English

Vetëvendosje: Qeveria lejon mallrat serbe të mbysin prodhimin vendas

E enjte, 6 tetor 2011, NOA- Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në magjistralen Besianë Prishtinë, afër fshatit Lupç, rrotulluan sërish një maune me mallra serbe, me tabela të Serbisë, të ngarkuar me materiale ndërtimore. Sipas Vetëvendosjes kjo Qeveri e cila po i toleron strukturat ilegale të Serbisë, po i vazhdon negociatat pa kushte me një shtet armik, i cili nuk njeh ekzistencën, për më tepër ka edhe gatishmërinë për të hyrë në dialog politik me Serbinë, nuk ka as vullnet e as qëllim t’i mbrojë interesat e popullit e të vendit. Më tej theksohet se, Qeveria e Kosovës nuk po e mbron interesin e shtetit dhe të popullit të Kosovës, për më keq po i lejon mallrat e Serbisë ta vërshojnë tregun e Kosovës e ta mbysin prodhimin vendor. “Bilanci tregtar në raport me Serbinë që nga data 16 shtator është mbi 2000 maune me mallra serbe, me 40 maune me mallra të Kosovës, të shantazhuar të përdorin dokumentet e strukturave ilegale serbe në Kosovë. Në një situatë të tillë, qytetarët dhe subjektet politike janë të detyruar të mbrojnë interesin politik dhe ekonomik të vendit”, thekson Vetëvendosje. Në përfundim nga ana e kësaj lëvizje thuhet se, në mungesë të veprimeve nga ana e institucioneve të Kosovës, do të vazhdojnë aksionet tona politike, kundër të gjitha veprimeve në dëm të ekonomisë dhe shtetit. a.y/NOA

KOMENTE