English

Gra që luftojnë

Nga Eni Vasili Ellen Johnson Sirleaf bashkë me Leymah Gbowee nga Liberia dhe Tawakul Karman nga Jemeni kanë fituar çmimin “Nobel për Paqe”. Ellen Johnson Sirleaf, presidente e Liberisë, është gruaja e parë Presidente e zgjedhur në Afrikë. Leymah Gbowee është aktiviste e paqes në Liberi. Tawakul Karman është një gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut nga Jemeni. Lajmi është pritur me shumë entuziazëm jo vetëm nga simotrat gjinore të vendeve problematike që përfaqësojnë këto gra, por nga të gjitha organizatat e femrave aktive sot, në shoqëri të ndryshme të globit. Nuk është hera e parë që gratë fitojnë çmimin “Nobel për Paqen”. Edhe Nënë Tereza, shenjtorja shqiptare është në listën e 124 njerëzve dhe institucioneve që kanë punuar aq në të mirë të njerëzimit sa të meritojnë një çmim të tillë. Por po të shohësh listën e gjatë të fituesve që nga viti 1901, shikon se sa në minorancë janë gratë në këtë listë. Mazhorancën e kanë meshkujt me 85 çmime të fituara. Gratë janë vetëm 15. Edhe institucionet janë më shumë se gratë. Gjithsej 24 institucione e kanë fituar çmimin e jurisë së “Nobelit”. Lënë mënjanë këto shifra, ajo që të motivon më tepër është se lajmi vjen pikërisht nga tri gra të tre vendeve ku femrat sigurisht kanë beteja thelbësore të të drejtave të tyre për të fituar, për veten dhe gjithë shoqëritë ku jetojnë. Por ky lajm vjen edhe vetëm një javë pas vendimit historik që u mor nga Arabia Saudite që u njeh femrave të drejtën e votës dhe të kandidimit. Pranvera arabe po fillon ndoshta të lulëzojë edhe për gruan arabe. Në mbretërinë ultrakonservatore të Mbretit Abdullah bin Abdul Aziz, të vetmet zgjedhje që zhvillohen janë ato komunale dhe më në fund gratë mund të kandidojnë në to. Në Arabinë Saudite, femrat nuk mund të udhëtojnë, punojnë apo kryejnë ndërhyrje mjekësore pa lejen e meshkujve të familjes. Gjithashtu, ato nuk kanë të drejtë as të ngasin makinën. Një grua në Europë, Amerikë apo Australi bile edhe në Kinën komuniste e ka të vështirë ta besojë një gjë të tillë. Kjo sepse gratë këto beteja aty kanë kohë që i kanë fituar. Në Europë p.sh. revista prestigjioze “Forbes” rendit një grua politikane, të parën ndër gratë më të fuqishme të botës. Pikërisht Angela Merkelin, Kancelaren gjermane, e cila sot ka në duar fatet e një kontinenti të terë në kohën e krizës së vet më të thellë. Ajo sot vlerësohet si një lidere e padiskutueshme e Bashkimit Europian dhe udhëheqëse e forcës reale më të madhe ekonomike në Europë sipas “Forbes”. Sytë e të gjithëve janë përqendruar tek ajo si një ndër aktoret kryesore në betejën për shpëtimin e euros dhe mos shpërbërjen e Bashkimit Europian. Bashkë me një femër tjetër, karizmatiken Christine Lagarde shefen e fondit monetar ndërkombëtar ato përbëjnë dyshen femërore më të pushtetshme sot për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza që ka përfshirë botën. Shekulli i grave është cilësuar 100-vjeçari ku po jetojmë nga sociologët e filozofët bashkëkohës. Por çfarë mund të themi për gratë në Shqipëri sot? Sigurisht, nuk mund të themi që ka ligje që e pengojnë një grua sot të arrijë atje ku ajo mëton. Por një mentalitet