English

Al Kharafi: Kuvajti së shpejti do njohë Kosovën

Prishtinë, 8 tetor 2011, NOA - Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit Jassem Mohammad Al Kharafi deklaroi nga Prishtina se Kuvajti së shpejti do të njohë zyrtarisht Kosovën si shtet i pavarur. Kryeparlamentari i Kuvajtit bëri me dije se njohjen e Kosovës do ta bëjë publike vetë Kryeministri i Kuvajtit në ditët e ardhshme. Al Kharafi në krye të delegacionit kuvajtian që po viziton Kosovën theksoi se njohja e Kosovës do të sjellë dobi për të dyja vendet. “Duhet të ecim me hapa të konkretë në thellimin e bashkëpunimit. Në këtë aspekt deputetët e dy parlamenteve i pret një angazhim i madh posaçërisht, pasi ata duhet të kompensojnë atë që është humbur deri në njohjen e Kosovës. Shumë shpejt pas njohjes së Kosovës duhet të pasojnë edhe vizitat reciproke nga udhëheqësit e të dy vendeve për të kompensuar atë që është humbur”, theksoi kryeparlamentari Al Kharafi gjatë takimeve në Kosovë. Në krye të vizitës dyditore në Kosovë delegacioni parlamentar i Kuvajtit u prit në aeroportin e Prishtinës nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, dhe ambasadori i Kuvajtit në prishtinë, Mohammad Fadel Khalaf, etj. Pas ceremonisë së mikpritjes në Kuvendin e Kosovës dhe takimit kokëkokë me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, dy homologët dhanë një konferencë për mediat. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi shprehu mirënjohjen dhe nderimin e Kuvendit të Kosovës për këtë vizitë, duke nënvizuar se një vizitë e tillë flet për miqësinë mes Kosovës dhe Kuvajtit. Kryeparlamentari Krasniqi vuri në dukje se kjo nënkupton se Kuvajti e ka njohur Kosovën, porse këtë duhet ta formalizojë Qeveria e Kuvajtit, që siç tha ai, pritet ta bëjë së shpejti për t’i hapur edhe më tej udhë, bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeparlamentari kuvajtian Jassem Mohammad Al Kharafi e nisi kështu komentin e tij: “Kemi pasur kënaqësinë e veçantë që vitin e kaluar kryetari i Parlamentit të Kosovës vizitoi Kuvajtin dhe pati nderin që ta takojë edhe Princin e Kuvajtin, Sabah el Ahmed. Në atë kohë, kryetari i Parlamentit të Kosovës e pati pyetur Princin e Kuvajtit se kur do ta njohë Kosovën. Me kënaqësi dhe sinqeritet përgjigjja e Princit ishte se ne po presim rezultatin e Gjykatës Ndërkombëtare”, tha kryeparlamentari kuvajtian. Ai risolli në vëmendje se vetë Kryeministri i Kuvajtit i kishte bërë të ditur kryeministrit të Kosovës se posa të kthehet në Kuvajt, do të ketë një takim me ministrat e vet ku do të bëjë publike edhe njohjen e Kosovës. “Kryeministri i Kuvajtit më ka njoftuar se udhëzimet e Princit të Kuvajtit kanë qenë dhe janë drejt njohjes së Kosovës dhe në ditët e caktuara, të ardhshme, do të jetë edhe njohja e Kosovës zyrtarisht. Shpresoj që të kemi dobi të dyja vendet, para njohjes, edhe pas njohjes. Shpresoj që të mos humbim kohë, si dy vende, që praktikisht të fillojmë me hapa konkretë, drejt zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, vijoi Al Kharafi. Duke folur rreth disa hapave konkretë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kuvajtit pas njohjes së Kosovës, Jassem Mohammad Al Kharafi u shpreh se fillimisht do të këmbehen vizita e pastaj do të nisin të diskutohen e nënshkruhen marrëveshje tregtare dhe investimesh. Kryeparlamentari i Kuvajtit u takua edhe me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, të cilën e falenderoi për mbështetjen dhe inkurajimin e thellimit të bashkëpunimit dypalësh. mit/NOA

Në foto: Delegacioni parlamentar i Kuvajtit gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

KOMENTE