mund të përdoret më si justifikim se përse vendi nuk mund të ecë më shumë. Shqipëria mund të ecë shumë më shpejt përpara. Nuk ka më konflikte rajonale si në vitet ’90, periudha komuniste ka mbetur shumë pas dhe ka ardhur koha që vendi të reflektojë dhe të përparojë me shpejtësi për zgjedhjet dhe aspektet e tjera të demokracisë.

Si vëzhgues i hershëm i zhvillimeve në Shqipëri, si e shpjegoni këtë polarizim kaq të madh mes dy forcave kryesore politike, që duket se është në bazë të të gjithë problemeve që ka kaluar vendi këto 20 vjet?

Ka të bëjë disi me të kaluarën që përmenda. Shumë drejtues politikë, ose të tjerë brenda partive, edhe pse mund të ketë më të rinj në krye, por poshtë tyre ka figura që vijnë nga epoka komuniste, kanë ruajtur atë mentalitet. Edhe pse nuk janë komunistë, në një farë mënyre vazhdon mentaliti kufizues dhe kjo krijon emocione për ta, mungesë besimi, ndjenjë hakmarrjeje dhe kjo ka ndikuar në tejzgjatjen e kësaj klime thellësisht të polarizuar. Kjo klimë ka penguar seriozisht zhvillimin e shoqërisë civile, ku ose duhet të jesh me njerën anë ose me tjetrën dhe nuk mund të jesh në mes, për të mirën e vetë vendit. Dhe njerëz të tillë nuk mungojnë, por aftësia e tyre për të bërë diçka është shumë e kufizuar, pasi vetë shoqëria është polarizuar dhe mbahet e polarizuar kryesisht nga partitë politike. Por unë jam optimist se brezat e rinj të votuesve do të ngrenë zërin, do të refuzojnë të jenë pjesë e kësaj klime dhe do të kërkojnë ndershmëri nga udhëheqësit, do të kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme të mirë për fëmijët e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit dhe jo akuza reciproke siç shohim sot, apo protesta rruge, apo problemet e tjera me të cilat ndeshet Shqipëria si korrupsioni.

A mendoni se ka një element ekonomik në këtë polarizim, që e sheh pushtetin si një mjet për t’u pasuruar me shpejtësi?

Po besoj se kjo është e vërtetë. Në Shqipëri, në se je në pushtet, në se je pjesë e elitës politike, ose ke pushtet në nivel lokal, dhe aq më shumë në atë qendror, ke shumë përfitime që vijnë me postin dhe mundësi për të fituar para padrejtësisht, përmes kontratave, a formave të tjera. Pjesë e problemit është se ata që vijnë në pushtet, u pëlqejnë gjithë këto dhe humbasin ndjenjën e përgjegjësisë para popullit, shohin avantazhet për vete dhe kur vijnë zgjedhjet dhe bashkë me to edhe mundësia e humbjes së përfitimeve, duke qënë se është në natyrën njerëzore që nuk të pëlqen të kthehesh mbrapsht e të detyrohesh të gjesh punë, kjo e bën më të vështirë ndryshimin politik. Këtu ekziston një ndryshim i madh për shembull me situatën në Amerikë, ku ndonëse ka shumë kritika për qeverinë federale, ata që punojnë në sektorin publik fitojnë më pak se sa ata në sektorin privat dhe shpesh njerëzit largohen nga qeveria për të shkuar në sektorin privat, për të patur më shumë të ardhura. Në se fiton shumë dhe ke gjithë këto përfitime duke qënë në qeveri, duke patur pushtet, pashmangshmërisht kjo të çon në korrupsion, të bën të jesh gjithnjë e më pak i përgjegjshëm para popullit dhe më pak i prirur të pranosh ndryshimin, nëse njerëzit votojnë për të patur një udhëheqje tjetër.

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

KOMENTE