English

Ç’u bënë heronjtë?

Emri i Kryeministrit mund të mallkohet nga bashkëqytetarët e tij, që kanë dalë në rrugë për ta shprehur dëshpërimin, mirëpo Papandreou po dëshmon heroizëm politik, i cili po mungon gjetkë Nga Christine Ockrent Ne europianët shpesh e harrojmë kulturën tonë të përbashkët: ishte Greqia ajo që shpiku një hero tragjik. Mjerisht, këtyre ditëve heronjtë nuk kanë se ku të gjenden, por një tragjedi sigurisht që ekziston: eurozona është në mëshirë të fatit, tregjet po tkurren, njerëzit po bërtasin nga zhgënjimi nëpër rrugë, europianët dhe amerikanët fajësojnë njëri-tjetrin për paaftësinë e përbashkët në zgjidhjen e krizës financiare. Prandaj, mbase një shpikje më relevante helenike është pikërisht katarsisi, një dëlirje (pastrim) që vetëm një dramë e fuqishme mund ta prodhojë. Le të shpresojmë se kjo mund të funksionojë ende. Drama aktuale në Europë nuk ka të bëjë dhe aq shumë me euron sesa me qeverisjen e saj. Qeveritë duken të pafuqishme, duke mos i sinkronizuar reagimet e tregut me përpjekjet e tyre afatshkurtra për ta ndaluar krizën. Në vend të parandalimit të përhapjes së sëmundjes nga një borxh sovran te tjetri dhe marrjes së masave të domosdoshme në valën e krizës, ato vazhduan të ngatërrohen edhe më shumë. Korrikun e kaluar, udhëheqësit e eurozonës e shpalosën me fanfara një tjetër plan përfundimtar për shpëtimin e Greqisë. Dy muaj më vonë, dhe pas shumë miliarda dollarësh të shkuara dëm, askush nuk dukej ta kishte gjendjen në kontroll. Niveli i besimit te elitat politike dhe ato të biznesit ishte venitur, ndërsa tregjet vazhdonin të ishin në kaos. Demokracia, natyrisht, ka kufizimet e veta, të cilat e zbehin heroizmin politik. Zgjedhje kyçe janë në prag në Europë, e po ashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Politikanët tanë vazhdojnë të flasin sikur ne të ishim në ndonjë planet tjetër. Në Francë, e majta dhe e djathta ende shtiren sikur shteti ka shkopin magjik. Pretendentët, në radhët e socialistëve, për zgjedhjet presidenciale, të caktuara që të mbahen në fillim të tetorit, garojnë në një fushatë dërdëllitjesh joreale, duke bërë thirrje për më shumë disiplinë buxhetore, por po ashtu edhe për më shumë mësues, më shumë oficerë policie dhe më shumë subvencione mirëqenieje. Konservatorët shqetësohen për rating-un e Nicolas Sarkozy-së, madje edhe te ndjekësit e tyre dhe janë në kërkim të një mesazhi shpëtimi. Le të flasë Sarkozy për masat e kursimeve në Greqi në mëngjes; ndërsa për interesat e grupeve të brendshme, pasdite! Le të hidhemi në Europën Jugore. Në Spanjë, vend ku do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në muajin nëntor, kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero është i stërlodhur, dhe si i tillë edhe sillet. Fitorja e konservatorëve është aq e mundshme, saqë lideri i tyre Mariano Rajoy as që lodhet të propozojë zgjidhje më të mirë për vendin e tij. Dhe “indignados” (të zemëruarit) e Puerta del Sol në Madrid, ata të indinjuarit, të rinjtë e arsimuar të dëshpëruar për të gjetur vende pune, nuk kanë krijuar ndonjë rrugëdalje të re politike. Në Itali është edhe më keq. Skandali “bunga bunga” ka filluar t’i lodhë si qytetarët, ashtu edhe politikanët. Silvio Berlusconi vazhdon të ketë telashe, ashtu si edhe gjithë të tjerët. Rating-u kreditor i shtetit sapo është ulur: agjencitë e kreditimit duket se po i kushtojnë më shumë rëndësi qeverisjes sesa kreditimit. Katarsisi, po qe se duam të funksionojë, ka nevojë për dramë dhe personazhe të fuqishme. Në këtë aspekt, Greqia sërish është ajo që i siguron të dyja. Kryeministri George Papandreou ka demonstruar guxim dhe këmbëngulje në përballjen me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale, për të cilën vetë i ati, Andreas Papandreou, dy herë në post, mban përgjegjësi të madhe. Emri i Kryeministrit mund të mallkohet nga bashkëqytetarët e tij, që kanë dalë në rrugë për ta shprehur dëshpërimin, mirëpo Papandreou po dëshmon heroizëm politik, i cili po mungon gjetkë. Duke iu drejtuar biznesmenëve në Berlin në fillim të kësaj jave, ai foli për rilindjen e shtetit të tij dhe sakrificat mbinjerëzore që do të duhen. Tregjet reaguan menjëherë pozitivisht: ato kanë filluar të bëhen pasqyrë të sistemeve tona politike. “Duhet të dini si të flisni me tregjet”, më pati thënë një herë Jacques Delors, themeluesi i euros, duke dënuar mungesën e vizionit dhe vendosmërisë nga gjenerata aktuale e politikëbërësve. “Heronjtë janë të lodhur”, shtoi ai, duke psherëtirë. Prandaj, të shpresojmë se do të kemi një heroinë. Ajo do të ishte Angela Merkel. Votimi në Bundestag të enjten ishte momenti i së vërtetës. Koalicioni i saj po përçahet, partia është e ndarë, ajo vazhdon të humbë zgjedhjet lokale, tabloidet po përhapin Eurofobinë, derisa sistemi federal gjerman e inkurajon atë që të sprovojë vazhdimisht ujërat politike. A mund të vihet ajo përpara një stuhie si Valkyrie, e vendosur ta shpëtojë Europën? Pikërisht një gjë e tillë pritet prej saj. Sarkozy mund ta ketë vullnetin politik, mirëpo atij i mungon buxheti dhe pesha ekonomike. Merkel e vetme mund ta kryejë këtë punë: ajo duhet t’i bindë Parlamentin dhe bashkëqytetarët e saj se është në interesin e tyre ekzistenca e Bashkimit Europian, euros dhe madje edhe e Greqisë. Ka ardhur koha që ajo të vihet në krye të dramës europiane. Po qe se Merkel e bën këtë, atëherë mbase Europa do ta ketë katarsisin për të cilin ka nevojë.

KOMENTE