English

Nobeli i letërsisë një “vjelës” i heshtjes

Jo shumë i njohur për masën e gjerë, por i rëndësishëm për lexuesit me shije: suedezi Tomas Tranströmer, poet me vjersha të shkurta e libra të holla, nderohet me çmimin Nobel për Letërsi

Nga Enver Robelli

1.

Në fillim ishte piskama. Të enjten në orën 12:25 në webfaqen e radiostacionit B92 nga Beogradi u publikua lajmi se Dobrica Qosiqi ishte shpërblyer me çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2011. Krahas lajmit ishte plasuar edhe një link, një vegëz, përmes së cilës popullsia digjitale e planetit mund të shikonte webfaqen e Komitetit të Nobelit. Edhe aty i njëjti njoftim: Qosiqi laureat! Kishte edhe media të tjera, jo vetëm serbe, të cilat e transmetuan këtë lajm. Pas piskamës, filloi hulumtimi. Brenda pak minutash lajmi nuk gjendej më në webfaqen e B92, në faqen zyrtare të Nobelit shkruante se njoftimi se kush është fitues i Nobelit për Letërsi do të bëhet publik në orën 13:00, si çdo vit. Shpejt u pa se lajmi i gëzueshëm për Qosiqin dhe Serbinë nacionaliste ishte një rrenë pothuaj e përsosur. Në mbrëmje, po të enjten, përgjegjësinë për sajimin e lajmit e morën një grup aktivistësh antinacionalistë serbë, të cilët me aksionin e tyre synuan të demaskojnë figurën shoviniste të Dobrica Qosiçit.

2.

Emri i Tomas Tarnstörmer, laureatit të vërtetë për këtë vit, është përmendur ngaherë si kandidat potencial për çmimin Nobel për Letërsi. Për çdo vit në fillim të tetorit gazetat dhe televizionet suedeze dërgonin nga një apo më shumë reporterë para shtëpisë së shkrimtarit. Edhe fqinjët e Tarnstörmer-it tashmë ishin mësuar me zhurmën e përvitshme. Vetë Tarnstörmer njihet si poet i heshtjes. Gjuha e tij është si një lumë i prajshëm, i cili edhe gurgullimën e ka qetësuese. Tarnstörmer është një poet që shkruan me qetësi olimpike, një lirik që gdhend fjalët me maturi dhe i vjel ato prej heshtjes. Krejt vepra e tij poetike ndoshta i mbërrin 500 faqe. Brenda kësaj vepre gjejmë poezi për një mësues të latinishtes, mësuesin e Tarnstörmer-it dhe të shumë artistëve suedezë, të cilin nxënësit e quanin “cjapi” për shkak të mjekrës. Mësuesi mjekrosh kërkonte shumë nga nxënësit, mes tjerash edhe përkthimin e poezive të Horacit, poetit romak. Më vonë Tomas Tarnstörmer kështu i përshkruan përpjekjet e tij dhe të shokëve të klasës për të sjellë në suedisht Horacin: “Tani teksti që vetvetiu shkëlqente ishte zbritur në tokë”. Me gjasë ky është edhe qëndrimi programatik i nobelistit të ri për punën letrare. Letërsia e mirë ec për toke. Arti i të shkruarit jeton nga thjeshtësia, jo nga banaliteti. Thjeshtësia është aftësi për t’i rrokur gjërat në thelb, banaliteti është vetëm një përpjekje joambicioze, triviale. Në letërsinë shqipe një poet i qetësisë dhe thjeshtësisë monumentale është Martin Camaj, i kopjuar dhe i imituar keq nga shumë poetë kosovarë.

3.

Tomas Tarnstörmer është një poet që e zotëron artin e modestisë. Kjo vërehet jo vetëm në poezitë e tij, por që në titujt e veprave: “17 poezi” titullohet një vëllim nga viti 1954, “Enigma e madhe” (2005), “Tinguj dhe gjurmë” (1996), “Detet veriore” (1974). Vepra e Tarnstörmer është përkthyer në mbi 30 gjuhë; në gjuhën shqipe shtëpia botuese “Rilindja” në vitin 1986 nxori vëllimin “Yjësia e bardhë” me poezi të Tomas Tarnstörmer dhe autorit finlandez Paavo Haaviko. Veprën e laureatit të sivjetmë të çmimit Nobel për Letërsi, kuptohet, më së miri e njohin suedezët. Karin Naumann-Magnusson, docente për letërsinë suedeze me banim në Zvicër, kështu e shpjegon veprën e Tarnstörmer: “Ai shkruan me një gjuhë shumë të përqendruar, mbresëlënëse. Veprat e tij janë përplot imazhe, të cilat ai i bart tutje. Janë imazhe vizionare si: ‘…rri varur si një këmishë e zbrazët në tojën e teshave’. (…) Ai përdor imazhe origjinale, befasuese, të cilat janë të qarta dhe të kuptueshme. Stili i shkrimit të tij është mistik. Natyra nordike luan një rol të rëndësishëm. Por edhe muzika – Tarnstörmer fillimisht dëshironte të bëhej muzikant”. Pas suedezëve janë gjermanët ata që marrin vesh më së shumti nga poezia e Tarnstörmer, në veprën e të cilit, krahas elementeve të poezisë nga Azia lindore, shihet veçanërisht ndikimi i mistikës gjermane. Në një tekst të shkurtër, të botuar të premten në gazetën “Süddeutsche Zeitung” të Mynihut, Michael Krüger, shef i shtëpisë botuese Carl Hanser, e cila ka publikuar veprat e Tarnstörmer në gjermanisht, mes tjerash, shkruan: “Me rastin e ditëlindjes së tij të tetëdhjetë në pranverë të këtij viti ne të gjithë u mblodhëm në Teatrin e Qytetit në Stockholm për ta uruar Tomasin. Tomasin dhe gruan e tij Monica, për të qenë më i saktë, sepse ajo prej vitesh kujdeset për të, prej se ai pas një sulmi të rëndë në tru nuk mund më as të ec si duhet, as të flasë qartë. Ky burrë i ndrojtur, i dashur rrinte ulur në një karrige për të sëmurë dhe na shikonte me një përzierje të turpit dhe gëzimit neve që e lavdëronim. Tani Mbreti i Suedisë në ceremoninë e 10 dhjetorit për herë të parë duhet t’i përulet një poeti, ashtu siç e do puna, në fakt”. Ky poet di të thur këso vargjesh, diçka mes haikut dhe qetësisë nordike: “Frymë e madhe dhe e ngadalshme / nga biblioteka e detit./ Këtu mund të pushojë”. Ose: “Varrimet vijnë / dendur e më dendur / si tabelat e komunikacionit / kur i afrohemi një qyteti”. Ose: “Tingulli thotë se liria ekziston / dhe dikush Perandorit nuk po ia paguan tatimin”. Ky është arti i thjeshtësisë, larg banalitetit, afër jetës, afër njerëzve, në tokë.

NOA

Në Foto: fituesi i Nobelit në letërsi

KOMENTE