gati mesjetar mbizotëron sapo nxjerr këmbën nga unaza e vogël e Tiranës. Krimi në familje që ka gruan kryesisht për viktimë e dëshmon më së miri këtë. Në një studim të disa organizatave joqeveritare për gjendjen e gruas thuhet se: “Gratë në Shqipëri, nuk e perceptojnë veten si të fuqishme ekonomikisht dhe moralisht. E shohin të ardhmen shumë të errët, i frikësohen faktit sesi do të ecin me fëmijët, me ekonominë, me thashethemet që do të fliten nëse divorcohen nga burrat e dhunshëm. I fundit problem që ato shohin është vetvetja, sesi koncepti i tyre për veten është shkatërruar, se si është trazuar shëndeti i tyre mendor dhe stabiliteti emocional”. Por edhe brenda unazës së vogël pikërisht përgjatë bulevardit ku rrinë kryeneçe institucionet më të rëndësishme një luftë e heshtur gjinish zhvillohet çdo ditë. Femra të afta e të mirëshkolluara që duhet të konkurrojnë me një mentalitet mirëfilli mashkullor për të bërë karrierë dhe që përplasen dhimbshëm me pamundësinë. Edhe nëse arrijnë të jenë të suksesshme, të lodhen deri në ezaurim për të ruajtur integritetin në një bashkësi që tenton të njollosë me çdo kusht shumëçka të pastër, gjithmonë qëmtohet një arsye tjetër së pari se aftësitë e saj për të pranuar arritjet. Ky lloj mentaliteti e ka lodhur e margjinalizuar gruan duke e bërë pakicë atje ku fatet mund të ndryshohen. Është e vërtetë që ka femra në politikë, ka në administratë, ka edhe në organizatat e shoqërisë civile. Problemi është sa realisht të pushtetshme janë ato për të ndikuar kur në të njëjtën kohë konkurrojnë për mbijetesën e llojit. Sa të mundur e kanë ato të realizohen e të jenë të lira të vetëshprehen në një mentalitet agresiv maskilist. Sipas studimit të forcave të punës për vitin 2010 të publikuar nga INSTAT, diferenca në pagë midis femrave dhe meshkujve rezulton në një shifër prej 19,2%. Një shifër aspak indiferente për të treguar këtë lloj diferencimi abuziv. Ky lloj mentaliteti e ka bërë edhe gruan e politikës shpeshherë të trembur dhe një “kontorno” të pashijshme të politikës së gatuar kryesisht nga burrat. Duke ua lënë skenën dhe protagonizmin zërave mashkullorë ato dobësojnë forcën dhe pushtetin e tyre për një ndikim aq të nevojshëm sot në shoqërinë shqiptare. Por edhe statistikat flasin vetë. Në Kuvend nga 140 deputetë, 23 ose 16.4% e tyre janë gra, ndërsa në qeveri nga 14 ministra, 1 është grua ose 7.14 %, dhe nga 35 zëvendësministra, 9 janë gra ose 25,7%. Nga 12 prefektura, vetëm njëra prej tyre drejtohet nga një grua. Tetë marsi që kaloi shënoi edhe 100-vjetorin e të parës ditë ndërkombëtare të grave. Por në shumë pjesë të botës ka ende gra që ballafaqohen me sfida edhe më të rënda se gratë që luftonin për të drejtën e votës para më shumë se 100 vjetësh, si për shembull gratë e Egjiptit, Libisë, Irakut dhe Afganistanit që po luftojnë për ndryshime që janë ekuivalent i një lirie dhe demokracie tashmë të mirëkonsoliduar në pjesën më të madhe të globit. Edhe gruaja shqiptare përballet me luftën e saj. Atë të paragjykimit, të keqgjykimit dhe margjinalizimit. Në një betejë të pambyllur me patriarkalizmin, dhunën në familje, varfërinë dhe racizmin ekonomik. *Marrë nga gazeta Shqip

KOMENTE